Javë më parë Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vendosi të nxjerr një deklaratë ku do t’i kërkohej Bashkimit Evropian që qytetarëve të Kosovës të mos u mohohet lëvizja e lirë – si rezultat i mos ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.
E kjo draft-rezolutë do të jetë pjesë e rendit të ditës në seancën e së enjtes në Kuvend.
Ndonëse u tha se kjo çështje pretendohet të bëjë bashkë pozitë e opozitë, një gjë e tillë duket të jetë e paarritshme duke pasur parasysh qëndrimet e opozitës.
Opozita ka kërkuar që në këtë rezolutë të thuhet se procesi i demarkacionit duhet të rishikohet, dhe karshi kësaj kërkese ata vazhdojnë të jenë të palëkundur.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Pal Lekaj ka thënë se kjo draft-rezolutë është një tentativë e mirë për t’i dërguar një mesazh të qartë Brukselit dhe vendeve të BE-së veç e veç se ne jemi dakord që procesi i demarkacionit duhet të ndodhë por jo në versionin e tanishëm.
“Përmes kësaj deklarate i bëjmë thirrje BE-së që të mos privohen nga e drejta për lëvizje të lirë qytetarët tonë duke nxjerrë kritere që si kanë pasur asnjë shtet, qytetarët e të cilëve sot i gëzojnë të gjitha privilegjet që ne si Kosovë nuk i kemi”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.
Ai ka shtuar se nuk pret që të arrihet konsensusi i nevojshëm për të votuar një deklaratë të tillë në Kuvend.
“Ne si grup parlamentar por mund të them edhe si opozitë insistojmë që në njërin nga paragrafët e kësaj deklarate të potencohet përpos tjerash edhe rishikimi i procesit të demarkacionit, i cili duhet të ndodhë shpejt, ndryshe s’do ta ketë mbështetjen tonë. Pra ne jemi që të përmbyllet sa ma shpejt ky proces por fillimisht të rishikohet marrëveshja me një komision të ri në përbërje të të cilit do të kishte ekspertë që në radhë të parë e duan vendin e vet dhe që e mbrojnë tokën e Kosovës”, u shpreh Lekaj.
Ai ka shtuar më pas se dëshirojnë që edhe përmes kësaj deklarate, të përbashkët, t’i njoftojmë vendet e BE-së, se qytetarët meritojnë lëvizjen e lirë, por kjo nuk guxon të ndodhë duke insistuar që Kosova të humbë territor.
“Edhe qytetaret e kanë thënë njëjtë, se nuk iu duhet liberalizimi nëse kjo ‘kushtëzohet’ me ‘falje’ territori”, tha Lekaj.
I pyetur se çfarë pret të jetë qëndrimi i Brukselit karshi kësaj draft-rezolute, Pal Lekaj ka theksuar se nëse arrihet që kjo draft-deklaratë të bëhet me dakordancen e të gjitha partive (grupeve) parlamentare dhe të finalizohet, atëherë besojnë që sado pak do të ndikojë te Brukseli, që të merret parasysh edhe qytetarëve t’u mundësohet lëvizja e lirë.
Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Donika Kadaj Bujupi ka thënë se siç u pa edhe gjatë takimit me liderët, koalicioni qeverisës pamundësoi arritjen e marrëveshjes përmes nënshkrimit të draft- rezolutës.
Ajo ka shtuar se nuk kanë ndërruar qëndrim, duke theksuar se rrjedhimisht kanë kontribuar me propozime përkatëse që të harmonizohen qëndrimet.
“Në parim marrëveshja duhet të rishqyrtohet nga fillimi për të evituar gabimet e versionit aktual”, tha Kadaj-Bujupi për Telegrafin.
Ajo ka shtuar se Brukseli vazhdimisht ka kërkesa për Kosovën që kryesisht lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
“Qeveria nuk mund të jetë e suksesshme dhe nuk mund të ketë përparim të këtij kriteri pasi që krerët e vendit janë të inkriminuar. Çështja e territorit na përket neve si vend dhe askush nuk mund të kërkojë që Kosova të humb territor për viza”, tha Kadaj-Bujupi, duke shtuar se Demarkacioni është kusht si proces, por jo si version dhe këtu duhet të bëhet dallimi.
Telegrafi ka provuar të marrë përgjigje për këtë çështje edhe nga deputetja e LDK-së njëherësh edhe anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani por ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve tona.
Kurse, Emrush Ujkani njohës i integrimeve evropiane ka thënë për Telegrafin se nuk pret që kjo draft- rezolutë të ketë ndonjë efekt të madh sa i përket liberalizmit.
“Iniciativa për të ardhur deri te rezoluta, në rend të parë për mendimin tim efektin më të madh e ka që i ofron partitë politike, pasi që po e zbutë klimën brenda për brenda stabilishmentit kosovar. Në aspektin e liberalizmit të vizave unë nuk pres ndonjë efekt të madh pasi që kjo nuk është kërkesë e Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar që ne të miratojmë rezoluta me të cilat ne do të kërkonim liberalizmin e vizave”, ka thënë Ujkani.
Ai ka shtuar se Brukseli e ka bërë të qartë javën e kaluar se BE-ja do ta mirëpret, por në anën tjetër nuk është ndonjë kriter pra nuk është kusht që ajo vet e ka vendosur.
“Bashkimi Evropian pret nga Kosova që t’i adresojë dy çështje që është Demarkacioni të cilin e bëri të qartë edhe Mogherini dhe dëshmia se institucionet tona kanë marrë masa në luftimin e korrupsionit në vendin tonë”, tha Ujkani.
E kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka fajësuar opozitën se nuk po bashkëpunojnë në të mirë të qytetarëve, duke insistuar në kërkesa të caktuara për motive politike ndërkohë që sipas tij, qëllimi i kësaj rezolute ka qenë të ketë një qëndrim të përbashkët mes opozitës dhe pozitës e qytetarët të mos ndëshkohen për liberalizimin e vizave nga demarkacioni.