Donald Trump është betuar si president i Shteteve të Bashkuara përpara 900 mijë të pranishëmve në Capitol Hill. “Do të kryej me besnikëri detyrën e presidentit të SHBA. Do të bëj më të mirën për të mbrojtur Kushtetutën e SHBA. Ndaj, Zot më ndihmo!”, ka pohuar Trump.
Më pas Trump ka mbajtur fjalimin tradicional të kreut të shtetit, ku ka ripërsëritur qëndrimet e shprehura gjatë fushatës elektorale, që shkaktuan aq shumë polemika.
“Ne, qytetarët e Amerikës jemi bashkuar në një përpjekje kombëtare për të rindërtuar vendin tonë. Jemi këtu për të plotësuar premtimet që u kemi bërë amerikanëve. Ne jemi një komb dhe ëndrrat e qytetarëve janë ëndrrat tona dhe suksesi i tyre do të jetë suksesi ynë. Betimi që unë bëra sot është një betim për besnikëri ndaj amerikanëve për shumë dekada. Ne kemi mbështetur industrinë e huaj në kurriz të asaj amerikane, kemi ndihmuar ushtritë e huaja në kurriz të ushtrisë tonë, kemi mbrojtur kufijtë e të tjerëve në kurriz të kufijve tanë. Kemi bërë të pasura vendet e tjera, ndërsa fuqia e vendit tonë është zhdukur në horizont. Nga sot, Amerika do të jetë gjithmone e para. Çdo vendim për emigracionin dhe çështjet e huaja do të merret në të mirë të amerikanëve dhe ne do të mbrojmë vendin tonë nga ndërhyrjet e vendeve të tjera. Kjo do të na çojë drejt prosperitetit dhe një fuqie më të madhe. Nuk do t’ju zhgënjej asnjëherë. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish! Faleminderit! Zoti ju bekoftë juve dhe Amerikën!”, ka thënë Trump.
Të pranishëm në ceremoninë madhështore kanë qenë edhe presidentë të Shteteve të Bashkuara ndër vite si George W. Bush, Bill Clinton, etj. Nuk ka munguar as rivalja e tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton.
Trump e nisi ditën e tij më të rëndësishme me një vizitë në meshën e mbajtur orët e mëngjesit, e më pas me një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga presidenti në largim Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle.
Presidenti Trump dhe zv.presidenti Mike Pence marrin zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë për të drejtuar kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 4 vitet e ardhshme si presidenti i 45-të në historinë e vendit, pas ceremonisë së nisur nën prezantimin e shefit amerikan të Drejtësisë, John Roberts.
“Gjithçka nis sot!”, ishin fjalët e para të Trumpit të publikuara në “Twitter” në 7 e 30 të mëngjesit me orën lokale, e më pas i ftonte ndjekësit e tij të ritakoheshin më 11 në ceremoninë e betimit. “Lëvizja vazhdon, puna sapo nis tashmë”.
Vetëm pak metra larg Capitol Hill, aktivistë të maskuar marshuan përmes rrugëve dhe thyen xhamat e disa bizneseve dhe makinave nëpër rrugë, e pati edhe përleshje me policinë duke hedhur bomba molotov, me forcat e rendit që u përgjigjën me gaz lotsjellës e më pas me përdorimin e forcës.
Trump merr kështu pushtetin në një vend të përçarë pas një fushate elektorale tepër të ashpër. 70-vjeçari i njohur si manjat i pasurive të patundshme do të ketë përpara një detyrë të vështirë për të forcuar imazhin e tij. Gjatë fazës tepër sfiduese së tranzicionit, që prej fitores së zgjedhjeve në nëntor, miliarderi njujorkez shfrytëzoi “Twitter”-in për të sulmuar vazhdimisht kritikët e tij, aq sa njëri prej senatorëve republikanë, John McCain, i tha CNN-it se Trump duket se kërkon të përballet me çdo “mulli ere” që gjen përpara.
Ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, përveçse mirëpritet nga republikanët e lodhur nga 8 vitet e Barack Obamës në pushtet, ngre pikëpyetje për një sërë çështjesh për Amerikën.
Të pranishëm, mes shumë e shumë figurave të shquara të politikës amerikane ndër vite, ishte edhe rivalja e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, Hillary Clinton, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton.