Veprimi i Shqipërisë dhe Kosovës në koordinata të ndryshme, madje të kundërta, e gabueshme dhe e dëmshme në planin afatgjatë për botën shqiptare. Një politikë e dyfishtë dhe, shpesh, kontradiktore mes dy vendeve tona është gabimi fatal nga i cili nuk do të fitojë asnjëri.
Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë
Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ndonëse praktikisht e formalisht proceset integruese janë duke u vazhduar, ende karakterizohen me shkarje të mëdha. S’ka dyshim se pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë e ka bërë situatën edhe më të brishtë. Tensionet e mundshme në Ballkan dhe përshkallëzimi i tyre pa kthim janë shqetësim real në arealin euro-perëndimor. Në këtë kuadër, imponimi me forcë i zgjidhjeve të probleme rajonale nga lart-poshtë duket si opsion real e shpëtimtar.
Dështimi i një projekti të panevojshëm e komprometues
Përpjekjet për të jetësuar projektin e menduar për integrim rajonal “Open Balkan”, që për dikë ishte zëvendësim/alternativë e për dikë mbështetje e Procesit të Berlinit, duket se shkuan huq. Megjithatë dështimi i projektit “Open Balkan” nuk përbën ndonjë habi. Ai dukej të ishte një nismë me plot dilema e paqartësi, kishte mungesë të tabanit qysh në fillet e tij. Ai, në rastin më të mirë, ishte një nismë naive, ndërsa në rastin më të keq ishte një nismë qëllimkeqe për të penguar e komplikuar procesin euro-atlantik e për të rehabilituar shtetin serb. Pos tjerash, aty përbënte problem mungesa e legjitimitetit serb në primatin ballkanik. Nuk mund të ishte prirëse e projektit të paqes rajonale një shtet që ka shkaktuar kaq shumë vuajtje e dhunë, madje në të kaluarën e afërt e që vazhdon të kërcënojë sigurinë e rajonit edhe tani. Në kohën kur Serbia ka intensifikuar sjelljen agresive dhe synon të destabilizojë sërish Kosovën dhe Bosnjën, si dhe të koordinojë veprimet me Moskën teksa ka një mobilizim perëndimor me sanksione ndaj saj, do të ishte shumë naive të abstrahohej sjellja e Serbisë dhe të pritej që ajo për një moment po shndërrohej në një lider të paqes rajonale konform proceseve integruese euro-atlantike. Në këtë prizëm është e habitshme gatishmëria e shtetit shqiptar që, pavarësisht të gjithave, të besojë e ta shtyjë përpara projektin në fjalë. Në kohën kur Kosova do të priste nga Shqipëria një qëndrim të matur e dinjitoz ndaj sjelljes serbe, ajo i mbyllte sytë dhe besonte në një të ardhme të ndritur me ish-ministrin e Sllobodan Millosheviqit.
Ndërthurja e problemeve rajonale dhe globale
Problemet në Ballkan nuk janë risi e as përjashtim. Ndërthurja me problemet e tjera të natyrës së sigurisë dhe të asaj ekonomike (konteksti kohor) aktual në botë janë risia e kësaj situate. Ekzistenca dhe ndërveprimi i këtyre kontradiktave dhe konfliktualiteteve, nga ana tjetër, është dëshmi e thyerjes së mitit se bota po shkon drejt përsosmërisë, rendit dhe paqes: edhe një herë e kemi përballë relativizimin e ecurisë sociale, politike e ekonomike të botës, me një spontanitet shqetësues. Por, problemet në Ballkan nuk duhet të merren si të mirëqena, si fat i pandryshueshëm, ngase kjo do të impononte një qasje deterministe a priori që pamundëson paqen në esencë të mundshme. Po ashtu duhet injoruar naiviteti se problemet aktuale janë një segment kalimtar i parrezikshëm dhe se do të shuhen vetvetiu. Përkundrazi, qasja proaktive e aktorëve politikë e shoqërorë, me besim në vlerat e paqes, demokracisë, liberalizmit dhe barazisë është shpresa më e madhe për një të ardhme normale. Dikush mund të gjykojë me të drejtë se përballë pafuqisë së vendeve të vogla dhe aktorëve të vegjël brenda këtyre vendeve të vogla qasja normative që definon se çka duhet e çka nuk duhet nuk shëron asgjë, nuk përshpejton asgjë. Mund të bëhet një përshkrim analitik e kritik për të parë se ku është gabuar e si mund të bëhej ndryshe. Megjithatë, një qasje vetëkritike është thelbësore për të kontrolluar fatin që na pret, ani pse qasja moraliste dhe referenca morale, humane e kombëtare e një lideri e populli të vogël mund të duket me të drejtë si përpjekje kundër rrjedhës, kundër botës.
Kush duhet të jetojë për botën shqiptare?
Veprimi i Shqipërisë dhe Kosovës në koordinata të ndryshme, madje të kundërta, e gabueshme dhe e dëmshme në planin afatgjatë për botën shqiptare. Një politikë e dyfishtë dhe, shpesh, kontradiktore mes dy vendeve tona është gabimi fatal nga i cili nuk do të fitojë asnjëri. Nga ana tjetër, teksa ekziston një opinion naiv shfajësues e çlirues i shtrirë gjerësisht se për neve mendojnë, vendosin e luftojnë aleatët tanë, në nivel politik e kolektiv, duhet ndërgjegjësuar se askush i jashtëm, asnjë subjekt i dytë e i tretë nuk bart përgjegjësi për mosefikasitetin dhe çalimin e botës sonë. Për sa kohë që shqiptarët në këtë shekull nuk janë të aftë ose nuk duan ta jetësojnë potencialin e tyre në shërbim të mirëqenies e paqes dhe rehatisë së tyre, atëherë askush tjetër nuk është i detyruar të jetojë e të luftojë për ta, nuk ka asnjë obligim moral as njerëzor të jetë në shërbim të botës së tyre. I përket kryekëput botës shqiptare që të jetë e aftë të manovrojë në planin intelektual, popullor, mediatik, diplomatik, kulturor, human e ekomomik për të kontrolluar rrjedhën që e pret tani e tutje. Paaftësia ose mungesa e dëshirës e vullnetit për të demonstruar e jetësuar potencialin demografik, intelektual, pse jo edhe ushtarak e industrial në shërbim të botës ku jeton, në shërbim të botës që beson dhe për të cilën jeton, nuk duhet të arsyetohet duke drejtuar gishtin nga të tjerët.
Cila është bota jote?
Shtetet dhe popujt e vegjël nuk mund të përcaktojnë rrjedhën e fatin e të tjerëve, madje shpesh as të tyrin. Nuk mund të përcaktojnë as qëndrimet e të tjerëve për ta. Ata jetojnë në një mes tragjik ku o ndërthuret fakti fatlum i përputhjes me interesat e një ose disa fuqive më të mëdha, o bie ndesh me konstelacionin e forcave dominuese dhe interesave aktuale në botë. Por, kjo pafuqi për të imponuar veten në rrjedhën globale nuk nënkupton se ata janë hiç. Përkundrazi, ata mund të definojnë e demonstrojnë se kush janë dhe çka duan. Ata mund ta definojnë e demonstrojnë se deri ku mund të sakrifikojnë për atë që duan, për idealin dhe besimin në botën e tyre. E pikërisht kjo i bën ata kuptimplotë në botën e pikëtakimit tragjik me interesat e të tjerëve. Kjo i bën ata subjekt që mendon, beson, zgjedh të jetojë e të vdesë për një mori besimesh e vlerash që kuptimësojnë vetë jetën dhe botën e tyre potencialisht të pakompletuar në disa rrafshe. Kjo i bën ata të jenë subjekti që përcakton për veten se deri ku mund të preket bota e tyre. Nga ana tjetër, do të ishte ideale nëse besimi në botën të cilës i përket do të artikulohej politikisht në atë mënyrë që të bindësh popuj e shtete për të qenë në anën tënde. Do të ishte një lloj idealizimi i imponuar përmes realpolitikës. /revistashenja