Dodiku dyshohet se nga Beogradi shkoi në Moskë

Pak pasi presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, i njoftoi ndjekësit e tij në platformën “X” në mëngjesin e së shtunës “se ka mbërritur”, nuk ishte e qartë nëse është kthyer në BeH pas vizitës së famshme në Izrael. E siç ka raportuar mediumi “klix” në Bosnje e Hercegovinë, bazuar në dy burime, Dodiku aktualisht është në Moskë.

Edhe pse nuk ka konfirmim zyrtar, i kërkuari nga autoritetet e BeH-së, pritet të ketë takim me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Ai kishte planifikuar vizitë më herët gjatë muajit për në Moskë. Por e anuloi.

Dodiku dihet se u largua nga Izraeli dy ditë më parë, dhe gjëja e fundit që dihet nga udhëtimi i tij, sipas “klix.ba” ishte se aeroplani i tij aterroi në Beograd. Pas kësaj s’dihej gjë më për lokacionin e tij.

Tre ditë më parë, Gjykata në Bosnje e Hercegovinë kërkoi që të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Dodikun, i cili po akuzohet për cenim të rendit kushtetues të derivuar prej marrëveshjes së Dejtonit. Dodik ishte larguar nga Bosnjë-Herzegovina të martën, për të zbarkuar në aeroportin Ben Gurion të Tel-Avivit në Izrael.

Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë. Autoritetet nisën hetimet mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.

Momentalisht është në duart e zyrës qendrore të INTERPOL-it për ta pranuar ose jo kërkesën për urdhërarrest ndërkombëtar.