Shkruan: Besa Ismaili
Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Liritë Fetare, qëndroj me ata/ato që përjetojnë shkelje të kësaj të drejte fundamentale dhe me ata/ato që ngritin zërin, veprojnë dhe mbrojnë këtë të drejtë fundamentale.
Gjatë më shumë se dy dekada e gjysmë tashmë, kam qendruar dhe qendroj me vajzat dhe gratë e Kosovës, të drejtat e të cilave shkelen edhe sot, në aq shumë nivele të ndryshme, për arsyen e bartjes së shamisë, dhe me gjithë besimtarët dhe besimtaret e të gjitha feve tjera, të drejtat e të cilëve shkilen, cenohen apo mohohen, të cilat nuk mbrohen apo kultivohen.
Në këtë betejë jemi bashkë të gjithë. Është betejë qytetare që kërkon aleanca qytetare. Për arsye sepse e drejta e njeriut për të vepruar në bazë të bindjeve fetare, është gjëja më e rëndësishme që ka ardhur nga lufta dhe përpjekja e njerëzve për të drejtat njerëzore, që duhet kujtuar si dinjitet parësor, sot, në Ditën Ndërkombëtare për Lirinë e Fesë ose Besimeve.
Kjo e drejtë, me avancimin e normatives gjithandej në shoqëritë e shteteve të ndryshme, nuk ka mbetur si një e drejtë bazike, e thjeshtë, por ka fituar personalitet juridik, përkundër restrikcioneve të shumta ligjore, ajo vazhdon të konsolidohet si gamë e strukturave ligjore.
Pohimi për të drejtën e lirive fetare ka dy linja kyesore; së pari ajo nënkupton procesin e shoqërorizimit, socializimit të fesë në lëmi të ndryshme shtetërore dhe private si dhe institucionalizimit, krijimin e bashkësive, sindikatave dhe çështje të tjera ndërlidhëse.
Një akter shoqëror me të cilin përballet kjo e drejtë, në raport të keqkuptuar në të shumtën e kohës, është liria e shprehjes. Edhe vetë e drejta për besim ka kufizime të caktuara, ashtu edhe liria e shprehjes hyn në këtë kategori.
Edhe pse si vlerë absolute e ngulitur në shoqëri demokratike, ajo është keqpërdorur për të çuar në në shkeljen e të drejtave të të tjerëve, e posaçërisht, besimtarëve.
Kompleksitetit sa u përket aspekteve që ngatërrojnë dhe vënë në përballje liritë e besimeve me liritë e shprehjes duhet dhënë përgjigje në këtë ditë dhe gjatë tërë ditëve të tjera të vitit, që liria më e mirë dhe më ideale, është ajo që nuk fyhet dhe nuk fyen, dhe që nuk cënohet dhe nuk cenon, qoftë si diskurs politik apo shprehje individuale.