FC Drita ka njoftuar se i ka nxjerrë në shitje sot biletat për ndeshjen e kthimit të “play-offit” të Ligës së Konferencës ndaj Legia Varshavës.
Klubi i vetëm kosovar që ka mbetur në garat evropiane ka zbuluar se biletat mund të blihen tek pika e shitjes, e cila është vendosur te Teatri i Qytetit në Gjilan, ndërsa në ditën e ndeshjes ato do të mund të blihen edhe në pikat e shitjes në Prishtinë tek stadiumi “Fadil Vokrri” nga ora 12:00.
Çmimet e biletave janë: 5 euro në Lindje, 10 euro në Perëndim dhe 20 euro në zonën VIP, shkruan “Gazeta Express”.
“Intelektualët” e kishin humbur lojën e parë në Poloni javën e kaluar me rezultat 0:2, ndërsa të enjten do ta kërkojnë mrekullinë dhe përmbysjen e madhe në ndeshjen që do të luhet në “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 20:00.
Drita ka nevojë për përkrahje të madhe në stadium për ta bërë të pamundurën të mundur, përkundër faktit se realisht e pret një punë mjaft e vështirë.