Dorëzohet në Polici pronari i kompanisë që dyshohet se keqpërdori 2 milionë euro

Është vetëdorëzuar në polici, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit.

Gjatë ditës së sotme është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, kompani kjo e cila ishte e përfshirë në skandalin e dy milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë për lajmi.net, se aktualisht Shala është duke u intervistuar dhe se të gjitha veprimet e mëtejme të policisë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë.

“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë, do ti ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetentë”, ka thënë Kelani për lajmi.net.Theksojmë se, transferi i mbi dy milionë eurove kishte ndodhur më 9 tetor të këtij vitit, përderisa më 20 tetor, Policia e Kosovës në orët e mbrëmjes pas hetimeve të zhvilluara kishte arritur që ta arrestojë, Labinot Grudën, i cili ishte punonjës i Thesarit të Shtetit, shkruan lajmi.net.

“Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, ditën kur ishte arrestuar Gruda.Po ashtu vlen të theksohet se të shtunën Policia e Kosovës kishte konfiskuar edhe tre vetura të familjes Shala në Llapushnik.