Pas tri viteve, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet sot t’i japin epilog çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Kuvendi i Kosovës sot në ora 11:00 mban seancën plenare ku në rend dite është Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Për miratimin e këtij Projektligji nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, saktësisht nevojiten së paku 80 vota.
Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe grupi i deputetëve 6+ kanë thënë se do ta votojnë Demarkacionin, derisa Vetëvendosje ka bërë të ditur se do ta kundërshtojnë.
Lista serbe ende nuk ka dhënë qëndrim definitiv rreth kësaj çështje.
Në projektligjin e dërguar nga Qeveria në Kuvend e që do të jetë sot në rend dite në Kuvend figurojnë edhe raporti i Komisionit shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi dhe marrëveshja e nënshkruar mes dy presidentëve, Hashim Thaçi e Filip Vujanoviq.
Zëvendëskryeministri i vendit, Enver Hoxhaj mbrëmë ka ftuar të gjithë deputetët që ta votojnë atë.
“Nuk do te ketë arritje më të madhe për qytetarët e Kosovës në pesë vitet e ardhshme se sa liberalizimi i vizave sa i takon raportit tonë me BE-në sepse anëtarësimi në BE është orientim gjeopolitik dhe ekonomik, diçka që mund të merr kohë më shumë se 10 vite. Por lëvizja pa viza është e menjëhershme dhe do të përfitojmë drejtpërdrejt”, ka thënë Hoxhaj.
Madje ai ka thënë se “liberalizimi i vizave në një masë varet nga vota e deputetëve shqiptarë të enjten”.
Por, deputeti i Alternativës, Ilir Deda ka thënë se qeveria e ka sjellë në Kuvend projektligjin kontradiktor për ratifikim.
Sipas Dedës ky projektligj është kontradiktor sepse përmban marrëveshjen e vitit 2015, raportin e Shpejtim Bulliqit dhe deklaratën e dy presidentëve atij të Kosovës dhe Malit të Zi.
“Dmth para deputetëve vjen projektligj që mund të përmblidhet kështu: demarkacioni është vepër penale, që është bërë mirë, e që do të rishikohet sepse është bërë gabim”, ka shkruar Deda në Facebook. /Telegrafi/