Dosja e Shefave V: Përplasja Buja – Grabovci për një pozitë të lartë shtetërore

Interesat për të sistemuar njerëzit e tyre në një pozitë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, kishte rezultuar me një përplasje me fyerje në mes të dy krerëve të lartë të PDK-së, Adem Grabovcit dhe Ramë Bujës. Buja e kishte ndarë pozitën për Fatmir Arifin të cilin e kishte sjell nga Amerika, derisa Grabovci donte që në këtë pozitë të sistemohej, Ramadan Gashi, ish-kryetar i Komunës së Skenderajt. Insajderi sjell dy përgjime telefonike që dëshmojnë një gjë të tillë.

Adem Grabovci e Ramë Buja ishin përplasur për një pozitë të lartë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Buja, atëkohë ministër i Arsimit e kishte shpallur një konkurs formal për mikun e tij, Fatmir Arifi, derisa Grabovci, shef i Grupit Parlamentar në PDK, donte që në këtë pozitë të vendosej, Ramadan Gashi, ish – kryetar i Komunës së Skenderajt.

Kjo përplasje për interesa të dy krerëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës dëshmohet nga dy përgjime telefonike të kryera në nëntor të vitit 2011, të cilat i sjell Insajderi në kuadër të hulumtimit “Dosja e Shefave”.

“Adem… po ta them mënyrën ma të qetë të mundshme, pa hiç hajgare, unë e lëshoj venin, ja lëshoj Ramdan Gashit, po mu bo poçaver, e me lujtë koqe, nuk ka mundësi me ndodhë”, i thotë Buja Grabovcit në një telefonatë të shkurtër.

“Osht ni problem. Dy herë është shpall konkursi, tash ma çojnë si kontrabandë…, e kom lut njerin, e kom kthy prej Amerikës, për me, edhe kjo punë po ta them shumë qetë, shumë arsyeshëm, Ramadan Gashi bahet Ministër i Arsimit Shkencës edhe Teknologjisë dhe punë e kryme është”, vazhdon ish-ministri i Arsimit.

“As ni idhnim unë shkoj te shpija…”.

Grabovci, i përgjigjet se për të është e vdekur ajo punë, pa sqaruar se çfarë do të thotë kjo. “O, dosti, dosti jem. Shiqo, për me mu jo… absolutisht, unë absolutisht, absolutisht, për mu është e dekne ajo punë edhe as me ty as me ata. Çka t’doni boni ju dy. Unë nuk ju përzina, ajo punë e juja”, ia kthen Grabovci.

Agjencia e Kosovës për Akreditim është institucion i pavarur që kontrollin cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë. Kjo Agjenci, akrediton universitetet dhe kolegjet private e ato publike.

Krerë të kësaj agjencie janë duke u përballur me akuza për korrupsion. Dy prej tyre janë duke u gjykuar.

Asnjëri prej protagonistëve të kësaj bisede nuk kanë pranuar të flasin për Insajderin.

Një bisedë para kësaj përplasjeje, Buja e Grabovci kishin diskutuar për këtë pozitë si dhe për Fatmir Arifin e Ramadan Gashin.

Grabovci i telefonon Bujës për ta pyetur nëse e ka dërguar dike në Agjencinë e Akreditimit. Buja thotë se në këtë pozitë e ka dërguar Fatmir Arifin.

Mirëpo, Grabovci i thotë se Ramadan Gashi është dashur ta sistemojë aty.

“Ëëë, Ramadanin u duft”, ndërhyn shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Po… ku Ramadanin? Po hajgare, je tu bo? Qe dy herë u shty konkursi, e u rishty e tjera, tjera…”, thotë Ramë Buja.

Grabovci e pyet ministrin e Arsimit se a ka konkurruar Gashin. Buja thotë se nuk e di nëse ka hyrë në këtë konkurs formal.

“Ku e di unë a ka kunkuru o burri botës. Mu m’kanë thanë pardje, kur ajo u vendos para katër javësh, o Adem”, sqaron Buja.

“Kështu që… m’kanë thanë tepër vonë. Unë kom lyp liri, kom lyp liri, me gjet njeri që duhet…, tash bon hajgare. Është vonë tash. Kqyr diku tjetër për Ramadanin… o kry ajo punë tash”, ngulmon Buja.

Betejen e kishte fituar Ramë Buja, pasiqë njeriu i tij ishte sistemuar në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.