Dorëzohet Pacolli, Lista Serbe e mori Ministrinë e Bujqësisë

Pas disa orë negociatash është arritur marrëveshja në mes koalicionit PAN-AKR me Listën Serbe, sipas së cilës AKR ka hequr dorë nga drejtimi i Ministrisë së Bujqësisë, e cila do t’i takojë Listës Serbe.

Burime të Telegrafit brenda takimit të drejtuesve të katër partive kryesore të koalicionit PAN-AKR, kanë arritur marrëveshje me Listën Serbe, e cila ka insistuar që të marrë Ministrinë e Bujqësisë.

Pas disa orë negociatash lideri i AKR-së është bindur të heq dorë nga Ministria e Bujqësisë, të cilën e kishte fituar gjatë marrëveshjes me koalicionin PAN, raporton Telegrafi.

Merret vesh se NISMA dhe AKR gjithashtu kanë hequr dorë edhe nga një zëvendësministër, të cilët do t’u takojnë minoriteteve.

Në ndërkohë, në zyrën e Presidentit të vendit është duke u zhvilluar një takim mes krerëve të PAN-it dhe vetë presidentit Hashim Thaçi ku po diskutohet lidhur me datën e mundshme të caktimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.