Djaloshi shqiptar realizon ëndrrën e tij, futet në fushë dhe takon Mbappen

Reis Fejzi, djaloshi 10-vjeçar nga Gostivari, ka realizuar ëndrrën e tij duke udhëtuar në Madrid për të ndjekur ndeshjen ndërmjet Real Madridit dhe Las Palmasit.

Por, kjo nuk ishte vetëm një udhëtim për futboll, pasi Reis kishte një objektiv të veçantë: të takonte yllin botëror, Kylian Mbappé.

Pas përfundimit të ndeshjes, kur arbitri vërshëlleu për mbylljen e saj, Reis, i mbushur me guxim dhe pasion, u drejtua menjëherë drejt fushës.

Pavarësisht sigurimit, ai arriti të driblojë dhe të afrohet pranë Mbappé, me të cilin shkëmbeu disa fjalë. Ai i tha yllit francez se e admiroi shumë dhe ishte një tifoz i madh i tij.

Kjo përpjekje e guximshme e vogëlushit u shpërblye me një dhuratë të veçantë – një fanellë të Real Madridit, të cilën vetë Mbappé ia dorëzoi si kujtim nga ky takim i paharrueshëm.