Violeta Haxholli nga Demokracia në Veprim se subjektet politike kanë vazhduar edhe në javën e dytë me një intensitet të shtuar të aktiviteteve, në një ambient kryesisht të qetë.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se është ende shqetësuese që ka përdorim të gjuhës së urrejtjes.
Sipas saj, nga partitë që më së shumti kanë mbajtur tubime publike është Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Demokracia në Veprim ka monitoruar 377 tubime publike në të gjitha komunat e vendit, duke përfshirë edhe ato me shumicë serbe. Me numrin më të madh të aktiviteteve vazhdon të prijë Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka organizuar këto javë 109 aktivitete, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 106 aktivitete, më pas Lëvizja Vetëvendosje me 71 aktivitete, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 54 aktivitete”.
“Aktivitete kanë mbajtur edhe partitë tjera siç është Lista për Familjen, dhe partitë tjera të komuniteteve jo shumicë. Subjektet politike i kanë koncentruar tubimet e tyre në qytete si Prizreni me 45 aktivitete, Prishtina me 27, Peja me 23 dhe Gjilani me 22 aktivitete”, ka thënë Haxholli.
Haxholli ka shtuar se sa i përket lirisë së grumbullimit, subjektet politike po i mbajnë lirshëm aktivitetet pa u penguar, megjithatë vëzhguesit në teren kanë raportuar se në 14 raste subjektet politike nuk i kanë paralajmëruar tubimet e tyre në komisionet komunale zgjedhore.
“Objektet publike po vazhdojnë të jenë lokacionet më të preferuara për mbajtjen e tubimeve nga partitë politike, ku rreth 80 për qind e aktiviteteve të organizuara këto dy javë janë mbajtur nëpër palestra sportive, shtëpi kulture, shkolla e të tjera. Ndërsa, 20 për qind e aktiviteteve janë mbajtur në hapësira private, siç janë restorantet apo sallat e ndryshme”.
“Sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete, po shohim se qytetarët kanë interes mesatar, në 47 për qind të aktiviteteve kanë marrë pjesë deri në 200 pjesëmarrës, aktivitetet e tjera kanë qenë më të vogla deri në 50 pjesëmarrës kanë qenë në 25 për qind të aktiviteteve, 200 deri në 500 pjesëmarrës janë në 15% të aktiviteteve, si dhe tubimet e mëdha me mbi 500 pjesëmarrës kanë qenë në 13% të aktiviteteve të mbajtura”, ka thënë Haxholli. /