Donald Trump betohet për mandatin e dytë, merr zyrtarisht detyrën si presidenti i 47-të i SHBA-së

Donald Trump u betua për një mandat të dytë, duke marrë zyrtarisht detyrën si presidenti i 47-të i SHBA-së, transmeton Anadolu.

“Unë, Donald John Trump, betohem solemnisht se do të ekzekutoj me besnikëri detyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe, me të gjitha aftësitë e mia, do të ruaj dhe do të mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump në ceremoninë brenda ndërtesës së Kongresit (Kapitol) të SHBA-së.

Pas inaugurimit, presidenti është planifikuar të largohet nga Kapitoli dhe të shkojë në Arenën e afërt “Capital One”, ku do t’u drejtohet mbështetësve të tij gjatë një mitingu që do të ketë gjithashtu një paradë presidenciale. Mbetet e paqartë se si parada, e cila normalisht do të zhvillohej nga Kapitoli deri në “Pensilvania Ave” dhe në Shtëpinë e Bardhë, do të realizohet brenda arenës.

Trump njoftoi të premten se ngjarjet e tij inauguruese do të zhvendosen brenda për shkak të temperaturave të ftohta në gjithë rajonin e kryeqytetit.

– Fjalimi i parë pas marrjes së detyrë

Në fjalën e tij të parë pas marrjes së detyrës, Trump tërhoqi vëmendjen për problemin e imigracionit të parregullt në vend dhe deklaroi se do të shpallë një emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë, si në vitin 2019, dhe do të parandalojë imigracionin e paligjshëm, duke i dëbuar ata që kanë hyrë ilegalisht.

Trump tha se do të lëshojë një urdhër ekzekutiv duke i dhënë fund asaj që Republikanët e përshkruajnë si “kap dhe liro”, praktikën e lirimit të imigrantëve në vend për të pritur çështjet gjyqësore.

Duke i përshkruar imigrantët e parregullt si “kriminelë” në fjalimin e tij, Trump vuri në dukje gjithashtu se do të dërgojë ushtarë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Trump, fjalimi i të cilit u ndërprit shpesh nga duartrokitjet e anëtarëve të partisë, tha: “Ne së shpejti do ta ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës në ‘Gjiri i Amerikës’”

“Zoti ma shpëtoi jetën për ta bërë Amerikën të madhe përsëri”, tha ai, duke iu referuar atentatit të dështuar gjatë një mitingu në qershor të vitit të kaluar.

Ai po ashtu përsëriti deklaratën e tij për rimarrjen e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë.

Ai theksoi gjithashtu se “tani e tutje, politika zyrtare e qeverisë së SHBA-së do të jetë e tillë që do të ketë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”.