Do lind një fëmijë e do e quaj Adem … Sepse emrat e kohës tonë përbëjnë akuzë në një farë mënyrë.
Jo, nuk do e quaj Muhamed, as Isa (me gjithë respektin për ta), as Omer dhe as Ali, as Hasan e as Hysen, as Ibrahim, as Xhorxh e as David.
Kam frikë se do të rritet e të bëhet racist. Kam frikë se do të marrë veti nga emri që mbart. Të huajt mund ta shohin si terrorist, ekstremistët mund ta shohin si të shthurur, shiat mund ta shohin si sunnit e sunnitët si shia.
Kam frikë se emri do i shndërrohet si pasaportë.
Dua të jetë thjesht Adem … mysliman … i krishter … sunni … shia .. Dua që nga feja të dijë vetëm faktin që ajo – feja – është e Zotit …
Dua që të kuptojë që atdheu është i të gjithëve.
Do i mësoj që feja është ndjenjë e fuqishme në zemër që e vërteton puna … jo emri i saj.
Do i mësoj se nacionaliteti është iluzion … se njerëzimi dhe humanizmi është i rëndësishëm.
Do i mësoj se uria është qafiri (femohuesi) më i madh. Po, do i mësoj edhe se injoranca është qafir i madh, edhe padrejtësia …
Do i mësoj se ai që e nis luftën nuk di kurrë si ti japë fund asaj, përndryshe nuk do e niste fare.
Do i mësoj se ai që bëhet palë me njërin taraf është i humbur, sado të fitojë.
Do i mësoj se Zoti është në zemra para se të jetë në xhami e kisha.
Do i mësoj se Zoti është dashuri para se të jetë frikë.
Do i mësoj gjithçka që prindërit tanë nuk na e mësuan, jo se neglizhuan, por se bota e tyre ishte më e dëlirë.
Do i mësoj se ajo që na mungon e kemi dhe atë që e kemi na mungon.
Do i mësoj se ia nisa me fjalët që unë do të lind një djalë … sepse femra vazhdon të varroset për së gjalli … se defektet në shoqëri vazhdojnë po ato.
Muhamed Almaghout, shkrimtar sirian
Perktheu: Elmaz Fida