Ballina Autorë Opinione Do jetojmë e do kënaqemi pasi të vdesim?!

Do jetojmë e do kënaqemi pasi të vdesim?!

Kim Mehmeti

Ne shqiptarët e Maqedonisë – e ndoshta jo vetëm ne – i kemi zhbërë dhe ngatërruar të gjitha standardet dhe modelet të cilët duhet t’i marrin si shembull fëmijët tanë, andaj tani thuajse nuk e dimë se sipas cilave përmasa e përcaktojmë heroin, arkivolin e të cilit duhet mbuluar me flamurin Kuq e Zi, nga ata të rëndomtit që nuk meritojnë më shumë se sa lutjet që Zoti t’ua falë mëkatet.
Dhe si të mos ndodhte ky çrregullim vlerash kur dihet se të gjithë idiotët tanë që dështuan si politikanë, doktoruan dhe u bënë ligjërues universitar, me çka e morën në duar më të vlefshmen që kemi – fëmijët tanë.
Me çka pra edhe i mësuan të rinjtë të bëheshin si ligjëruesit e tyre: të besojnë se ‘budallai’ mëson dhe i mbindërton vlerat vetjake, e ai që ‘VLEN’ duhet të jetë pa kurrizor i devotshëm, që i shërben dhe i përulet ‘nënës’ parti.
Dhe gjithë ky degradim arsimorë krijoi parakushte që një pjesë të rinisë sonë ta marrin në duar disa mjeranë të cilët, duke mos ditur çka të bëjnë me jetët e tyre, i rritën mjekrat, u shpallën predikues fetarë, dhe nisën të merren me jetët tona, duke na trajtuar si të ishim arabë injorantë e të pashkolluar në mes të shkretëtirës, të cilëve nëse nuk u tregon, i ngatërrojnë edhe ditët e javës dhe mund t’u ndodh që xhuma namazin ta falin të dielën.
Pra të na rekomandojnë edhe gjëra monstruoze dhe jonjerëzore si për shembull atë se më i keq se shqiptari mysliman që shpërndanë drogë, që e vret vëllain e vet, që e plaçkit popullin, që e përdhunon edhe fëmijën, që nuk ka as ndërgjegje as moral…, është ai që nuk falë namaz, ai të cilin ata nuk mund ta ‘mbyllin’ në xhami që ta mjelin siç ua do qejfi.
Apo edhe të na bindin në diçka destruktive dhe shumë-shumë antiislame: se neve Zoti na ka dhënë në këtë botë vetëm sa ta shohim sa është ajo gënjeshtare, se bukuritë dhe kënaqësitë e saj duhet t’i shijojnë vetëm të ‘pafetë’, sepse ne myslimanët, do kënaqemi e do jëtojmë pasi që të vdesim?!
Shkurte e shqip, shqiptarët e Maqedonisë – e ndoshta jo vetëm ata – edhe përkatësinë etnike edhe atë fetare, e kanë barazuar me përkatësinë partiake, andaj ndaj tyre sillen si ndaj nënës parti ku çdo gjë është ashtu siç e thotë kryetari i saj.

Nga: Kim Mehmeti

Exit mobile version