Ballina Autorë Opinione Dokumente shqiptare mbi gje’noc’idin serbo-çetnik në krahinën e Bihorit

Dokumente shqiptare mbi gje’noc’idin serbo-çetnik në krahinën e Bihorit

Qerim Lita

Në orën 2 të mëngjesit të datës 5 janar të vitit 1943, mbi 5000 forca çetnike të Pavle Gjurishiqit, pa asnjë pengesë, futen në krahinën e Bihorit, edhe pse, siç u tha më lart, e njëjta ishte Zonë Neutrale, dhe si e tillë ishte nën mbrojtjen e ushtrisë italiane. Posa këta forca armiqësore futen në fshatrat e kësaj krahine, ato kryejnë krime të papara ndonjëherë mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare. Këtë ngjarje, sa të dhimbshme, po aq edhe trishtuese, më së miri e përshkruan intelektuali dhe veprimtari i shquar shqiptar, prof. Bajram Gashi.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Historiografia shqiptare, në dy dekadat e fundit, ka bërë përpjekje të dukshme në zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj., në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese jugosllave (çetnike e komuniste), siç është masakra e Tivarit, e Dubrovnikut, e Monopolit të Duhanit në Tetovë, e Bllacës së Shkupit, e shumë e shumë të tjera. Është e rëndësishme të vihet në pah se studiuesit shqiptarë, në punimet e tyre studimore (ndoshta me të drejtë), rëndësi më të madhe i kanë kushtuar periudhës shtator-dhjetor 1944, kur brigadat e shumta komuniste e çetnike jugosllave, pasi i ripushtuan viset shqiptare, vranë, masakruan, burgosën e torturuan mijëra civilë shqiptarë. Mirëpo, krimet sllave ndaj kombit shqiptar nuk mund të kufizohen vetëm në këtë periudhë të shkurtër kohore, sepse ato janë kryer në vijimësi (sa herë që u është dhënë mundësia), e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë.

Dëshmi për këtë që u tha më sipër është masakra e kryer mbi 53 fshatra shqiptare në Krahinën e Bihorit (zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane), me 5-6 janar të vitit 1943, nga ana e forcave çetnike serbo-malazeze, të udhëhequra nga krimineli i njohur çetnik, Pavle Gjurishiq, ku – siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare – brenda dy ditëve janë vrarë, therur e masakruar mbi 3.700 banorë shqiptarë, qindra të tjerë janë zanë robër (shumica gra e vajza të reja), ndërsa mbi 15.000 të tjerë janë detyruar t’i braktisin vatrat e tyre, për t’u vendosur në vende më të sigurta, si dhe është grabitur e tërë pasuria e tyre etj.

Është me interes të theksohet fakti se, sipas disa burimeve të pa konfirmuara, forcat çetnike të Pavle Gjurishiqit, para se ta kryenin sulmin në krahinën e Bihorit, ishin pajisur nga britanikët me armatim më modern për kohën dhe me veshmbathje. Kjo shihet në telegramin e Prefekturës së Pejës me nr. 325/8, dërguar më 31 dhjetor 1942 Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku thuhet:

“N/Prefektura e Plavës njofton se ka informata jo krejt të sigurta se me 18 k.m. n’orë të vona të natës 31 aeroplana Inglis kanë lëshue material lufte e veshë mbathje në malin Siniovina dy orë afër Kolloshinit të Malit zi. Thuhet se ky material asht marrë në dorëzim prej çetnikve të Pavle Gjurishiqit e në marrëveshje me Drazha Mihajlloviçin. Forcat e Çetnikve po shtohen dita ditës dhe pëshpëritet për nji msymje t’afërt të kufijve t’onë. Edhe N/Prefektura e Rozhajës njofton se Drazha Mihajlloviçi ka pas në këto ditë një bashkëfjalim me Pavle Gjirishiqin në Malin Zaton ku janë betua me luftue për Krajl Petrin e II-të. Komandanti i Batalionit të Ushtris Italiane të Bellopojës i ka njoftue Kryetarit e Vullnetarve të jenë gadi mbasi parashihet nji mësymje e afërt e Drazho Mihajlloviçit. Popullata shqiptare e krahinave buzë kufinit asht krejt e ligshtë në pikëpamje armatimesh prandaj shifet e nevojshme t’u epen armë e municione. Qeveria Mbretnore duhet ta dijë se kufini i ynë me Malin e Zi asht krejt i ligsht në rast të ndonji mësymje prandaj lutemi të merren në kohë masat e duhuna”.

Ashtu siç parashihej në telegramin e mësipërm, orën 2 të mëngjesit të datës 5 janar të vitit 1943, mbi 5000 forca çetnike të Pavle Gjurishiqit, pa asnjë pengesë, futen në krahinën e Bihorit, edhe pse, siç u tha më lart, e njëjta ishte Zonë Neutrale, dhe si e tillë ishte nën mbrojtjen e ushtrisë italiane. Posa këta forca armiqësore futen në fshatrat e kësaj krahine, ato kryejnë krime të papara ndonjëherë mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare. Këtë ngjarje, sa të dhimbshme, po aq edhe trishtuese, më së miri e përshkruan intelektuali dhe veprimtari i shquar shqiptar, prof. Bajram Gashi, në një vështrim të tij, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, të cilin në vazhdim po e paraqesim të plotë:

“Asht natë kallëndori. Qetësi e madhe. Bora bjen me fjoka shllungë. Disa të lehme qejsh thyejn qetsin e mortshme. Gjatë rrugës së Lumit potera shurdhuese e ndoj autokolone që i afrohet urës, zgjon interesin e shum kuej. Në këtë të ftoftë, kaq vonë, ku shkon kjo autokolon? Prap heshtje. Autokolona asht ndalë. Të lehmet e qejve bahen shurdhoje, tek tuk fillojnë me u – cijatë sikurse t’u bij kush. Çdo kush dyshon mos të jetë afrue ndoj hajn, e pra nga frëngjitë e kullave zani i burrave kah i ndërsejnë qejt. Terri i natë s’len të shifet gja jashtë, por nga lehja e qejve merret vesht se nuk asht puna e vetëm nji hajdutit. Ka dishka ma tepër. S’vonon e nji krizëm e madhe dridhë tokën. Zgjohen edhe fëmijt që gjumi i mesit të natës i përkëdhelte me andra të shijshme e të hidhta, lojna e përplasje ditet. Një bombë! Ç’do të jetë? Askush s’e merr me mend. Lehje dhe gërthitje e çejvet bahet bahet gjithnji ma kërcënues. Dy tri të shtima pushkësh dhe urdhëni i Komandës: Napred! Napred! (përpara, përpara) zblon misterin e natës së kobshme për at zonë abnore, për Bihorin e famshëm në blegtori.

Çetnikët! Çetnikët serb e malazez fillon me u shtua britma e grave e fëmijëve. Pushka kërcet në të katër anët. Topa e mitraloza iu përgjigjen të shtimeve të mbrojtësve. Qielli skuqet dhe re tymi ngrihen shllungë përpjetë.

Tmerri dhe paniku i ka kapë banorët. Ata dy, tre fishekë kush i pat i harxhoj, e tash s’mbetet tjetër veçse me iu çel shteg grave e fëmijve, që të pshtojnë kryet! Por kot. Çetnikët kanë vendosë mos me lanë krye shqiptari të gjallë n’at krahinë; prandaj kur fillojn me u vue zjarrin shpive, zanë derën dhe presin e vrasin cilindo që don me hikë vdekjes së zjarrmit. Britma e nanave kah shofin fëmijn tue u – përplasë në mes flakësh të qethë misht e shtatit. Lotët dhe mallkimi i burrave kah shofin të iu shndërrohen gra e vajza ndër sy, ban m’u dridh toka. Vikamet, afshet dhe përplasjet e nuseve që kërkojnë vdekjen por jo t’a lëshojnë nderin ndër duer të çetnikëve, kalojnë çdo kufi. Pushkë, bumbe e mitraloza dridhin tokën. Shpijat digjen njana mbas tjetrës. Kufomat shtohen orë e ças. Bajonetat pa pikë mëshiret ngulen ndër trupna si në kasaphane e përlyhen me gjak fëmijsh, pleqsh e plakash, që s’iu punojnë këmbët me i hikë kobit të zi. Tmeri dhe paniku i kësaj befasije ka humbë fillin çdo banori. Nëna s’e di ku i ka fëmijt. Baba s’e njef djalin e vet e nusja burrin. Se ç’kob i zi! Pushka, mitralozi s’prajnë. Gjamët e të plagosunëve kërkojnë, ndihmë, vaji i fëmijve të hudhun nëpër borë, si kunguj, dihatja e pleqve dhe i plakave, që të shtrimë mbi borë në mes të rrugës në këmishë e tlinta, ashtu siç kishin ndodhë në shtrat, përforcojnë vullnetin e çetnikve me veprat e tyne barbare.

Në ç’do skaj shifen kufoma, të plagosun e të mërdhimë që i kanë drejtue sytë kah qielli në shenj lutjeje. Na shpëto o Zot nga barbarizma sllave”.

Se çfarë në të vërtetë ndodhi në këtë krahinë shqiptare, në vazhdim po i shpalosim edhe 3 dokumente: Raportin e komisionit mjekësor lidhur me disa trupa të masakruar në fshatin Godijevë të Bihorit; Promemorien dërguar kryeministrit të atëhershëm shqiptar z. Ekrem Bej Libohovës, nga ana e Komisioni të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike; dhe Shkresën e nënministrit për Punë të Brendshme, Kolë Bib Mirakaj, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, së cilës i është bashkëngjitur lista e viktimave shqiptare të krahinës së Bihorit, me të cilët në mënyrë të pakontestueshme dëshmohet krimi dhe gjenocidi serbo-malazias mbi banorët shqiptar të kësaj zone.

* * *

1

Raport i Komisionit mjekësor lidhur me disa trupa të masakruar në fshatin Godijevë të Bihorit, nga ana e forcave çetnike serbo-malazeze, në krye me kriminelin Pavle Gjurishiq 

“Rozhajë, 20 janar 1943

I.- Kokë djali rreth 13-15 vjeç e preme me anë të nji arme të bardhë (shpatë-thikë) dhe këtë me nji të sjellme nga e cila shihet se anët e plagës janë krejtësisht të rrafshëta, kështu qi skajet e ashtit të nofullës të poshtme janë krejt të rrafshëta.

II.- Kokë gruje rreth 22-26 vjetshe e preme me anë të nji arme të bardhë e cila shihet në skajet e plagës janë krejt të rrafshëta. Flokët e kokës djegun dhe lëkura karbonizua, nga e cila shihet se koka i është premun grues së gjallë dhe masandej hjedhun në zjarë.

III.- Shuplakë djaloçi rreth 10 vjetësh e preme me nji të sjellme me nji armë të bardhë nga e cila shihet se skajet e plagës në asht (koc) e mish janë të rrafshëta.

IV.- Këmba e burrit të pjekun e preme me armë prefëse me nji të sjellme si kur duket nga skajet e rrafshëta të plagës në asht e mish.

V.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se dora e fatkeqit ka qenë premun për së gjalli dhe masandej hjedhun në zjarr. Dora ësht e nji djali.

VI.- Dora e djathtë e preme në bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se asht premun për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora i ka përkitun nji persone të rritun.

VII.- Dora e majtë e preme pak nën bërryl dhe karbonizua, nga e cila shihet se ka qenë e preme për së gjalli të viktimës dhe masandej hjedhun në zjarë. Dora ka qenë e nji persone të rritun.

VIII.- Veshi i djathtë dhe i majtë të njeriut pjekun. Tu dy veshtë kanë qenë të premë në nji të sjellme e me anë të nji arme prefse, nga duken skajet e së premes plotësisht të rrafshëta. Të dy veshët janë të preme më parë.

IX.- Veshi i djathtë i premë në bazë të nji të sjellme e me anë të nji arme të preftë, nga duken skajet e së premes plotësisht të rafshëta.

X.- Hundë me buzën e sipërme me gjithë mustakët të preme mbi kocin e hundës. Skajet e plagës janë të rrafshëta.

XI.- Syni i djathtë dhe i majtë, të nxjerrun me kapak nga gropa e syvet.

 

Antar të Komisjonit Mjeksuer

Dr. Gladilin Nikolla

Dr. Mehmet Hoxha”.

 

2.

“P R O M E M O R I A

MBI NGJARJET E TMERSHME NË ZONËN E BIHORIT

I. NGJARJET

1.- Katundet shqiptare të Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, në zonën që quhet neutrale, midis Malitzi dhe Shqipnis, sepse nuk mvaret prej Administratës malazeze por as nuk asht e bashkueme me Mbretnin shqiptare -, janë ba lama e nji tragjedije të tmerrshme qi ndodhi në ditët 5 e 6 Kallnuer 1943.

2.- Banorët e atyne krahinave fatkeqe qi priteshin me padurim, por plot shpresë e besim, bashkimin e tyne me Nanën Shqipni, sikurse e don e drejta dhe vullneti i atij populli qi ka vuejtun për kohë të gjatë nën zgjedhën e Malazezve-,u ban dëshmorë të nji dëshire të shejtë, ata kanë pa me sy, ndër ato ditë të zeza, çka nuk ka ndodhur kurrkund ndër vise t’ona.

3.- Çetnikët malazez e serb, katër a pesë mijë, dhe ndoshta ma shumë, nën komandën e Vojvodës Pavle I Gjurishiq ose t’urdhënuem prej “tij” u avitën tinas katundeve të Bihorit, tue kalue lumin, togje –togje, në të mugët e natën. Sa t’a kuptojë popullsia rezikun, çetnikët, u vërsulën kundër saj si bisha t’egra dhe e filluan me terbim veprën e tyne shnjerëzore tue prishun, tue gjegun e tue masakrue. Në pak kohë 82 katunde u prishën e u shfaruen. Banorët e tyne, të tmeruem, duelën në mes të natës prej shtëpizave që të shpëtojnë prej zjarrit, të veshun e të shveshun. Por ranë në duert e çetnikëve t’egjër, të cilët i grinë me pushkë, me thika e me shpata. Nuk kursyen as pleq, as gra, as fëmijë të njomë. Kush shpëtoi prej dorës së çetnikëve, e gjet vdekjen në bjeshkë prej të ftohtit. Kush mundi t’i shpëtojë vdekjes tue ikur, ka me e pasë për gjithë jetën në trup e në shpirt, vulën e tmerit e të vuajtjeve.

– Bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, asht ky:

Shtëpija të djegura                                          1763

Burra të vramë 590; të therun 185; gjith        775

Gra të vramë 340; gra të theruna 285; gjith:  625

Fëmijë të therun 701; të djegun 705; gjith:    1406

Të grimë prej të ftohtit: Fëmijë                      447

“                       “             Gra                          266

“                       “             Burra                       119

Të vdekur nga urija                                        103

Të plagosun: burra 359; gra 275: gjith           634

Të marrun rob (gra e vajza)                            251

Pra, gjithsej, si mbas hetimeve të bamë me shpejti, del se të vdekurit janë 3741 dhe të plagosunit 634. Sa për 251 shpirt qi mungojnë, shumica e madhe e të cilave asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob qi t’u shërbejnë çetnikëve qi t’a plotësojnë veprën e tyne të turpshme e shnjerzore. I takon botës së qytetnueme t’i peshojë e t’i gjykojë këto mizorina. Mallkimi i Zotit le të bien pa mëshirë mbi ata q’i mendojnë e i kryejnë; dënimi i Drejtësis njerëzore le t’i ndëshkojë shkaktarët e kësaj kërdie qi janë tregue bisha të pashpirt.

II. Motivet

5.- Shkaktar kryesuer i këtyre mizorinave mund të quhet Vojvoda Pavle Gjurishiç, shokët e çetat e tij. Ay paturpësisht pretendon se i asht shtrue autoriteteve ushtarake italiane të Maltzi dhe se bashkëpunon me to. Vepra kriminale e kryeme kundër Shqiptarëve të pafajshëm e të pamprojtun të Bihorit e provon plotësisht se Gjurishiqi dhe çetnikët e tij janë anmiq të betuam të fisit shqiptar. Janë gjithashtu anmiq të papajtueshëm t’Italisë: e treguen përpara dhe do t’a provojnë rishtas në ma të parin rast të volitshëm.

Qi Pavle Gjurishiqi e organizoi planin e masakrit në Bihor dhe ndofta e zbatoi në vend, nuk duhet të ketë dyshim. Dëshminat e atyne q’i banë çetnikët në veprim e sipër; shenjat qi ata lanë në lamën e kërdisë s’provojnë mjaftësisht fajin e tij. Por, veç këtyne provave asht fakti se nuk mund të merret me mend qi, ndër ato vise, mund të veprojë nji çetë e madhe 4-5 mijë vetësh pa dijen e pa lejen e tij. Në nji proklamatë të shpallun e të nënshkrueme prej tij, mbas masakrit, ay thotë tekstualisht:

‘Tragjedija e katundit Burgjeve ka sjellë dëshpërimin e popullit t’onë në kulm dhe ky ka eksplodue. Populli vetë asht çue me marrë gjakun dhe njëkohësisht me u mbrojtë. Kanë ndodhun tmere të pa mbajtura në mend deri më sot, qi ka qenë e pamundur me i ndalue. Komanda e çetnikëve dhe kryetarët e njësive të mija s’janë pjesëmarrës në këtë…’.

Qi ay gënjen pa turp, duket faqas, sepse çetnikët me uniforma e me të gjitha shenjat dalluese të tyne: ata e kryen kërdinë e jo katundarët malazias. Kjo gja asht evidente, e dukshme qartësisht, e pamohueme.

6.- Pavle Gjurishiqi flet, në Proklamatën e tij, për “tragjedinë e katundit Burgjeve” dhe, me këtë, don të thotë se faji asht i popullsis shqiptare, e cila i ka dhanë shkak munxynes së Bihorit. Kjo asht nji renë qi e akuzon dhe nuk e shfajëson. Ja si qëndron puna:

Gadi dy muej ma para, malizas të katundit Burgjeve qi nuk shkojnë me Shqyptarët, mbassi shumë ndër “ta” e kanë zanat grabitjen dhe janë çetnikë, e atakuan katundin shqiptar Bular, rëmbyen 40 krenë lopë, 250 berra dhe vranë dy bari. Dy javë ma vonë, Shqiptarët e vendit, tue drojtun dhe kërcnime të tjera, u mbështjellën dhe shkuen në katundin Burgjeve, ku kishin mësue se gjindet nji pjesë e baktive të grabitun. Atje u pritën me pushkë prej çetnikëve dhe kështu u ndes nji luftë midis tyne. Përfundimi asht se u vranë disa nga të dy palët, u dogjën 5-6 shtëpi, por nuk u damtue as nji njeri qi nuk mori pjesë në luftim, as nji grue nuk u vra, as nji fëmijë nuk u plagos.

Asht marri e thjeshtë të gjykohet se me ngjarjen e Burgjeve, të shkaktuese prej malaziasve, popullsia shqiptare ka provokue ahmarrjen e Bihorit.  Kryeparë vihet re se katundi shqiptar Bulari, qi u ba shkak për ngjarjen e Burgjeve, as nuk gjindet midis atyne 82 katundeve që janë shkatrre prej çetnikëve.

7.- Asht jasht menç të thuhet se ndofta Shqiptarët e kanë shkaktue vet ngjarjen e Bihorit. Kryeepara ata mezi presin realizimin e idealit të tyne qi asht bashkimi me Mbretnin shqiptare. Ata e kanë kuptua mirëfilli se çdo ngatresë e trazirë në vend, shkon për dam të tyne. Ata vullnetarisht janë ba mbrojtës të qetësisë e kanë luftue kundër kryengritësve qi kërcnonin rendin e ri të vendosun n’at zonë. Ata u kanë dalë zot ushtarëve dhe karabinierëve italianë, kur këta janë ndodhur ngushtë si në ngjarjen e Beranës ku ishin rrethue nga çetnikët dhe u shliruen nga Shqiptarët -, jo për tjatër, por për njerzi e për mirënjohje kundrejt atyne ushtarëve qi kanë ardhur si shlirues të tokave shqiptare të Malitzi. Asht ky provokimi ma i randë për të cilin i fajson Pavle Gjurishiqi, sikundër del faqas nga Proklamata e tij q’u përmend ma nalt. Por, sigurisht “provokimi” asht vetëm nji fjalë për ta mbulue të vërtetën. Realiteti asht se Pavle Gjurishiqi me shokë, kundrejt Shqiptarëve nuk banë tjatër veç se me e zbatue planin ma të gjanë të Drazha Mihajloviqit. Baterdija e tmerrshme e Bihorit mund të thuhet se asht zbatimi i pikës së parë të Planit të kurdisun nga Mihajlloviqi, dhe të shpallun ca kohë ma parë prej Shtypit shqiptar, ku shfaqet qartas vendimi me e shfarosun popullin shqiptar t’atine krahinave.

III. NDIHMË PËR TË MJERUEMIT

8.- Të mjeruemit e tragjedis së Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, nuk janë vetëm ata q’u shënuan ma nalt, në pikën 4. Janë edhe t’ikunit nga tmeri. Këta mbath e vdath kanë lanë plangun e shtëpinë dhe kanë marrë rrugën e malit dhe shumica e tyne kanë dalë përkëtej kufinit. Nji pjesë tjatër e madhe gjindet në Qendrën e Bjelopoles. Të parët janë 6-7 shpirt, shumica në Pejë. Ata të Bjelopoles janë 4-5 shpirt. Të gjithë gjinden mos ma keq. Të plagosunit e të sëmundit janë në rezik të madh. Sëmundje të rënda dhe të rrezikshme, edhe për popullsinë e vendit, mund të shfaqen në mes të tyne. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë të shpejtë dhe të dobishme. I takon Qeverisë mbretërore t’i vendojë e t’i zbatojë me ngutësi masat që do t’i duken ma të përshtatshme. Masat e shpejta dhe ma të nevojshme munden me u radhitë në këtë mënyrë:

a) Organizimi i ndihmës, zyrtare e kombëtare, për muhazhirët të mjeruemit: strehim, veshje dhe ushqim;
b) Dërgim i shpejtë mjekësh dhe barnash për të sëmundit;
c) Organizimi i rikthimit të muhazhirëve nëpër vendet e tyne, pasi të vendoset atje qetësija dhe sigurija;
d) Përkrahje materiale që të mundin ata t’a rifillojnë sa më parë punimin e tokës.

9.-  Duhet theksuar se zgjidhja e plotë e çashtjes qëndron vetëm në rivendosjen e banorëve nëpër shtëpijat e vet. Por këto u dogjën e u shkatruan, sikundër edhe e gjithë pasunija e tyne e lujtëshme (e tundshme – Q.L.). Prandaj duhet mendua dhe vendosun mënyrat se qysh këta njerëz mundin të rivendosen nëpër plangjet e veta e t’a rifillojnë jetën e parë.

Duhet theksue gjithashtu se n’atë vend nuk ka aspak siguri. Me kot thënkan autoritetet e Cetinës se mbretnon qetësija. Mbasi ikën çetnikët, si me thanë “zyrtarë”, u sulen (vërsulën – Q.L.) për grabitje banorë e bashibozuk të tjerë nëpër të gjitha katundet e prishuna. Këta janë t’armatosun thuhet se kanë edhe mitraloza. Asht fakt se banorët shqiptarë qi kanë dashun të kthehen në shtëpi të vet, si dhe ata qi kanë shkue për t’i varrue të vramit e të therunit, janë pritë me pushka dhe disa prej tyne kanë mbetë të vramë.

IV. MASA SIGURIMI

Tue marrë parasysh se çka ndodhi në Bihor, si duket, vetëm fillimi i një prodroni kundër popullsis shqiptare, dhe ma për së shpejti ka me u ardhur siraja (radha – Q.L.) krahinave të tjera, asht e domosdoshme dhe e ngutshme të mendohet dhe të zbatohen qysh tash masa të dobishme e të forta për t’a sigurue e për t’a shpëtue popullsin shqiptare të zonës neutrale. Shumë masa të përshtatshme mund të gjenden, por kryepari vijnë në mendje këto:
a) Armatimi i popullsis shqiptare;
b) Garantimi i kufinit të zonës neutrale me Malinezi nga ana e ushtris italiane të Malitzi;
c) Organizimi i përshtatshëm i vullnetarëve shqiptarë të vendit;
d) Vendosja në zonë ose aty pranë i autoriteteve eprore të Zonës.

Këto masa mund të zbatohen sikundër tregohet ma poshtë:

Për t’a zbatue rifillimin e armatimit, duhet marrun ngutshëm masat që vijojnë:
a) Në popullin e Sienicës i aftë për të mbajtun armë, duhen dërguar së paku 6.000 pushka me municione të mjaftueshme dhe 3.000 pushka të tjara për Tutin e Rozhajë. Në këtë hesap nuk përfshihen nevoja për Plavë e Gusinë dhe që kapin 2.000 pushkë të tjera;
b) Do t’ishte gja e domosdoshme që, përveç pushkëve, të vihen në dispozitë të popullit shqiptar të Zonës neutrale një sasi mitralozash, të mëdha e të vogla. Për përdorimin e tyne ka mjaft njerëz të stërvitun.
c) Nënkuptohet se këto armë nuk do të ndahen të gjitha në popull, por vetëm një pjesë e vogël, ndër ata burra të njoftun e të besueshëm, që do të përbajnë si me thanë “Rojen Civile të Vendit”. Parija e çdo vendi mund të bahet dorëzanëse për njerëzit që do të marrin armët në dorëzim;
d) Sa për pjesën e madhe e këtyre armëve, dhe sidomos të municioneve, ato kanë me u vendue ndër depo të posaçme, të zgjedhuna simbas situatës së vendit dhe me të gjitha sigurimet që kërkon mirmbajtja dhe ruajtja e këtyne depove;
e) Shpërndarja e armëve nga depot e paramendume, do të bahet vetëm në rast reziku, domethënë kur të vërtetohen sheja të dukshme nga ana e çetnikëve për të mësye katundet e zonave në fjalë.
Që shpërndarja e armëve, në raste të tilla, të bahet e rregulltë dhe me të gjitha garancinat e duhuna, nevojitet nji organizim paraprak ndër çeta vullnetarësh, të mëdhaja e të vogla, simbas nevojave të vendeve të ndryshme. Këto çeta do të kenë në krye të tyne njerëz të njoftun që do të mundin me garantue për vullnetarët qi ata kanë me pasë nën urdhën të vet.

Ky organizim mund të kryhet mirëfilli tue shënue, së pakut, tre oficera të stërvitun e t’aftë, si organizues të vullnetarëve ndër zonat e përmenduna, dome thanë nji në Senicë, nji në Rozhaj e nji në Plavë e Gusinë.

Duhet pohue për, se sa vullnetarët, sa armët që do të kenë ata, nuk do të mjaftojnë për mbrojtjen e vendit, kur ky të mësyhet nga çeta të mëdhaja, me armatim e organizim të përsosun, si ata të Pavle Gjurishiqit që kanë ba kërdin në Bihor dhe që përbahen nga mija shpirta. Prandaj zonave neutrale të përmenduna, u duhet me doemos një vërejtje e posaçme nga ana e fuqive t’armatosuna italiane të Malitzi. Ato duhet t’organizojnë një rjetë postësh për t’a vërejtun lëvizjen e çetave të mëdhaja e, në rast nevoje, për me ndalue të msymit e tyne, ose për ta ndihmue përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë.
Për të pasun populli shqiptar nji provë të dukëshme interesimi t’autoriteteve eprore italiane e shqiptare, do t’ishte mirë që Komisari i Naltë, Shkëlqesa Umilta, sidhe një nëpunës shqiptar me autoritet, t’a vendosin qendrën e veprimtaris së tyne në Senicë, ose aty pranë.
Populli shqiptar i zonës neutrale e kupton me zor situatën e sotme, që sy duhet të vazhdojë me ndejtun i ndamë prej Shtetit shqiptar. Dëshira e tij ma e flaktë dhe shpëtimi i tij i sigurtë do t’ishte aneksimi i menjëhershëm. Ay e din boll mirë dhe nuk dyshon se ky përfundim dëshirohet prej Qeverisë shqiptare dhe gjen përkrahje pranë Qeverisë italiane, si edhe se ky bashkim do të kryhet në çastin e volitshëm. Por, për t’i dhënë atij fuçinë shpirtërore dhe durimin me prit, duhet qi, interesimi i Qeveris dhe përkrahja e Qeveris italiane të marrin një formë të gjallë, për t’a rivendosun atë popull të mjeruam ndjenjën e sigurisë dhe për t’a forcuen shpresën e tij.

Masat q’u përmenden ma nalt, dhe të tjerat që Qeverija Mbretnore nund t’i gjejë vetë, duhen zbatue ngutësisht e në mënyrë sa ma të dukëshme, që populli t’a rifitojë besimin në mbrojtjen e saktë të Qeverisë shqiptare dhe që, n’anën tjetër, të mund të mënjanohen ato të këqija për ahmarrje e të tjera që mund të lindin nga dishprimi i popullit.

Autoritetet shqiptare të njanës anë dhe ato italiane n’anën tjetër duhet të kenë besim te mendarija (te të mençurit – Q.L.) e popullsis shqiptare. Ajo e kupton vleftën e urtësis dhe të durimit në këto çaste. Pra, jo vetëm se nuk kërkon të nxjerë ngatrime, por do të mundohet të gjith krenat e saj të ndalohen e të prevenojnë çdo akt e vendim të papëlqyeshëm.

* * *

I bashkohen këtij relacioni nji sasi dokumenta – radhoj e qartësisë fiktive të cilat epen hollësinat dhe provohen çka u tha ma nalt mbi mizerinat e kryme prej Malazezve ndër katundet e Bihorit.

Tiranë, me 30 Kallnuer 1943-XXI.”

3.

Shkresë e nënministrit për Punë të brendshme, Kolë Bib Mirakaj, dërguar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, së cilës ia bashkëngjet listën e të vrarëve dhe të masakruarve shqiptarë në krahinën e Bihorit

Tiranë, 8.2. 1943 – XXI

Së Ndershmës

Kryesijë të Këshillit të Ministreavet

Tiranë

Kemi nderin të ju dërgojmë bashkëngjitur listën e viktimave shqipëtare të Zonës Neutrale të Senicës, të shkaktuara nga sulmi i pa-justifikueshëm i Çetnikëve malezezë kundra shqiptarëve të sipërpërmendur, të përpilluar në bazë të raportimeve që na bëri Prefektura e Pejës me telegramin e saj shifër Nr. 4/S.P. datë 1/2/1943-XXI.-

(Kolë Bib Mirakaj)

Shtojcë:

Lista e viktimave shqiptarë

Të vrarë                          burra             590               gra                  340

Të masakruar                     “                185                 “                    285     fëmij     702

Të grimë                             “                116                 “                   172         “         508

Të djegun                            “                  –                    “                     –                      773

Gjithsejt                              “                891                  “                   797                   2083

Të vdekun urije persona 103

Gjithsejt të vrarë burra, gra, fëmij           3.874

Të plagosur burra    359, gra – 275

Gjithsejt të plagosur 634

Shtëpi të djeguna        1.763

Komunë të dëmtuara Rasovë, Korita, Zaton, Dhozma, Bari (Senicë)”

Fund     

 

 

/revistashenja

Exit mobile version