Orientimin e caktuar të autorit e shohim qysh në shkrimin me titullin “Pavarësia kombëtare”. Këtu tema e atdheut e projektuar vrullshëm, si vizion i shpërthimit të çastit të lirisë dhe si pikësynim përmbajtësor i ardhshëm i Ibrahim Rugovës, konkretizohet në udhën e tij krijuese e intelektuale, e tashmë edhe në udhën e nisur e të rrahur me dije e urtësi në diplomacinë shqiptare.
Sali BASHOTA, Prishtinë
Libri i Ibrahim Rugovës, “Pavarësia dhe Demokracia”, ndër të tjera, sjell vizionin, orientimin dhe programin e çështjes sonë kombëtare e politike, vështruar nga pikëshikimi i një studiuesi, intelektuali dhe politikani të mirënjohur të popullit shqiptar.
Prandaj, në procesin e zhvillimit të publicistikës së sotme shqiptare, edhe pse në kohë okupimi klasik serb, librat e tillë ose të ngjashëm thonë shumë për ecjen tonë demokratike, për lirinë, pavarësinë dhe vetëvendosjen.
Libri “Pavarësia dhe Demokracia”, i Ibrahim Rugovës, i sajuar nga intervista dhe artikuj të ndryshëm, të botuar në opinionin e vendit dhe në atë botëror, është ndarë në tri kaptina kryesore: “Më shumë demokraci për Kosovën”, “Etiketat e hekurta dhe shpërthimi i revoltës” dhe “Të mos ketë më mure të Berlinit”.
Kësisoj, në të tri kaptinat analizohen dhe trajtohen ide dhe probleme kryesore, që kanë të bëjnë kryekëput me çështjen shqiptare në një periudhë të caktuar kohore, posaçërisht në dhjetëvjetshin e fundit. Në këtë mënyrë, Ibrahim Rugova ka arritur që, nëpërmjet intervistës, si formë e dialogut dhe e të menduarit të drejtpërdrejtë, vetëm brenda një periudhe të shkurtër ta krijojë opinionin e vet demokratik shqiptar, duke ua shpjeguar qetë dhe bindshëm të drejtën, të vërtetën, lirinë, demokracinë dhe pavarësinë.
Andaj, opinioni i tillë me traditë të lashtë historike e kombëtare fare mirë di ta çmojë rolin burimor dhe të pazëvendësueshëm të personaliteteve të mëdha kombëtare, të intelektualëve, që janë prijës dhe zëdhënës të popullit. Në këtë rrafsh të kompleksitetit aktual, vetëdija e lartë politike e autorit e sublimon orientimin dhe misionin e caktuar të masës përballë çastit historik. Për më tepër, në këtë libër shqyrtohen shumë teza e kundërteza, botëkuptime e zgjidhje në strategjinë politike kombëtare, si dhe jepen qasje të ndryshme prej nga mund të dilet nga situata absurde, paradoksale dhe tragjike.
Fillimisht, orientimin e caktuar të autorit e shohim qysh në shkrimin me titullin “Pavarësia kombëtare”. Këtu tema e atdheut e projektuar vrullshëm, si vizion i shpërthimit të çastit të lirisë dhe si pikësynim përmbajtësor i ardhshëm i Ibrahim Rugovës, konkretizohet në udhën e tij krijuese e intelektuale, e tashmë edhe në udhën e nisur e të rrahur me dije e urtësi në diplomacinë shqiptare.
Në kaptinën e parë të librit janë futur një varg intervistash të karakterit teoriko-letrar e estetik, sikundër edhe disa diskutime që i japin përgjigje dhe nxitje konkrete momentit ose çastit në të cilin ndodhemi. Në këtë fushëhetim të problematikës së shqyrtuar duhet dalluar shkrimet: “Liria konkrete” dhe “Strategjia negative”. Në të dyja diskutimet, autori me fakte dhe argumente i kritikon dhe, njëkohësisht, i hedh poshtë qëndrimet e verbra të publicistikës dhe të pseudohistorisë serbe.
Kështu, në diskutimin ndërmjet shkrimtarëve serbë e shqiptarë në vitin 1988, të titulluar tashti “Strategjia negative”, Ibrahim Rugova dëshmoi jo një herë qëndrimin e qartë, të saktë, të mprehtë dhe të guximshëm prej shkrimtari, intelektuali e qytetari në kërkimin e zgjidhjeve fundamentale të problemeve ekzistuese politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi.
Kaptina e dytë, e titulluar “Etiketat e hekurta dhe shpërthimi i revoltës”, e artikulon në mënyrë të sintetizuar mendimin shoqëror, politik, historik, kulturor, filozofik, estetik e të tjerë, të autorit të këtij libri, me ç’rast dominojnë më së shumti tekstet e orientimit politik (politikologjisë), në të cilat edhe sa herë bëhen përpjekje prometetike për ta ndriçuar udhën e pavarësisë dhe të demokracisë për popullin shqiptar në rrethanat e sotme qytetëruese europiane. Posaçërisht, këtu duhet përmendur formulimin e togfjalëshit etiketat e hekurta, që ka zënë një përdorim të madh në publicistikën e sotme shqiptare.
Analizat e dhëna këtu, para së gjithash, vënë në spikamë shembuj të shumtë të historisë dhe të aktualitetit tonë shoqëror e politik, ku afrohen ide, koncepte e zgjidhje paqësore, pohime dhe argumente të konkretizuara me dije, guxim dhe diplomaci politike. Kësisoj, individualiteti politik i Ibrahim Rugovës përafrohet në koncept dhe rezultat me metodën diplomatike të rilindësve, të asaj pjese që inkuadrohet drejtpërdrejt në zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Autori, duke e kultivuar dhe pasur njëkohësisht sensin e intelektualit dhe të shkrimtarit të afirmuar, me kohë ka arritur ta krijojë edhe atë të politikanit, me ç’rast në intervistat e tij jo rrallë nga pozicioni kritik kritikohet tepria e historisë deskriptive, në njërën anë, dhe vihet në spikamë mungesa e historisë politike dhe e historisë diplomatike shqiptare, që s’është zhvilluar deri në fund ose ka munguar në të kaluarën, në anën tjetër.
Në kaptinën e tretë të librit, të titulluar “Të mos ketë më mure të Berlinit”, përmes artikujve, intervistave dhe kumtesave, paraqitet dhe analizohet gjerësisht dhe thellësisht fati ynë kombëtar nën zgjedhën e huaj dhe merret në vështrim çështja jonë e përgjithshme e pazgjidhur kombëtare. Edhe në këtë tipologji shkrimesh, Ibrahim Rugova paraqet tipin e intelektualit më të shquar, që nga gjiri i vet i nxjerr populli martir dhe heroik në kohën e vlimeve të mëdha shoqërore e politike.
Në këtë mes duhet dalluar intervistat “Kosova do të jetë Republikë”, “Autonomia e Kosovës është çështje fundamentale”, “Të mësohemi të jetojmë me pluralizëm”, të cilat ndikuan pozitivisht në parapërgatitjen e opinionit shqiptar dhe në strategjinë e veprimit politik, që duhet afirmuar dhe ndjekur në të ardhmen.
Gjithashtu, librit ia shton vlerën, porosinë, rezultatin dhe e pasuron në një kontekst të ri politik e shoqëror, pikërisht në rrafshin e së drejtës dhe të vërtetës historike kombëtare, fragmenti i marrë nga “Enciklopedia britanike”, ku konfirmohet sa herë tjetër teza për permanencën absolute shqiptare mbi Kosovën dhe viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi.
Duhet thënë për fund se, së bashku me veprat e Rexhep Qosjes: “Populli i ndaluar” dhe “Mbi Çështjen shqiptare”, edhe libri i Ibrahim Rugovës “Pavarësia dhe Demokracia”, si të tillë, e vërtetojnë thënien e mirënjohur se intelektualët, e veçanërisht shkrimtarët e mëdhenj, janë zëri më burimor, sa i guximshëm, aq edhe i vetëdijesuar i një populli.
Fundja, me botime të tilla duhet të vazhdohet, posaçërisht në gjuhë të huaja. Kësisoj, ato mund të kenë ndikim të fortë dhe të madh përkrah së drejtës në opinionin dhe diplomacinë ndërkombëtare.