Djathtisti radikal fiton zgjedhjet në Brazil

Djathtisti radikal dhe kandidat i Partisë social liberale (PSL), Jair Bolsonaro, ka fituar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil, raporton Anadolu Agency (AA).

Votuesit në Brazil të dielën zgjodhën presidentin e ri të shtetit, ndërsa oponenti i Bolsonaro ishte majtisti dhe kandidat i Partisë së Punës (PP), Fernando Haddad.

Sipas rezultateve paraprake, Bolsonero fitoi 56 për qind të votave, ndërsa Haddad 44 për qind.

Fituesi i zgjedhjeve është një oficer i ushtrisë braziliane i njohur për retorikën radikale. Në fushatën parazgjedhore, ai premtoi një luftë të ashpër kundër korrupsionit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, mes të parëve e uroi Bolsonaro për fitoren në zgjedhje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders, tha se Trump në bisedën telefonike i premtoi ndihmë Bolsoneros në luftën për të përmirësuar kushtet e jetesës në Brazil.