Avancimi teknologjik, informatika, informatizimi i jetës, maskultura e epokës sonë, në këtë ose në atë mënyrë, po e dëmtojnë fuqishëm edukimin dhe nxënien, e demodeizojnë leximin, gjë që e vërtetojmë dita-ditës edhe empirikisht me respondentët tanë në sferën e arsimit. Vizualizimi dhe parcializimi i dijes bën fëmijët dhe të rinjtë e sotëm të ballafaqohen me turbulenca të shumta në ndërtimin e personalitetit dhe identitetit të tyre mendor dhe intelektual.
Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup
Tetorin e vitit të kaluar, Eli Amdur-i, në revistën e mirënjohur “Forbes”, botoi një artikull të titulluar “Analfabeti i shekullit XXI”, që fillonte me fjalinë e mëposhtme, të huazuar nga Alvin Toffler-i (1928-2016), gjegjësisht nga vepra e tij piketë Goditja e së ardhmes e vitit 1970: “Analfabetët e shekullit XXI nuk do të jenë ata që nuk do të dinë të lexojnë e të shkruajnë, por ata që nuk do të munden të mësojnë, të çmësojnë (ang. unlearn) dhe të rimësojnë”. Para nja dy javësh një mik yni i rrjeteve sociale e pati elaboruar në murin e tij të FB-së termin “leprozë intelektuale”: gjendje kur injoranca, mendja e mbyllur ose refuzimi i njohurive të reja (dije) përhapen dhe e pengojnë rritjen e ideve ose të diskursit intelektual të mirëfilltë (Xh. Mema). Dhe, për të ma prishur pikturën (negative), në një xhami arkaike, para sa të niste rituali i faljes, të lexoj thash diçka, kur më shkoi dora te një libër: Khalil Gibran, Udhëtari. Pyetja që më lindi ishte se kush qenka ky “i iluminuar”, që në këtë vend të bekuar po e lexuaka këtë autor maronit kristian?
PISA dhe Ruggle
Fundviti 2023 sikur po shpërfaq një erupsion të “panoramës objektive” të gjendjes kataklizmatike të edukimit-arsimit, si në planin vendor, ashtu edhe në atë global. Në fillim të dhjetorit u shpalosën rezultatet e PISA-s, që tregonin se sa jemi katandisur kulturalisht në këtë kohë kur e kemi gojën plot progres, avancim, vlera europiane, arsim kualitativ etj. OECD-ja e kumtoi rënien marramendëse të performancës së nxënies në të gjitha vendet e kësaj organizate krahasuar me 2018-tën. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia kanë performuar shumë keq në këtë matje – ato renditen në fund të tabelës. Shqipëria është pozicionuar në vendin 67 në matematikë, në vendin 72 për lexim dhe në vendin 79 sa i përket shkencës. Sipas ORCA-s, në Kosovë “analfabetizmi funksional është rritur, numri i nxënësve që nuk kuptojnë lexim nga 78% në vitin 2018 ka kaluar në 83% në vitin 2022.”, duke e bërë këtë vend të radhitet i parafundit nga 81 vende të analizuara. Maqedonia e Veriut në shkrim-leximin gjuhësor, në leximin me kuptim, është radhitur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore në atë të 68-të.
Avancimi teknologjik, informatika, informatizimi i jetës, maskultura e epokës sonë, në këtë ose në atë mënyrë, po e dëmtojnë fuqishëm edukimin dhe nxënien, e demodeizojnë leximin, gjë që e vërtetojmë dita-ditës edhe empirikisht me respondentët tanë në sferën e arsimit. Vizualizimi dhe parcializimi i dijes bën fëmijët dhe të rinjtë e sotëm të ballafaqohen me turbulenca të shumta në ndërtimin e personalitetit dhe identitetit të tyre mendor dhe intelektual. Me sa duket, po bëhet realitet i pakontestueshëm termi ignoramus: personi që nuk di asgjë. Fjala ignoramus është me prejardhje latine īgnōrō, që do të thotë “Unë nuk di”, “S’kam njohuri për…”. Sot ignoramus, terminologjikisht, do të thotë person i paarsimuar, injorant, pa dije. Thesaurus-i, si sinonim të këtij termi, jep “know-nothing”. Ignoramus është një shprehje e përdorur nga George Ruggle (1575-1622) në shfaqjen komike ose dramën akademike të tij me të njëjtin titull, të botuar në vitin 1615, që ka shkaktuar përplasje të fuqishme mes akademikëve dhe juristëve. Është kjo më e famshmja e renesancës angleze. Në këtë dramë satirizohet sekretari i kolegjit Francis Backyn, “kundërshtar konstant i kolegjit”, që paraqitet si ignoramus i titullit.
Trivializimi i tragjedisë
W.J. Cole në vitin 2022 e botoi veprën The Modern Ignoramus, që paraqet një ese racionale lidhur me shprehitë e individit modern dhe efektet e manifestimit të tyre në kolektivin modern: nga infantilizmi dhe vetëviktimizimi, deri te mjedisizmi i stërndjeshëm dhe ideologjitë komuniste. Në këtë libër autori eksploron dhe kritikon kulturën e dembelëve, të të uriturve për vëmendje dhe vizionarëve radikalë. Ignoramusi modern është një libër kundër irracionalizmit dhe propagandës marksiste, me aludime historike dhe filozofike, që kërkon ta lartësojë natyrën racionale të njeriut dhe të sjellë një qenie njerëzore më të qytetëruar. Sipas Cole-t, “konsumatori i informacionit, i skllavëruar nga tregtia elektronike (e-commerce), nga transmetimi i videove dhe mediat sociale, një narcisist dhe një ankues kronik, një individ që nuk ka shkathtësi të artit të të menduarit kritik dhe që është i paaftë të përdorë qelizat e tij gri në kapacitetin e tyre të plotë.” Është kjo koha kur “trivializimi i tragjedisë shndërrohet në status quo.”
Injorantët e arsimuar
“Pa dyshim, shekulli ynë është epoka e iluminizmit dhe e dijes, por ka njerëz me injorancë të vetë-imponuar. Nuk do të ishte ekzagjerim të thuhet se kjo epokë ka nxjerrë ‘injorantë të arsimuar’ më shumë se çdo epokë tjetër.” – është shprehur një bloger (steemit.com/ignorance). Pra, sot kemi masovizim të injorancës, të cilën nuk mund ta eliminojë as shkolla. Shkolla dhe shkollaria e sotme kanë humbur torruan. Nga dija e ideologjizuar, që prodhonte poltronë, kaluam te dija e disperzuar dhe te liberalizimi i shkollës, që duhej të gjeneronte mendje fisnike e të lira, demokratike, me vizion universal. Globalizimi dhe postmodernia e çshenjtëruan arsimin, e masovizuan atë, duke e ulur autoritetin e mësimdhënësit dhe duke e relativizuar stratifikimin mes nxënesve/studentëve. Të gjithë dinë, të gjithë kalojnë – kjo është mantra trishtuese e kohës sonë. Në fakt, edhe ata që dinë, humben në mesin e padijes së kolektivizuar. Rigjiditeti i dikurshëm i mësimdhënësve ia la vendin “ligjëruesit” pa autoritet, librat e dikurshëm ideologjikë u zëvendësuan me literaturë “improvizim”, shkruar ose shqipëruar nga anonimusë, autorë ose përkthyes partiakë. Fleksibilizimi i tepërt dhe politizimi i arsimit na sollën aty ku jemi. Defaktorizimi dhe shpërbërja e familjes sollën dekonstruksionin e arsimit. Tanimë s’ka as disiplinë edukative as arsimore nëpër vatrat e arsimit. S’respektohet as prindi në shtëpi e as mësimdhënësi në shkollë, madje përtallen, bëhen objekt klipesh të shkurtëra përbuzëse. Sot, mirëqenia e arritur iu mundëson njerëzve të argëtohen pa masë. Në vitet 2020-të zbavitja është prioritare, ndërsa arsimi është bërë terciar. Kultura pop dhe instagram po e ngulfatin kulturën e mirëfilltë dhe autentike.
Në epokën tonë të gjithë ata që regjistrohen diku janë “të suksesshëm”, që nga ai fillor, e deri në arsimin superior të komercializuar, ku funksionojnë edhe “institucione akademike fantazmë”. Deviza “çdo student i regjistruar ia vlen”, në fakt do të thotë “hajdeni të gjithë, edhe ju që jeni të ftuar nga qielli (Weber, beruf) për punë të thjeshta, madje edhe ju që s’jeni as për kaq se meritoni të kaloni nëpër dhëmbëzorët tanë dhe fitoni certifikatë superiore”. Kur në arsim inkuadroni sharlatanë të dëgjueshëm, do të prodhoni ignoramusë na masë. Kjo është gjenerata që, sipas Toffler-it dhe bashkëshortes së tij, po përjeton goditjen e së ardhmes si gjendje psikologjike e individëve dhe shoqërive të tëra në ndërveprim me “shumë ndryshime për një periudhë të shkurtër të kohës”. Nga personi që ka ditur relativisht mirë për librat e shenjtë, Sokratin, Shakespeare-in, Dostojevskin, për gjeografinë e Afrikës, për LDB-në, kemi kaluar te anthropoceni, te njeriu i selfi-t, tik-tokut, photobomb, happy slapping-ut… Kemi kaluar te njeriu i gjërave irrelevante që një brez i quan jetike.
Epilog
Mijëvjeçari i tretë. Është koha kur i mirëshkolluari mbetet pa tekst. Kur ashensori social e ngre në pikat sociale kulmore analfabetin, ndërsa ylli i gjeneratës shpallet overqualified dhe duhet të punojë si kamerier, postier, shitës celularësh ose ta braktisë vendin për të gjetur një mjedis që do ta çmojë dhe pozicionojë aty ku meriton. Është koha e ignoramusit. Ka edhe më keq – kalimi nga ata që nuk dinë te kategoria as dimë, as duam të dimë, as do të dimë. Nga ata që duket që nuk dinë, në ata që do të krenohen me mosdijen e tyre, që s’do të ndjejnë nevojën për të mësuar. Fundi i botës do të vijë kur do të mbizotërojë ky soj njerëzor. /revistashenja