Ballina Lajmet Dosja e Prokurorisë së Shqipërisë zbardh detajet që implikojnë Tahirin në dy...

Dosja e Prokurorisë së Shqipërisë zbardh detajet që implikojnë Tahirin në dy vepra të rënda penale

Lapsi.al siguron dosjen e plotë të Prokurorisë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ku flitet për implikimin e tij në trafikun e drogës. Pjesa publike e kësaj dosje i është vënë në dispozicion gjithashtu edhe Kuvendit të Shqipërisë, të cilit i kërkohet dhënia e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Saimir Tahiri. Ndërkohë, në këtë dosje ka edhe plot materiale të tjera të konsideruara ‘top sekret’, materiale që Prokuroria nuk i ka bërë publike.

Siç është raportuar më herët, mbrëmë kanë mbërritur nga Italia dokumente sekrete, që kanë bindur Prokurorinë shqiptare për të kërkuar arrestimin e Tahirit. Italianët e kanë ish-ministrin në dosjen e përgjimeve të grupit kriminal të vëllezërve Habilaj.

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se procedimi penal ndaj Saimir Tahirit, nisi mbi bazën e informacioneve të bëra publike, ndërsa akuzat ndaj tij janë dy:

Veprat penale:

1. “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal

2. “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’’,

Sipas organit të akuzës, pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Artan Habilaj, Armand Kocerri etj.

Prokuroria thotë se procedimet penale të nisura më parë ndaj këtyre shtetasve, i ka bashkuar në një dosje të vetme, ku është i përfshirë edhe ish-ministri, Saimir Tahiri.

“Nga hetimet rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë të cilët ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipërisë ka arritur të trafikojë për jashtë shtetit me destinacion Italinë sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera është arritur të zbulohet se personi në hetim Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të policisë së shtetit ku si person i dyshuar është dhe ish Ministri i Brendshëm, personi në hetim Saimir Tahiri”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Më tej theksohet se ish-ministri i Brendshëm siguronte paprekshmërinë e grupit të strukturuar kriminal.

“E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit kriminal me strukturat e policisë së shtetit, ku përfitimet direkte monetare shkonin tek ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri”, thotë Prokuroria.

Duke iu referuar autoriteteve italine, Prokuroria thotë se 3.5 ton kanabis dyshohet se është trafikuar drejt Italisë pikërisht nga ky grup kriminal. Edhe sasia prej 3.9 tonësh e kapur mbrëmë në fshatin Babicë, në shtëpinë e shtetasit Armand Koçerri, dyshohet se i përket këtij grupi, pasi ky shtetas thotë Prokuroria, është bashkëpunëtor i ngushtë i Moisi dhe Florjan Habilaj.

Këtë të fundit, thotë Prokuroria, në komunikimet telefonike që kanë zhvilluar me njëri-tjetrin dhe bisedat ambientale që dalin nga përgjimet, tregojnë për shpërblimet që i kanë dhënë Saimir Tahirit për t’i garantuar paprekshmërinë.

Pjesë e dosjes së Prokurorisë është edhe çështja e shitjes së ‘Audit’ të Saimir Tahirit.

“Subjekti në hetim Saimir Tahiri me datë 05.11.2013 ka realizuar shitjen e automjetit me targa AA003GB, tek personi në hetim Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj. – Me datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA003GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013. Në këto udhëtime rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qënë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj. Nisur nga sa më sipër, në kushtet e sekuestrimit të lëndës narkotike, dhënies së shpërblimeve nga grupi kriminal funksionarëve të lartë zyrtarë, mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me ish Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova për ekzistencën e veprimtarisë kriminale dhe përfshirjes në këtë veprimtari të të dyshuarit Saimir Tahiri” (sic.), thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dokumentin e firmosur nga prokurori Besim Hajdarmataj, thuhet gjithashtu se është e domosdoshme që në kuadër të ushtrimit të ndjekjes penale, dhe kur shihet e nevojshme që ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg, ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi.

Këto informacione janë vetëm pjesë e dosjes publike të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por burime të Lapsi.al thonë se ka ende informacione të klasifikuara si ‘sekret hetimor’, që nuk janë publikuar.

Exit mobile version