Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të Veriut, Valon Preteni ka deklaruar për tëvë1 se është urdhëruar të hapet rast i veprës penale, falsifikim i dokumenteve dhe është urdhëruar që të sekuestrohen si prova dokumentet të cilat janë hasur në vendin e ngjarjes.
Ndryshe, Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës ka asistuar sot zyrtarët komunal në lidhje me verifikimin e pronës së tyre në lagjen tek “Tre Rrokaqiejt”
Kështu e ka konfirmuar për tëvë1.info, zëvendësdrejtori për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani i cili ka thënë se policia ka biseduar me disa persona të cilët kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal.
Elshani po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka persona të arrestuar.
“Sot pak para orës 11:00, Policia ka asistuar zyrtarët komunal të Mitrovicës Veriore në lidhje me verifikimin e Pronës së tyre tek tre rrokaqiejt. Në momentin e hyrjes në këtë objekt (kati i parë i ndërtesës), Policia ka biseduar me disa persona të cilët na kanë treguar se aty janë punonjës të një institucioni që në pamje të parë duket të jetë ilegal. Pas verifikimit të disa dokumenteve ne e kemi njoftua Prokurorin e Mitrovicës dhe kemi hap rast për dyshimin Falsifikim të Dokumenteve. Punëtorët janë lejua me i marr gjërat personale dhe me u largu nga aty, ndërsa janë vendos edhe shiritat. Nuk ka persona të arrestuar, ndërsa policia do të verifikoj dokumentacionin që gjendet aty në detaje. Gjatë këtij veprimi policor, nuk ka pas ndonjë incident”, ka deklaruar Elshani.