Dogana parandalon dy raste të kontrabandimit të mallrave në Han të Elezit, vlera afër 20 mijë euro

Mallra me vlerë afër 20 mijë euro janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës në dy raste të ndara të kontrabandës në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit në rastin e parë janë zbuluar 226 paketime parfumesh me një vlerë totale mbi 13 mijë euro gjatë kontrollit të bagazhit dhe ndarjes së gomës rezervë të një automjeti me targa kosovare.

“Rasti 1: mbrëmë më ora 20:50, oficerët doganorë ndaluan një automjet me targa kosovare. Derisa pala kur u pyet nëse kishte diçka për të deklaruar, u përgjigj “Jo.” Gjatë një kontrolli të bagazhit dhe ndarjes së gomës rezervë, oficerët zbuluan 226 paketime parfumesh nga marka si të njohura , me një vlerë totale prej 13,699.70 €. Pas zbulimit mallrat janë konfiskuar dhe për momentin iu janë nënshtruar procedura të origjinalitetit të tyre”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, në rastin e dytë gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut janë zbuluar 40 mijë cigare elektronike me vlerë mbi 4 mijë euro.

“Rasti 2: mbrëmë në orën 22:45, një automjet targa të RMV u ndalua për kontroll. Pas deklarimit të shoferit se nuk kishte mallra për të deklaruar, oficerët kryen një kontroll të dytë dhe zbuluan 40,000 cigare elektronike me vlerë prej 4,340.00 €, të fshehura në pjesë të ndryshme të automjetit”, theksohet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se të dy rastet i janë referuar Sektorit të Kundërvajtjeve Doganore për veprime të mëtejshme ligjore, derisa sektori i Hetimeve është duke punuar në hetime shtesë.