Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ditën e djeshme u inaugurua çelja e Medresesë së re “Mustafa Varoshi”...

Ditën e djeshme u inaugurua çelja e Medresesë së re “Mustafa Varoshi” dega djem, në Shkozet, Durrës.

Në këtë aktivitet, ishin të pranishëm: H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, z. Adnan Al Gunejm, i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e shtetit të Kuvajtit në vendin tonë, z. Korab Kaja, Drejtori i Fondacionit “Mirësia”, përfaqësues nga Bashkia Durrës, Bashkia Shijak, përfaqësues të ndryshëm nga shoqata dhe shteti i Kuvajtit, myftinj të rretheve të ndryshme të vendit, imamë, drejtues organizatash, donatorë, prindër dhe mësues.
Pas leximit të disa ajeteve Ku’ranore, ceremonia u çel me fjalën përshëndetëse të Drejtorit të Fondacionit “Mirësia”, fondacion ky i cili do të ketë nën administrimin e tij Medresesë e sapo hapur.
Në fjalën e tij, z. Kaja, ndau mesazhe të ndryshme falenderimi për të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në plotësimin e binomit të medreseve “Mustafa Varoshi”, tashmë edhe me degën e djemve. Më tej, ai i veçoi medresetë dhe projektet e financuara nga Kuvajti në Shqipëri, si një një zë premtues për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
“Historia ka treguar se dhurimi i dijes është një akt sublim që ngre individë dhe shoqëri drejt vlerave më të larta. Medresetë në Shqipëri kanë luajtur një rol të rëndësishëm në edukimin fetar dhe atë shkencor që nga periudha Osmane. Të integruara në sistemin arsimor modern, medresetë tona ofrojnë një edukim të balancuar për sfidat e sotme.” – tha ai gjatë fjalës së tij.
Më tej, të pranishmit e mbledhur me këtë rast i përshëndeti Kyetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili ndau me ta disa mesazhe frymëzuese për medresistët dhe rolin e tyre si liderë të devotshëm në të ardhmen profesionale të gjithësecilit.
“Medreseja “Mustafa Varoshi”, ashtu si simotrat e saj kudo në Shqipëri, renditet ndër shkollat më të mira. Në këtë shkollë, nxënësit marrin një arsim të gërshetuar me ndjenjat e dashurisë për besimin dhe shkencën, e mbrujtur gjithashtu me vlerat kombëtare. Shkollat tona i kanë dhënë Durrësit dhe shoqërisë shqiptare njerëz të arsimuar e të dobishëm. Vajzat që kanë dalë nga kjo shkollë na kanë bërë krenar me arritjet e tyre dhe modelin që kanë përçuar në shoqëri. E tillë i lutemi Zotit të vazhdojë tradita edhe me djemtë, të cilët do të kenë tashmë një godinë dinjitoze e me standarde bashkëkohore.” – u shpreh kryetari Spahiu.
Programi vijoi më tej me përshëndetjet nga të ftuarit e tjerë të nderit, të cilët ndanë mesazhe të shumta urimi, mbështetjeje, bashkëpunimi e falenderimi.
Ndjenjat dhe mendimet më të bukura të kësaj dite të veçantë për këtë institucion arsimor i përmblodhi më së miri poezia “Në mundsh” e interpretuar nga nxënëset e degës së vajzave.
Në shenjë mirënjohje për realizimin e këtij projekti, u shpërndanë edhe disa çmime falenderuese për Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shtetit të Kuvajtit.
Në fund të kësaj ceremonie, u pre në mënyrë simbolike shiriti i inaugurimit dhe u vizituan ambientet e brendshme të medresesë së sapo hapur të djemve. /kmsh.al

Exit mobile version