Ballina Lajmet Kosovë Dosja e Shefave VI: Ilhami Gashi, zbatuesi i skemës së Adem Grabovcit

Dosja e Shefave VI: Ilhami Gashi, zbatuesi i skemës së Adem Grabovcit

Në shumicën e paneleve për zgjedhjen e anëtarëve të Bordeve të kompanive publike, agjencive të pavarura dhe institucioneve tjera, Adem Grabovci e delegon Ilhami Gashin. Gashi është i gatshëm të çojë përpara procese edhe atëherë kur Ambasada Amerikane është kundër. Por, paraprakisht i duhet bekimi i Hashim Thaçit. Insajderi sjell tri biseda telefonike në pjesën e parë të aktiviteteve të Ilhami Gashit.

Ilhami Gashi e kishte në tavolinë kontratën e bashkëshortes së Adem Grabovcit.

Të hënën do ta nënshkruante.

Me këtë akt formal, Adem Grabovci do të merrte “nota pozitive” tek gruaja, e cila do të zinte një pozitë të lartë në kompaninë publike “Ibër-Lepenci”, që drejtohej nga Hajdar Beqa, një mik i ngushtë dhe bashkëpartiak i Grabovcit.

Pas kryerjes së këtij amaneti, Ilhami Gashin, anëtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e prisnin detyra të reja.

Do të shkonte tek drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni së bashku me Adem Grabovcin për të futur njerëz tjerë në këtë institucion të rendit dhe sigurisë.

Kjo nuk ishte e tëra.

Gashi ishte vendosur në krye të paneleve për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të KEK-ut, PTK-së, Agjencisë për Produkte Medicionale, e shumë agjenci e institucione tjera.

Gashi do të zgjidhte për drejtor të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Blerim Camajn, ani se ishte shumë i dobët në menaxhim dhe intervistë. Por, për të ecur përpara i duhej bekimi i Hashim Thaçit, aso kohe lider i PDK-së dhe kryeministër.

Camaj, i cili ishte suspenduar me vendim të ish-ministrit, Bajram Rexhepi për skandalin e pasaportave, është nip i Xhavit Halitit, nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Përveç kësaj, ai do t’i kryente punë Grabovcit duke ia ndihmuar djalin e axhës dhe disa të afërm tjerë.

Gjithë ky aktivitet i Gashit, dëshmohet nga një seri përgjimesh telefonike, tri prej të cilave Insajderi i sjell të plota në pjesën e parë që dëshmon për aktivitetet e tij.

“… bashkëshortes tande t’hanën, ka me ja kry amanetin”, e informon Gashi, Grabovcin në një bisedë telefonike.

“T’hanën me ja kry amanetin? Bravo”, e përgëzon Grabovci.

“Po, e kom, e kom n’tavolinë kontratën, veç u mbet me nënshkru t’hanën… T’hanën, kam me ia nënshkru… Kshtu që një lajm i mirë, se edhe ti ma merr menja, merr nota pozitive te ajo”, vazhdon Ilhami Gashi, teksa Grabovci thotë se pa dyshim se po.

Gashi do të shtynte përpara edhe një emërim të lartë në institucione, ani se një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga Ambasada Amerikane.

“O kfalifiku edhe intervista është, të ejten”, thotë ai pa përmendur emrin dhe pozitën, apo insitucionin.

“E kshtu që Zyrën Amerikane, boll e kom dertin me ma hjek, po me Fitimin e kem shty, edhe Zyrën Amerikane opet duhna me çu, po se di tanaj ti çka bon mas neve”, thotë Gashi.

“Okej, okej”, përgjigjet Grabovci.

Gashi i tregon se është me Fitim Krasniqin, sekretarin e Zyrës së Kryeministrit, me të cilin po i shtynë proceset përpara. Grabovci ia jep gjithë përkrahjen për këtë.

Ilhami Gashi e informon po ashtu për aktivitetet tjera.

“Mirë çdo gja është, vetëm jom jom, tanaj n’panel edhe për bordin e PTK-së edhe t’KEK-ut e s’di çka, tanaj opet duhet me bisedu”, raporton ai.

“Po duhet atëherë edhe për ato”, thotë Grabovci.

“Eee… tash duhna me kqyr edhe m’u taku, se duhet me shiqu edhe për Policinë, tanaj edhe aty mi kqyr do emra e do sene”, vazhdon Gashi.

“Ani, ani merri, merri edhe i kqyrum… Edhe me Shpendin e me kon t’ka nevojë…”, i thotë Grabovci.

“Edhe.., shkojmë, bashkë te Shpendi loçkë”, i thotë Gashi, për të marrë konfirmimin prej Grabovcit se kështu do të ndodh.

“Edhe… duhet, duhet, përkrahja jote se je me autoritet pasha zotin”, ndërhyn Gashi.

“Okej, okej shoqi”, rikonfirmon Grabovci.

Në një bisedë tjetër Gashi i raporton Grabovcit për aktivitete tjera. Ata nisin bisedën në gjuhën italiane.

“Duhet nja dy dosta, mas pari t’falenderoj shumë… Se t’kom thirrë s’di sa herë me t’falenderu, për ata që e ke kry… tamon burrnisht, po”, thotë Grabovci.

“A, jo mor, s’u bo ajo kurgjo”, thotë Gashi.

Grabovci vazhdon bisedën duke folur për djemtë e axhës së tij dhe vëllain e një doktori.

“Po kshtu, për ata djemtë, djalin e mixhës edhe ket’ vllaun e doktorit… Kur me ju than me t’i pru dokumentat, nesër a… ? Se me kta tani na duhet me udhtu toni bashkë atje, që patum bisedu me Fantinellin për Fabrikë”, thotë Grabovci.

Ata e lënë një takim për të martën për të biseduar për këto çështje.

Në një bisedë tjetër telefonike, Grabovci e pyet Gashin se ku kanë shkuar procedurat për Afrim Dautin nga Klina.

“Po, m’doket qysh ke thanë ti qashtu e kem lon… Veç nuk u shpall, n’gazetë zyrtare se u kry”, thotë Gashi.

“Hajde shpalle, qashtu bravo, hajde, hajde nesër, gjoni kohë e na qet ni drekë”, ia kthen Grabovci.

Insajderi ka kontaktuar Ilhami Gashin lidhur me këto përgjime. Gashi ka refuzuar të flas për këtë çështje. Krejt cka ka thënë është se që nga viti 2013 nuk është pjesë e politikës.

Exit mobile version