Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, tha të premten se përfaqësuesi special i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje, Valentin Inzko, nuk ka të drejtë të imponojë ndonjë ligj për ndalimin e mohimit të gjenocidit.
Inzko, duke i përdorur kompetencat e Bonit – që i japin të drejtë të çojë përpara vendime – vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, me të cilat ndalohet dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.
“Republika Sërpska e hedh poshtë këtë vendim. Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid. Serbët nuk guxojnë ta pranojnë këtë vendim, kjo është një gozhdë e ngulur në arkivolin e Bosnje e Hercegovinës. Pas kësaj, Bosnje e Hercegovina nuk mund të funksionojë. Do të thërrasim një seancë të Asamblesë së Republika Sërpskës javën e ardhshme”, tha Dodik.
“Republika Sërpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes, nuk ka dialog në Bosnje”, tha ai.
Në vitin 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar se këto vrasje kanë përbërë gjenocid. /rel