Siç duket, ndonjë bujk i vyeshëm i Grëçecit të komunës së Sarajit-Shkup, sot kishte vendosur ta pastrojë arën e tij nga rrënjët e thara të domateve.
Dhe ‘kuptohet’, ku tjetër, përpos se ato t’i hedh te bregu i lumit Treska. Dhe pastaj edhe t’i kallë që t’i asgjësojë dhe të mos shihet as turpi as krimi i tij jonjerëzor.
Pra buzëmbrëmjen e sotme vendbanimin Gërçec e ka mbuluar tymi.
Dhe kjo nuk është as hera e parë as e fundit që diçka e tillë të ndodhë nëpër vendbanimet shqiptare që janë nën drejtimin e funksionarëve të BDI-së të cilët, si edhe ish drejtuesi i Komunës së Sarajit e tani deputet republikanë – që e shndërroi në gërmadha Liqenin Treska – për banorët e vet nuk u përkujdesën as aq saç kujdeset për kafshët e veta pronari i fermës së derrave.
Po pra, sonte në Gerçec nuk guxon t’i hapësh dritaret dhe mjerë të moshuarit dhe fëmijët që kanë problem me organet e frymëmarrjes.
Sepse sonte, si edhe gjithë netët tjera, banorët e këtushëm janë lënë në duart e ‘kafshërisë’ më primitive e më injorante, e me të cilët ne duam të çojmë përpara shqiptari e fe!
Dhe kalimthi thënë, për ata që nuk e dinë: grçecalinjtë kanë ndërtuar dy xhami. Por siç duket, shumica prej tyre, kurrë nuk e kanë pyetur veten nëse më shumë e besojnë dhe e kanë frikë Zotin, apo policin me shkopin e gomës në duar!
Nga: Kim Mehmeti