Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se ai do të bëjë gjithçka për të tejkaluar problemet në Bosnje e Hercegovinë përmes dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë të përbashkët për media të mbajtur në Beograd me homologun e tij serb Nikolla Selakoviç, Çavuşoğlu rikujtoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan vizitoi Bosnje e Herzegovinën dhe Malin e Zi javën e kaluar, duke thënë se vendi i tij i kushton një rëndësi të madhe stabilitetit të rajonit.
“Presidenti Erdoğan vizitoi Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi javën e kaluar. Ai u takua me anëtarët e presidencës së Bosnje e Hercegovinës. Turqia trajton të gjitha grupet etnike në Bosnje e Hercegovinë në mënyrë të barabartë dhe stabiliteti i këtij vendi është i rëndësishëm për ne. Ne jemi dëshmitarë të tensioneve të caktuara në Bosnje e Hercegovinë dhe presidenti Erdoğan tregoi mendimin e Turqisë dhe pozicionin në lidhje me Bosnje e Hercegovinën”, tha Çavuşoğlu.
“Ne duhet të tejkalojmë mosmarrëveshjet aktuale sa më shpejt të jetë e mundur, dhe presidentët Vuçiq dhe Erdoğan kanë këtë rol të rëndësishëm, edhe përmes projekteve që përfaqësojnë projekte të paqes. Ne do të bëjmë gjithçka për të tejkaluar problemet në Bosnje e Hercegovinë përmes dialogut”, shtoi ai.
Duke theksuar se marrëdhëniet midis Serbisë dhe Turqisë janë të jashtëzakonshme dhe avancojnë çdo ditë, Çavuşoğlu u shpreh se deri në fund të vitit do të mbahet takimi i tretë i Këshillit të Bashkëpunimit midis dy vendeve, duke shtuar se ata janë duke punuar në organizimin e një takimi trepalësh, duke përfshirë edhe Bosnje e Hercegovinën.
“Këta mekanizma do të ndihmojnë vazhdimësinë e dialogut tonë dhe përparimin e marrëdhënieve tona në çdo aspekt”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se vëllimi i tregtisë midis dy vendeve po rritet dhe do t’i afrohet objektivit prej dy miliardë dollarësh këtë vit.
Diskutohet udhëtimi i qytetarëve vetëm me letërnjoftime
Çavuşoğlu tha se qytetarët e Turqisë dhe Serbisë duhet të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime në këto dy vende, që ishte propozimi i ministrit turk të Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy. Kreu i diplomacisë turke theksoi gjithashtu rëndësinë e njohjes reciproke të certifikatave të vaksinimit midis Serbisë dhe Turqisë.
Duke kujtuar se nesër do të hapet Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Turqisë në Pazarin e ri, Çavuşoğlu tha se kjo është një shenjë e rëndësishme e miqësisë midis dy vendeve. Ai njoftoi gjithashtu hapjen e zyrës konsullore turke në Nish, duke thënë se është kjo një zonë përmes së cilës kalojnë një numër i madh i qytetarëve turq që udhëtojnë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu kujtoi projektet e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), duke paralajmëruar realizimin e projekteve të reja.
Duke folur për situatën në rajon, kryediplomati turk theksoi rëndësinë e rolit të Turqisë dhe Serbisë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen dhe stabilitetin rajonal, por edhe për të mbështetur integrimin euroatlantik të rajonit. Shpresoj që BE të kuptojë rëndësinë e këtij rajoni dhe se do të angazhohet më tej në rajon”, tha Çavuşoğlu.
“Nuk është e drejtë të pritet që Turqia të pranojë më shumë refugjatë”
Duke folur rreth situatës në Afganistan, Çavuşoğlu tha se Turqia dëshiron që në këtë vend të formohet një qeveri që do të përfshijë të gjithë aktorët.
Ai vuri në dukje rëndësinë e mbajtjes së aeroportit në Kabul të hapur, dhe kujtoi rrezikun e terrorizmit dhe mungesës së ushqimit, pasi situatës në Afganistan i kishte paraprirë një thatësirë.
Çavuşoğlu tha se nuk është e drejtë të pritet që Turqia të pranojë më shumë emigrantë dhe refugjatë, duke shtuar se i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet të përfshihet dhe ta trajtojë çështjen nga burimi.
“Turqia aktualisht është vendi që kujdeset për më shumë emigrantë në botë dhe ne nuk kemi kapacitet për të pranuar emigrantë të rinj. Nuk është e drejtë të pritet që Turqia të pranojë më shumë emigrantë dhe refugjatë”, tha Çavuşoğlu. /aa