Dr. Ibrahim Rugova – arkitekt i shtetformimit në Kosovë

Fatmir Sejdiu
  • Vizioni i presidentit Rugova për shtetin e Kosovës mbështetej, në radhë të parë, në vullnetin e popullsisë shumicë dhe në besimin se politika e zgjedhur për ta përballuar okupimin serb dhe për ta fituar lirinë dhe shtetin duhej bazuar në rezistencë aktive, e tillë që do ta rriste lirinë shpirtërore dhe vepruese të qytetarëve, duke u shndërruar kështu vetë në bartës të lëvizjes së përgjithshme politike për liri dhe shtet.

 Fatmir SEJDIU, Prishtinë*

Në këtë shkrim do t’i theksoj disa nga nyjat intelektuale, politike, diplomatike dhe humane të liderit tonë, të cilat, sa kalon koha, bëhen edhe më vlerësuara dhe motivuese në shoqërinë e Kosovës, ndër shqiptarë përgjithësisht por edhe në qarqet ndërkombëtare.

Në takimet e shpeshta që kam edhe tash me zyrtarë ndërkombëtarë, që nga ambasadorë e deri tek intelektualë, diplomatë e politikanë, vështirë të përfundojë biseda pa folur me respekt për veprën e presidentit Rugova, për ta vlerësuar rolin dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, të njohur sot nga 115 shtete dhe të pranishme në shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare.

Po shkruaj fjalinë që do të mund të kishe vend në paragrafët e mëposhtëm: Dr. Ibrahim Rugova, që më zgjedhjen si kryetar i LDK-së, e kishte këtë moto: Liri, Pavarësi, Demokraci. Ai kishte edhe një moto: Kosova Shtet i Pavarur dhe Sovran. Kishte edhe një tjetër: Kosova në Bashkimin Europian dhe në NATO, paraprakisht, pas një administrimi civil dhe ushtarak ndërkombëtar. Edhe shqiptarët e bashkuar në Europën e Bashkuar.

*          *          *

Që në fillim do të theksoja dimensionet e mëdha të projektit politik, nacional e shtetëror që fillon nga funddecenia e tetë e shek. XX dhe u realizua në funddecenien e nëntë.

Projekti dhe platforma politike e Ibrahim Rugovës ishte unike në Kosovë dhe më gjerë, pasi ajo bazohej në kuptimin e dinamikës së ndryshimeve në arkitekturën ndërkombëtare në periudhën e rënies së Murit të Berlinit, të përfundimit të Luftës së Ftohtë, triumfit të demokracisë, por edhe të procesit të shkatërrimit të Jugosllavisë dhe të luftërave të Serbisë për të spastruar popuj joserbë nga vendet e tyre.

Rasti i Kosovës nuk “u zgjidh” në skenën ndërkombëtare dhe vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por ai fitoi rëndësi përmes veprimeve të brendshme, mendjemprehtësisë dhe pragmatizmit, në mënyrë graduale, për një dekadë, bazuar në rezistencën aktive paqësore të përhershme të shqiptarëve kundër okupimit serb.

Platforma për liri dhe pavarësi u përqendrua në vizionin e të kuptuarit drejt të dinamikave globale dhe për t’i integruar ato në hapat, situatat dhe proceset në Kosovë. Rrjedhimisht, platforma e presidentit Rugova, kryetar i LDK-së që nga viti 1989, dhe pastaj president i Republikës së Kosovës, bazohej në veprime proaktive dhe joreaktive, si dhe në funksionalizimin kreativ të vlerave qytetare e nacionale, kjo e bazuar në një kuptim dhe harmonizim të thellë të potencialit dhe idesë së shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës dhe të rrjedhave dhe proceseve aktuale ndërkombëtare.

Ndër shtyllat kryesore të vizionit të tij për shtetformim ishte krijimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me personalitete, institucione dhe qeveri. Ai e vuri në krye të politikës ndërkombëtare të Kosovës miqësinë me SHBA dhe Europën. “Miqësi të përhershme me SHBA-në”, siç e përsëriste zakonisht. Urtia dhe e vërteta që e thoshte kudo, krijoi mirëbesim e respekt, ia hapi Kosovës portat për t’u dëgjuar dhe rritur zëri i saj i mbresëlënës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Lideri historik i kësaj lëvizjeje dhe i shqiptarëve të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ishte një intelektual kritik, tolerant dhe paqësor, që idetë nacionale për liri, pavarësi dhe demokraci, arriti t’i mbillte jo vetëm në popullin e Kosovës, por ato t’i shtrinte edhe në opinionin dhe institucionet ndërkombëtare. Prandaj, filozofia e tij paqësore u pranua dhe sot gëzon aq shumë respekt në të katër anët e globit. Urtia e tij ishte frymëzuese.

*          *          *

E kam pyetur disa herë se përse me qetësi i merr adresimet tejet të padrejta që i bëheshin nga “konkurentët”, ndonëse ai nuk kishte konkurrentë realë, dhe ai më përgjigjej: “Kjo është demokracia” dhe “edhe ata e kanë të drejtën e mendimi të tyre”.

Nga pozita që kisha – Sekretar i Përgjithshëm LDK-së, e kisha njohur thellë natyrën e tij: “i urtë”, por “i palëkundur”. …

*          *          *

Me platformë të fuqishme politike, me moton: “Liri, Pavarësi, Demokraci”, shqiptarët sakrifikuan shumë, por edhe bënë një organizim të jashtëzakonshëm. Përmes solidaritetit kombëtar brenda dhe jashtë vendit, ata dhanë shembullin se kur ka një mobilizim të madh etik, kombëtar dhe politik, një proces, sado që të jetë i vështirë, edhe në rrethana terrori shtetëror, mund të japë rezultate të mëdha, të krijojë një shtet që do të pranohet gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Vizioni i presidentit Rugova për shtetin e Kosovës mbështetej, në radhë të parë, në vullnetin e popullsisë shumicë dhe në besimin se politika e zgjedhur për ta përballuar okupimin serb dhe për ta fituar lirinë dhe shtetin duhej bazuar në rezistencë aktive, e tillë që do ta rriste lirinë shpirtërore dhe vepruese të qytetarëve, duke u shndërruar kështu vetë në bartës të lëvizjes së përgjithshme politike për liri dhe shtet.

Një tjetër shtysë e fortë e dizejnimit të projektit shtet qe se Rugova tregoi rrugën nëpër të cilën duhej ecur, duke punuar dhe rezistuar kurrë pa u ndalur, por pa humbur asnjëherë nga vlerat etike dhe humane, përherë për të qenë të njerëzishëm dhe të dashur. Andaj, në gjenezë, shteti i Kosovës është përmasa e gjerë e krijimit të paqes së brendshme publike, e bashkimit dhe e solidaritetit të gjerë, e mobilizimit unik mbi një platformë të gjerë demokratike.

Në krye të interesit shtetëror ai kishte njeriun e tij që e kuptonte. Prandaj, në praktikat e shtetndërtimit, ua dha shqiptarëve brenda dhe jashtë forcën e bashkëveprimit pavarësisht dallimeve. Shoqëria ishte bashkësi aktive me kulturë shtetërore, me etikë dhe paqe të brendshme. Këtë e tregon më së miri Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, kur brenda vitit 1990 u pajtuan mijëra familje. Pra, po e ritheksoj se në themelet e shtetit ishte pajtimi, besimi në liri, vlerësimi për dallimet, respekti, toleranca dhe pasurimi me vlera dhe praktika plurale.

Andaj, edhe si organizim rezistence politiko-shtetërore, u krijuan partitë politike dhe që të gjitha në programet e tyre e vunë synimin për pavarësinë e Kosovës. Të gjitha në krye të platformës kishin: Lirinë dhe shtetin e Kosovës. Njëherësh, Rugova e përkrahu gjerësisht organizmin e asociacioneve dhe shoqatave.

Vendimet juridiko-kushtetuese të ndërtimit të shtetit, të prira nga presidenti Rugova, ishin të kujdesshme, por të vendosura. Po përmend se Kuvendi i Republikës së Kosovës e përgatiti projektkushtetutën e Republikës së Kosovës dhe më 7 shtator 1990 në Kaçanik e shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sipas këtij akti, Republika e Kosovës ishte shtet i qytetarëve të barabartë.

Në shtator të vitit 1990 e miratoi edhe Rezolutën për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran dhe, bazuar në këtë rezolutë, mori vendim që të mbahet Referendumi për Pavarësi. Referendumi u mbajt nga 26 deri më 30 shtator 1991, me ç’rast të drejtë vote kishin 1.051.357 qytetarë, prej të cilëve votuan 914.802 ose 87 për qind e tërë zgjedhësve.

Si një shtysë afirmuese e konstitucionit shtetëror qe mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Kosovës.

*          *          *

Organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale ishte qëllimi vijues. Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe udhëheqës i Komisionit për Çështje Juridike dhe Kushtetuese, pas marrjes së vendimit për datën e zgjedhjeve të 24 majit 1992, drejtpërdrejt isha angazhuar për kryerjen e Ligjin mbi Zgjedhjet. Ligji ishte adopt me ligjet e vendeve demokratike. Ky ligj parashihte (deri 100 deputetë) sistemin mazhoritar si për kandidatët për deputetë, ashtu edhe ata për presidentë. Ai u tregua shumë i përshtatshëm.

*          *          *

Pasoi krijimi i qeverisë së Republikës së Kosovës, i qeverive komunale, i sistemeve të pavarura arsimore-edukative, i politikave sociale, shëndetësore, diplomatike, të sigurisë, pastaj kulturore, financiare, informative-mediale, sportive etj. U krijua kështu sistemi i madh politiko- shtetëror, mbështetur në punën dhe vullnetin e qytetarëve, që frymëzoi respektin për lëvizjen për pavarësi e shtet në gjithë botën demokratike. Megjithëse kishte vazhdimisht dhunë e terror shtetëror serb, besimi në liri dhe në vizionin e presidentit Rugova ishte i madh.

Dua të them se presidenti Rugova nuk pushoi së informuari dhe denoncuari këtë dhunë, por krahas kësaj edhe vënien e Kosovës në administrim civil dhe mbrojtje ushtarake të NATO-s.

Ishim përherë në terren, në mesin e njerëzve.

*          *          *

Kështu ishte edhe në 1999. Me dijeninë e Presidentit Rugova, me ekipet që i formoja aty për aty, kemi shkuar pothuajse në secilën nga vatrat e krizës. Kjo ka ndodhë në Prekaz (25 janar 1998), në Llaushë 26 dhe 28 nëntor 1998, prapë në Prekaz, në ngjarjet 5, 6, 7, mars 1998, përkatësisht në ditën kur kemi organizuar sjelljen e arkivoleve nga Gjakova. Ka ndodhë në Jabllanicë të Dushkajës dhe Bardhaniq, në Gjocaj të Junikut, në Rrypaj të Gjakovës, në Dobratin të Podujevës dhe në shumë vende anekënd Kosovës. Dua te them se LDK-ja kishte punuar edhe në organizimin e mbrojtjes dhe të kundërshtimit të okupimit serb edhe në planin ushtarak.

*          *          *

Presidenti Rugova kishte filozofinë “Kosova na duhet me njerëz. Duhet t’i ruajmë njerëzit.” Ai kudo njihej, fliste si burrështetas, që thoshte atë që duhej dëgjuar me kujdes. Ky respekt dhe vlerësim me sakrificën e madhe u pa në përkrahjen dhe ndihmën që kishte presidenti Rugova dhe Kosova nga personalitete dhe institucione ndërkombëtare. Gjithë kjo u finalizua me fushatën e bombardimeve dhe të ndërhyrjes ushtarake nga NATO në mars-qershor 1999.

Filozofia e shtetit të Kosovës kishte vizion e qartësi. Rugova ia dha përmbajtjen e plotë publike. Ajo ishte e vërteta historike dhe aktuale. Kosova dhe shqiptarët gjeografikisht dhe kulturalisht i takojnë Europës dhe botës perëndimore.

Motoja e presidentit Rugova mbetet shtylla themelore e politikave ndërkombëtare të Kosovës. “Një Kosovë e pavarur e demokratike, e inkuadruar në Bashkim Europian e në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vullneti i popullit dhe do ta qetësojë këtë pjesë të Europës e të botës”. Le të na shërbejë gjithmonë si kujtesë për vizionin udhërrëfyes që identifikohet me emrin e tij: “Miqësi e përhershme me shoqëritë demokratike. Miqësi e paqe me të gjithë fqinjët si të lirë dhe të barabartë, secili në shtëpinë e vet”.

Si njeri me synime të jashtëzakonshme të shtet-ndërtimit, Presidenti Rugova edhe në kohët e vështira të okupimit ishte vizionar për rrugën që duhej ta ndiqte shteti dhe kombi në dekadat që vijnë. Do kujtuar ideja e tij për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Durrës, që tashmë është bërë realitet. Ngjashëm e po kaq e fuqishme ishte thirrja e tij për ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë dhe protektorat civil dhe ushtarak. Profeci që u bë realitet.

Do ta përsëris për presidentin Rugova atë që sa herë më jepet rasti e them: mund të them se ne kemi ende shumë për të mësuar nga puna dhe vepra e tij. Vizioni dhe filozofia politike e shtetërore e Presidentit Rugova ishin dhe mbeten përherë frymëzuese për ndërtimin e paqes, të tolerancës, të shoqërisë së lirë dhe demokratike, të shtetit të së drejtës, pa dhunë dhe autoritarizëm, pa korrupsion dhe kriminalitet. Për ndërtimin e një shoqërie moderne me sistem të avancuar arsimor, shëndetësor dhe kulturor, për ndërtimin e shtetit modern me ndarje të qartë të pushteteve, me respekt për dijen dhe, mbi të gjitha, me respekt për të drejtën e qytetarit për të qenë i lirë që të zgjedhë dhe të zgjidhet.

*Autori është ish President i Republikës së Kosovës