Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka reaguar pas raportimit të disa mediave se djali i deputetit Haxhi Shalës, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.
Miftaraj, ka kujtuar kohën kur Shala kishte votuar pro formimit të Qeverisë Hoti, pas vizitës që i kishte bërë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, vizita e Thaçit dhe Haradinajt tek familja e Shalës do të kushtojë mjaft shumë, transmeton Telegrafi.
“Sa kushton një gjygym çaj për një katundar në Drenicë, Llap apo Vushtrri për një familje katër anëtaresh, duke përfshi sheqerin dhe nga një copë limon? Maksimumi 2 euro. Sa do të na kushtojë neve popullit të Kosovës, gjygymi i çajit që e ka pi Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj te Haxhi Shala në Malishevë”, ka shkruar ai.
Më tej, Miftaraj ka shkruar se përfitimet që do t’i ketë djali i Haxhi Shalës do të jenë të shumta.
“Një matematikë e thjeshtë. Paga e konsullit nëse nuk gaboj është 3200 euro në muaj. Mandati është tre vite, që nënkupton 115.200 e vetëm pagë. I paguhet qiraja e banesës, që minimum do të jetë le të themi 700 euro në muaj. Mbi 25.000 euro. Biletat e aeroplanit, shpenzime tjera gjatë qëndrimit në misionin diplomatik për tre vite së paku 20.000 euro. 115,200 paga, 25.000 qiraja, 20.000 shpenzime tjera. 160.200 euro totali”, thotë Miftaraj.
Theksojmë se vota e deputeti Haxha Shala ishte vendimtare për formimin e Qeverisë Hoti, ai publikisht kishte pranuar se ka ndryshuar mendim për votën e tij pas vizitës së ish-presidentit Thaçi.