Dëshmia e sotme në Hagë e atij që beson se çdo Gjergj mund të bëhet ‘Fisht’, më së miri e shpalosë të vërtetën se disa drejtues të UÇK-së, fatin politikë e kanë pasur në duart e atyre që ende nuk e dinë nëse të vërtetën e kanë rrëfyer atëherë kur nuk kanë qen normal, apo sot kur duan të tregohen si fisnikët e trimat me të cilët duhet të mburret Kosova.
Pastaj dëshmia e sotme e atij që rrëfen ngutshëm e harron shpejt, nuk shpalosi thuajse asgjë për të shkuarën e drejtuesve të UÇK-së në Hagë, por tregoi bollshëm se Kosova e vogël nuk e shijoi lirinë ashtu siç duhet dhe, aq shumë u varfërua, sepse duhej të ushqente e të mbante mbi shpinë presidentë e kryeministra që mund t’i shantazhonte cilido idiotë e mjeranë me ambicie për t’u bërë, për shembull, ambasador i Kosovës në Maqedoni.
Dhe se një ndër shkaqet pse Kosova ende nuk ia del të vetëmirëmbahet si shtet, është se ajo lindi e rriti trima për të cilët mund t’ia ketë zili e tërë bota, por atë e morën peng edhe mjeranë politikë shkaku i të cilëve atë e tallë gjithë dynjaja.
Duke qenë Kosova e tillë, asaj i ndodhin edhe gjëra perverse, si për shembull kjo kur nuk dihet nëse drejtuesit e UÇK-së janë në Hagë shkaku i akuzave të ‘abnormalëve’ që sot u ofrojnë mbrojtje?!
Ndërkohë mbetet të shpresojmë se Kosova e sotme nuk është si ajo e burrështetasve të dalë nga ‘foleja e Gjarprit’, e të cilët atë e përdornin për t’i shpërlarë mëkatet nga e shkuara e tyre ‘heroike’.
Pra mbetet të besojmë se ajo i ka abortuar ‘abnormalët’ e vet të cilët jo që nuk e dinë se kanë ardhur nëpër poste duke gënjyer e shantazhuar, por nuk e dini se cilët janë.
Nga: Kim Mehmeti