Drita kampione e Kosovës

Futbollistët e Dritës kanë fituar titullin e kampionit të Kosovës, pasi në ndeshjen vendimtare në Pejë luajtën baras me Prishtinën me rezultat 0:0.

Herën e fundit që Drita ishte shpallur kampion ishte kampionati 2003-04, nën drejtimin e kryetarit legjendar Selami Osmani-Bezi.

Prishtina hyri në këtë ndeshje me imperativ të vetëm – fitoren me dy gola epërsi, por kësaj nuk ia doli.

Nga minuta e 32-të, Prishtina luajti me një futbollist më pak në fushë, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Debatik Currit, ndërsa nga minutën e dytë shtesë mbeti edhe pa Dallkun, që po ashtu u “skuq” pas një ndërhyrje të ashpër.

Derisa në pjesën e parë pati pak raste konkrete për të shënuar, në 45 minutat e dytë ishte Prishtina ajo që pati dominim në fushë gjithmonë në tentim të golit, por pa sukses.

Në finish të takimit ishte Musaj i Dritës që ka mundur të shënojë, pas një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri i Prishtinës nuk lejoi të befasohej.

Ndryshe, para fillimit të takimit kishte tensione jashtë stadiumit, ku ndodheshin forca të policisë, pasi pati përleshje ndërmjet tifozëve të të dyja ekipeve.