Një asteroid me madhësi pak më të madhe se Kulla Eifel, pritet që të kalojë shumë pranë Tokës në vitin 2029.
I emërtuar “99942 Apophis”, ky trup hapësinor ka marrë vëmendjen e shkencëtarëve, të cilët deri vonë i druheshin një përplasje të tij me planetin tonë.
Tani, studiuesit të cilët mbajnë vazhdimisht nën monitorim trajektoren e tij, thonë se ky asteroid do të kalojë shumë pranë Tokës.
Agjencia Hapësinore Europiane do të dërgojë një anije kozmike në asteorid për të mbledhur më shumë prova rreth tij, që kanë të bëjnë me madhësinë, formën dhe mënyrën se si rrotullohet teksa lëviz në hapësirë.
“Fluturimi që bën rreth Tokës është unik. Nëse qielli do të jetë i pastër, do të mund ta shihni atë me sy të lirë”, thotë Holger Krag, kreu i departamentit të sigurisë hapësinore në Agjencinë Hapësinore Europiane.
Asteroidi “Apophis” do të kalojë më afër Tokës se sa satelitët që ndodhen në hapësirë dhe përdoren për transmetime televizive, navigimin përmes GPS dhe parashikimin e motit.
Sipas shkencëtarëve, në këtë distancë, asteoridi do të ketë ndërveprim me Tokën për shkak të forcës gravitacionale të planetit tonë. Kjo do të shkaktojë rëshqitje dheu në sipërfaqen e asteroidit.
Asteroidi “Apophis” është zbuluar për herë të parë në vitin 2004.