Dosjet “Cezar”, një koleksion shqetësues prej dhjetëra mijëra fotografish që ekspozojnë tmerret dhe torturat sistematike në burgjet siriane gjatë sundimit të Bashar al-Asadit, po rihapen pas rënies së regjimit.
Rënia e regjimit Baath të Sirisë, i cili mbajti pushtetin për 61 vjet, ka ripërtërirë fokusin mbi burgjet e tij famëkeqe – të përfolura prej kohësh për torturat sistematike – dhe mijëra të burgosur që kanë humbur jetën në robëri.
Fotografitë, të shkrepura nga një fotograf ushtarak me emrin e koduar “Cezar” gjatë luftës civile, paraqesin trupa të transferuar nga burgjet në spitalet ushtarake. Këto fotografi besohet se dokumentojnë vdekjen e rreth 11.000 viktimave të torturuara nga forcat e regjimit.
Lëndimet e dukshme në fotografi tregojnë abuzimin e rëndë që u është bërë të burgosurve brenda këtyre ambienteve.
Muaz Mustafa, drejtori ekzekutiv i Task Forcës Siriane të Emergjencës (SETF) me bazë në SHBA, foli për Anadolu në lidhje me fotografitë e Cezarit dhe rëndësinë e tyre në procedurat ligjore.
Mustafa theksoi përpjekjet e vazhdueshme të SETF-së që nga viti 2011 për të dokumentuar krimet e luftës dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët e regjimit.
– “Fola me Cezarin në ditën kur u përmbys regjimi i Asadit. Të dytë qamë”
Mustafa tha se e njihte personalisht “Cezarin”, i cili u bë sërish qendër e vëmendjes me rënien e regjimit të Asadit dhe fotografoi mijëra njerëz të vrarë nga tortura dhe metoda çnjerëzore nga regjimi.
Ai shpjegoi se SETF-ja ka marrë përgjegjësinë për ruajtjen e fotografive të Cezarit, të cilat ekspozojnë krimet e regjimit. Ai gjithashtu vuri në dukje se fondet e nevojshme janë siguruar për të mbrojtur dëshmitarët kryesorë, duke përfshirë Cezarin dhe të tjerët që përdorin pseudonime.
Mustafa përshkroi përpjekjet për t’i paraqitur Dosjet “Cezar” në organet ndërkombëtare, duke përfshirë Parlamentin Evropian, Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Kongresin e SHBA-së dhe Kombet e Bashkuara. Këto përpjekje arritën kulmin me miratimin e Aktit Cezar për Mbrojtjen Civile të Sirisë në SHBA, të cilin ai e quajti instrumental në izolimin e regjimit të Asadit.
I miratuar më 17 qershor 2020, ligji vendos sanksione ndaj individëve dhe subjekteve që mbështesin regjimin sirian dhe aleatët e tij, përfshirë Rusinë dhe Iranin.
Duke reflektuar mbi ndërveprimet e tij me Cezarin, Mustafa tregoi një moment emocional që ata përjetuan në ditën kur regjimi i Asadit ra. “Fola me Cezarin në ditën kur u përmbys regjimi i Asadit. Të dytë qamë”, tha ai.
Ai shprehu besimin se Cezari një ditë do të zbulojë identitetin e tij, duke thënë: “Në një moment, Cezari do t’i tregojë botës fytyrën e tij dhe të gjithë do ta njohin këtë hero”.
– Tmerret e burgut Sednaya
Mustafa përshkroi kushtet e rënda në burgun Sednaya, ku shumica e qelive ndodhen nën tokë. Ai përmendi gjithashtu burgje të tjera nëntokësore të pazbuluara, të cilat grupi i punës po punon për t’i identifikuar.
Ai shtjelloi kushtet çnjerëzore në Sednaya, ku të burgosurit ishin grumbulluar në dhoma të mbipopulluara, shpesh të detyruar të qëndrojnë në këmbë për shkak të mungesës së hapësirës. Pa dritë, ajrim, kanalizime apo ushqim të mjaftueshëm, mjedisi ishte i patolerueshëm. “Shkon një herë në tualet dhe gjatë rrugës të rrahin. Ndonjëherë, njerëzit që shkojnë në tualet nuk kthehen të gjallë ose lëndohen tmerrësisht. Është vërtet e frikshme”, tha ai.
– “Kishte zemërim të madh, por asnjë veprim”
Fotografitë e Cezarit ofrojnë dëshmi të tmerrshme të këtyre kushteve, duke treguar trupa të dobësuar të atyre që kanë vdekur nga uria, lëndime që tregojnë goditje elektrike dhe djegie me acid, dhe metoda të tjera torture brutale. Fëmijë dhe të moshuar janë mes viktimave, gjë që flet për mizorinë pa kriter të regjimit.
Të zbuluara për herë të parë nga Anadolu në vitin 2014, 55.000 fotografitë e shkrepura nga Cezari shkaktuan zemërim ndërkombëtar, duke ekspozuar përdorimin sistematik të regjimit të Asadit të torturës, urisë dhe ekzekutimit.
Duke reflektuar mbi reagimin global, Mustafa shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e veprimeve. “Kishte zemërim të madh, por absolutisht asnjë veprim, dhe komuniteti ndërkombëtar e ka turpëruar veten, një turp që ata të gjithë do ta çojnë në varr për shkak të mosveprimit”, tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu organizata të tilla si Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për dështimin për të ndjekur penalisht përgjegjësit për krimet e regjimit.
“GJPN-ja as nuk lëshoi urdhër arresti dhe nuk hapi një çështje. Por tani, në dashtë Zoti, ne do të kemi një gjykatë në Damask dhe do t’i mbajmë përgjegjës këta kriminelë lufte, përfshirë Bashar al-Asadin, që urdhëruan dhe torturuan këta të burgosur”, tha ai.
– Sednaya, qendra e torturës e regjimit të Asadit
Raportet nga organizatat ndërkombëtare e përshkruajnë Burgun Ushtarak Sednaya, që ndodhet 30 kilometra nga Damasku, si një qendër mizorish sistematike që nga fillimi i kryengritjes në mars të vitit 2011.
Fillimisht i përdorur për të arrestuar protestuesit paqësorë, Sednaya u bë e njohur për mbajtjen e mijëra kundërshtarëve të regjimit në kushte degraduese.
Sipas këtyre raporteve, të burgosurit iu nënshtruan torturave të pamëshirshme, urisë dhe privimit të qëllimshëm nga nevojat themelore, duke përfshirë ujin, ilaçet dhe kujdesin mjekësor.
Natyra sistematike e këtyre abuzimeve nxjerr në pah përpjekjet e kalkuluara të regjimit për të heshtur kundërshtarët dhe për të shtypur opozitën.
Me rihapjen e Dosjeve “Cezar”, vëmendja përsëri po drejtohet drejt krimeve të regjimit të Asadit, duke ofruar një fije shprese për drejtësi dhe përgjegjësi për viktimat.