Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Donald Trump do e ndërtojë murin në kufi me Meksikën

Donald Trump do e ndërtojë murin në kufi me Meksikën

Donald Trump nuk po i lë më shpresë atyre që menduan se kur të bëhej President, do ta anashkalonte vënien në jetë të disa prej zotimeve më polemizuese të fushatës së tij presidenciale.

Pas firmosjes së vendimit që i hap rrugën përmbysjes së “Obamacare”, daljes nga partneriteti i trans-paqësorit dhe nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv për dy naftësjellës që rrezikojnë ndotjen e mjedisit, Presidenti i ri amerikan i rikthehet një lëvizjeje të shumëkritikuar: ngritjes së murit në kufi me Meksikën. Është planifikuar një ditë e madhe për sigurinë kombëtare, sipas Trump, dhe ajo do të përfshijë veprimin ekzekutiv që kanalizon burime federale drejt ndërtimit të murit.

Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë nuk do të mjaftohet me kaq, por do të njoftojë një sërë masash të lidhura me emigracionin, të cilat do të prekin edhe vizat. Plani i tij është të nënshkruajë dy urdhra ekzekutivë gjatë vizitës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. I pari, ai që udhëzon ngritjen e murit, mandaton gjithashtu shtimin e personelit të mbrojtjes kufitare dhe doganore me 5 000 punonjës.

Departamentit do t’i kërkohet po kështu të japë publikisht detaje mbi ndihmën që i shkon aktualisht Meksikës, tregues ky se një pjesë e këtyre parave mund të devijohen tek ngritja e murit, çka do të thotë se në këtë mënyrë do të përmbushet dhe premtimi i hershëm i Trumpit që në një mënyrë apo një tjetër, për murin do të paguajë vetë Meksika.

Ndër urdhrat që do të lëshojë në vijim Presidenti amerikan mbi sigurinë e kufijve është edhe “verifikimi ekstrem” i njerëzve që udhëtojnë drejt SHBA-së nga Siria dhe gjashtë vende të tjera me shumicë myslimane në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, gjë që do të kufizojë edhe hyrjen e refugjatëve.

Exit mobile version