Drejtori i spitalit në Gaza duhet të nderohej, jo të ndalohej nga ushtria izraelite, thotë zyrtarja e OKB-së

Dr. Hussam Abu Safiya - legend of Kamal Adwan Hospital

Francesca Albanese, raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret palestineze, ka ngritur zërin për fatin e Dr. Hussam Abu Safia, ish-drejtor i Spitalit Kamal Adwan në Gaza, i cili u ndalua nga forcat izraelite në dhjetor pa asnjë akuzë zyrtare.

Ndërkohë që spitali Kamal Adwan u shkatërrua nga bombardimet izraelite në fund të vitit të kaluar, Abu Safia qëndroi pranë pacientëve të tij deri në momentin kur u arrestua dhe u dërgua në kampin famëkeq të ndalimit ushtarak Sde Teiman në shkretëtirën Negev të Izraelit.

Më pas, ai u transferua në burgun Ofer, pranë Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar – sërish pa asnjë akuzë ligjore ndaj tij.

“Ky mjek duhej të ishte i sigurt tashmë, me status të mbrojtur, dhe të nderohej nga liderët ndërkombëtarë si një ikonë e etikës,” shkroi Albanese në rrjetet sociale.
“Në vend të kësaj, ai është ende peng i Izraelit, i rrëmbyer pa ndonjë akuzë,” shtoi ajo.

Avokatët e Dr. Abu Safia-s i thanë Al Jazeera-s në shkurt se klienti i tyre është torturuar dhe trajtuar në mënyrë çnjerëzore gjatë ndalimit të tij në burgun ushtarak izraelit.