Nëse mendonit se akulloren mund ta përgatisin vetëm pastiçierët e vërtetë gaboheni, pasi me këshillat e sugjerimet e Linda Fishtës mund ta bëni edhe vetë në shtëpi.
Përbërësit: lëkura e grirë në rende e 2 limonëve bio, 100g sheqer, 125ml lëng limoni i sapo shtrydhur, 500ml panna për ëmbëlsira dhe një majë thike kripë.
Përgatitja: Në robot (vëmë funksionin e grirjes) hedhim sheqerin dhe lëkurat e limonit të grira më parë në rende dhe i përziejmë për një minutë. Shtojmë lëngun e limonit dhe e përziejmë derisa të shohim që sheqeri është tretur. Mjaftojnë 2 minuta. Shtojmë panën dhe kripën dhe e përziejmë edhe për 1-2 minuta derisa të shohim që pana po trashet dhe përzierja është bërë kremoze. E hedhim akulloren në tavë inoksi ose porcelani, por që të jetë sa më e madhe, në mënyrë që akullorja të ngrijë më shpejt. E mbulojmë me letër alumini dhe e vëmë te pjesa e ngrirjes në frigorifer.
Pas 30-40 minutash e nxjerrim nga ngrirja dhe e përziejmë mirë me pirun ose me rrahësen e vezëve në mënyrë që të mos krijohen kristale akulli. E përsërisim këtë veprim pesë herë. Më pas mund ta lëmë akulloren për një natë të tërë te ngrirja dhe të nesërmen është gati. Në momentin që duam ta shërbejmë, e lëmë pak minuta në temperature ambienti.