Drejtori i Policisë së Kosovës: Prej sot punëtorët duhet të pajisen me këtë vërtetim për të dal jashtë gjatë kohës kur lëvizja është e kufizuar

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka njoftuar se që nga dita e sotme të gjithë punëtorët që duhet të dalin në punë gjatë kohës sa është e kufizuar lëvizja, duhet të jenë të pajisur me një vërtetim si dëshmi se janë punëtor të kompanisë së caktuar.

Qalaj në “Zyrën e Ankesave” të RTV Dukagjinit, ka thënë se ky vërtetim mund të sigurohet për punonjësit nga kompanitë përkatëse, të cilat me kohë janë njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe Ministria e Tregtisë dhe Ambientit.

Drejtori i Policisë së Kosovës, bëri të ditur se kjo është urdhëresë nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

“Që nga sot, kemi një urdhëresë e u.d të ministrit të MPBA-së, të gjithë qytetarët duhet të kenë leje nga punëdhënësi që është duke dalur në punë. MPBA në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, kanë marrë një vendim që operatorët ekonomik të bëjnë listën e punëtorëve dhe pastaj të shtypen disa vërtetime që të dihet se personat janë punonjës së kompanisë së caktuar. Kompanitë besoj se janë njoftuar me kohë në lidhje me sigurimin e këtyre vërtetimeve”, tha Qalaj.

Këto vërtetime, mund të merren duke aplikuar përmes email adresës: [email protected]

E në ndërkohë, ai tha po ashtu se bashkëpunimi i qytetarëve ka qenë mjaft i mirë edhe para vendimit të Qeverisë për kufizim të lëvizjes, por edhe tash kur është kufizuar koha se kur mund të lëvizin qytetarët nëpër rrugë.

“Që nga fillimi i implementimit të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes, kemi bërë fillimisht informimin e qytetarëve për këtë orar. Shumica e qytetarëve janë duke e respektuar, por edhe para vendimit të Qeverisë kanë qenë duke qëndruar brenda”, tha Qalaj.