Ballina Video Ligjërata Donu t’ua mësoni fëmijëve jetën e Profetit a.s? Ja 10 këshilla…

Donu t’ua mësoni fëmijëve jetën e Profetit a.s? Ja 10 këshilla…

Diskutimi mbi jetën e Profetit a.s dhe ndjekja e hapave të tij duhet të jetë praktikë e përditshme për familjet muslimane.

Ne e duam, e respektojmë dhe i bindemi Profetit a.s si qenia që u zgjodh nga Allahu për të përkryer fenë islame.

Këto janë 10 hapa që mund t’i aplikoni vazhdimisht në mënyrë që fëmijët tuaj të mësojnë mbi Profetin a.s dhe ta duan atë.

Për ata fëmijë që kanë nisur shkollën, këto hapa mund të ndihmojnë në plotësimin dhe pasurimin e edukimit të tyre, duke e ushqyer familjen dhe e shndërruar atë në një njësi kohezive që dashuron dhe urren për hir të Allahut.

Një punë të mirë në ditë

Iniciativa “një punë të mirë në ditë” është mënyrë e mirë për të imituar Profetin a.s, përderisa ai i nxiste besimtarët të kryenin punë të mira, edhe nëse ishin të vogla, si për shembull buzëqeshja ndaj vëllait apo motrës së tyre.

Të menduarit e ndërgjegjshëm për një punë të mirë çdo ditë forcon vetëdijen dhe dashurinë për jetën e Profetit a.s, përderisa edhe në Kur’an përsëritet vazhdimisht se ne duhet të ndjekim rrugën dhe sjelljen e Muhamedit a.s.

Duke i nxitur fëmijët të mendojnë çdo ditë për një punë të mirë ndikojmë që dashuria e tyre për Të Dërguarin e Allahut të shtohet, ndërkohë që i përmbahen mësimeve të bazuara në traditën profetike. Sigurisht, duhet pak krijimtari për të menduar punë të mira të ndryshme, si për shembull ndihma e ofruar një fqinji të moshuar për të pastruar kopshtin e tij. Nëse një punë në ditë shndërrohet në sipërmarrje të lehtë dhe të natyrshme, ekziston mundësia e përmirësimit duke kaluar në “dy punë të mira në ditë”, dhe kështu në vijim.

Historitë nga jeta e Profetit përpara gjumit

Historitë e treguara përpara gjumit janë ligj në familjet e shëndosha. Në vend se të lexoni përralla apo legjenda, zëvendësojini historitë përpara gjumit me histori nga jeta e Profetit a.s.

Leximi i historive të Profetit a.s përpara gjumit, i mundëson fëmijëve të përthithin mesazhin e Profetit a.s, pas një dite të ngarkuar dhe të lodhshme.

Udhëtoni dhe njihni botën

Profeti a.s ka folur gjerësisht mbi diversitetin e jashtëzakonshëm të kësaj bote, dhe sesi duhet ta kërkojmë dijen, qoftë ajo edhe në Kinë. Sigurisht që atje tej gjendet një botë e madhe dhe e larmishme, me plot gjëra për të mësuar.

Krijoni itinerarin tuaj dhe vendosni ku doni të shkoni, ndoshta duke planifikuar një udhëtim për çdo muaj. Me ndihmën e një globi, atlasi, enciklopedive dhe internetit, bëni kërkime mbi komunitetet që do të vizitoni, mbi kulturën dhe traditat e tyre.

Mësoni mbi përbërjen e tyre etnike, gjuhët dhe folklorin e tyre. Mësoni mbi gjeografinë dhe zhvillimin e tyre ekonomik. Mësoni mbi xhamitë e tyre nëse janë muslimanë, ose mbi besimet dhe ceremonitë e tyre nëse nuk janë të tillë.

Të kuptuarit se bota përbëhet nga raca të ndryshme njerëzore ushqen ndjenjën e modestisë dhe vlerësimit për të tjerët, por po ashtu edhe për veten.

 

 

Jini avokatë të së gjelbrës

Profeti Muhamed a.s e donte tokën, derisa e përshkruante si xhaminë më të madhe nga ku mund të adhurojmë Allahun. Ai inkurajonte mbjelljen e pemëve dhe butësinë ndaj kafshëve. Atij i pëlqente sporti dhe të kalonte kohë në natyrë, duke kundruar dhe medituar mbi bukurinë e krijimit të Allahut në këtë vendqëndrim të përkohshëm.

Prandaj, nxirrini fëmijët tuaj në natyrë që të harmonizohen me natyrën. Lërini të kundrojnë lulet dhe insektet.

Krijoni një kopsht organik. Ushtroni aktivitete sportive me familjen. Nëse fëmijët tuaj janë mjaftueshëm të rritur, angazhojini në rrjetet e aktivistëve të gjelbër që të ndihen pjesë e diçkaje më të madhe.

Nxitini të marrim pjesë në iniciativat e pastrimit të lagjes, apo të tjera iniciativa të ngjashme. Gjithçka që mund të bëjnë do t’i afrojë më shumë me Profetin a.s, që do ta kishte mbështetur çdo ditë “Ditën e Tokës”.

Shërbeni në jetimore

Lidhja me një jetimore për të ndihmuar në rritjen dhe edukimin e jetimëve është një mënyrë madhështore për të ndjekur Profetin a.s, që ishte vetë jetim. Profeti Muhamed ka shpallur dashurinë dhe miqësinë e tij me një njeri që përkëdhel kokën e një jetimi.

Përfshirja në programet e miqësimit me jetimët i mëson fëmijëve tanë të jenë mirënjohës dhe modestë. Kjo na ndihmon të edukojmë fëmijë të dhembshur që japin për bamirësi dhe vlerësojnë gjithçka që kanë.

Fëmijët më të mëdhenj në moshë mund të organizojnë fushata për mbledhje fondesh ose të japin mësime dhe trajnime në klasat e jetimëve. Më të vegjlit mund të mbledhin donacione ose të marrin pjesë në udhëtime edukative të organizuara nga prindërit e tyre në bashkëpunim me kujdestarët e jetimores.

 

Shkruajini një letër një personi të dashur

Ruajtja e lidhjeve dhe komunikimit me farefisin dhe të njohurit është pjesë e traditës së Profetit a.s. Profeti Muhamed inkurajonte ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve me miqtë dhe familjarët në çdo kohë, me synimin për të ndërtuar një komunitet të shëndetshëm.

Ndihmojini fëmijët të shkruajnë letra apo kartolina për njerëzit e dashur që gjenden larg. Përveç të tjerash, kjo i ndihmon ata të shprehen përmes shkrimit.

Lexoni një sure dhe studioni tefsirin (komentin e Kur’anit)

Mënyra më e mirë dhe më e qartë për të përkujtuar jetën e Profetit a.s është leximi i Kur’anit. Leximi i Kur’ani shoqërohet me shumë mirësi dhe shpërblime, të cilat shtohen akoma më shumë nëse kuptohet mesazhi që gjendet në çdo sure, përmes komentit (interpretimit) të tyre.

 

Mësojuni fëmijëve tuaj një sure të re dhe studioni tefsirin. Kjo sigurisht që do t’i afrojë fëmijët tanë më shumë me mëshirën dhe dhembshurinë e Profetit a.s dhe dashurinë ndaj Allahut.

 

Bëni vazhdimisht lutje

Profeti a.s bënte dua për çdo gjë dhe në çdo situatë. Ka një listë të detajuar me lutje që muslimani mund t’i bëjë gjatë çdo dite të jetës së tij.

Sidoqoftë, duatë apo lutjet, nuk janë të kufizuara në këtë listë. Muslimanët, njësoj si Profeti a.s mund t’i drejtohen Allahut në çdo kohë. Me vullnetin e Allahut, lutjet na drejtojnë në udhën e drejtë dhe na mbrojnë nga e keqja.

Njihuni dhe takohuni me miqtë në xhami

Dërgojini fëmijët tuaj në xhami që të njihen me miqtë dhe vëllezërit muslimanë. Në kohën e Profetit, xhamia ishte vendtakim dhe qendër sociale, prandaj është e rëndësishme që vizita e xhamisë të shndërrohet në një normë sociale.

Përveç faljes dhe ndjekjes së mësimeve islame, nxitini fëmijët tuaj të marrim në xhami librat apo projektet e tyre shkollore.

Sa më shumë që fëmijët të shijojnë qëndrimin në xhami, aq më shumë do të lidhen me të, si një vend ku kthehen për të gjetur prehje dhe qetësi, për të ushqyer dashurinë e tyre për një jetë të shëndetshme sociale, njësoj si në epokën kur jetoi Profeti a.s.

Shijoni ëmbëlsinë e hurmave arabe

Së fundmi, një nga mënyrat për të forcuar dashurinë ndaj Profetit a.s është të ushqehemi me hurma. Dobitë shëndetësore të përdorimit të hurmave janë të shumta. Fëmijët që ushqehen me hurma janë më të qetë dhe të dashur. Për ta bërë këtë sa më interesante, bëni ëmbëlsira të bazuara në receta që përfshijnë edhe hurmat.

Gjithashtu, mos harroni të dërgoni vazhdimisht lutje dhe përshëndetje (salavate) mbi Profetin a.s, duke iu lutur Allahut që vendbanimi juaj në Xhenet (parajsë) të jetë sa më pranë tij.

Burimi: aboutislam.net

Exit mobile version