Nëse po kërkoni për një recetë shoqëruese, një shtesë delikate e të shijshme për gatimet tuaja, sapo keni gjetur të duhurën.
Domatet kanë vend në çdo recetë të kripur prandaj, edhe këto me siguri që do t’i përdorni.
Ndryshe nga sa i keni përdorur më parë dhe shumë të thjeshta në përgatitje, domatet e pjekura me djathë dhe erëza të freskëta janë një alternativë e shëndetshme dhe e shijshme për të kaluar vaktet.
Do ju duhen gjithsej 15 minuta për ta përgatitur këtë recetë dhe jo më shumë se 5 përbërës.
Ndiqni m ëposhtë këtë përgatitje të shpejtë dhe bëjeni edhe ju menjëherë në shtëpitë tuaja.
Përbërësit
4 domate mesatare
130 gr djathë kaçkavall
1 tufë borzilok
1 thelbi hudhër
Gjysmë luge çaji kripë
Piper i zi
Përgatitja
Si fillim AgroWeb ju këshillon të ndizni furrën në temperaturën 200 gradë C.
Më pas bëni gati një tavë të shturar me letër pjekje dhe veçmas prini domatet në feta të rrumbullakëta.
Prijini ato deri në 3-4 mm duke treguar kujdes që të jenë të plotë dhe të mos prishen gjatë këtij procesi.
Pasi t’i keni prerë vendosini të gjitha njëra pas tjetrës tek tava që përgatitët, duke i hedhur edhe pak kripë.
Ndërkohë në një enë shtoni djalthin kaçkavall të grirë, borzilokun e prerë hollë, hudhrës e grirë ose mund ta përdorni në formën e pluhurit dhe piperin e zi.
Përziejini të gjithë këta përbërës dhe me anë të një luge vendosini sipër secilës domate.
Bëni kujdes që miksi të mos shpërndahet në tavë, por ta vendosni vetëm sipër fetave të domateve tuaja.
Tanimë furra duhet të jetë e ngrohtë dhe mund t’i fusni të piqen për 10 minuta.
Nxirrni nga furra kur djathi të ketë shkrirë dhe domatet të jenë pjekur, por kujdes mos e teproni me kohën e pjekjes.
Shërbejini menjëherë dhe shijojini të ngrohta me pjata mishi, sallata apo bukë të thekur.