Me të filluar viti i ri shkollor, frekuentimi nëpër librari dhe qendra tregtare është i dukshëm, të cilët së bashku me fëmijët e tyre po kryejnë përgatitjet për furnizimin e gjë sendeve të nevojshme shkollore. Vëmendje më e veçantë për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor iu kushtohet fëmijëve të cilët fillojnë klasën e parë, shkruan Anadolu Agency (AA).
– Maqedoni, nevojiten rreth 100 euro për të përgatitur një fëmijë të klasës së parë
Duke u bazuar në harxhimet e prindërve nëpër librari, tregje dhe dyqane, mesatarisht në Maqedoni nevojiten të paktën 6.000 denarë ose rreth 100 euro që një fëmijë i klasës së parë të pajiset me sendet themelore shkollore, ndërsa paga mesatare në këtë vend, sipas statistikave shtetërore është 24.203 denarë ose 393 euro.
Kjo shumë, përveç furnizimeve shkollore si çanta e shpinës, fletore, lapsa, ngjyra të ndryshme e goma, përfshin edhe fondet për garderobë të re për fëmijën.
Çanta e shpinës përmban koston më të madhe nga sendet e nevojshme shkollore, e cila nëpër librari dhe dyqane mund të gjendet me një çmim nga rreth 5 euro deri në mbi 50 euro, në varësi të cilësisë së saj. Mirëpo sipas shitësve, prindërit në Maqedoni zakonisht vendosin të blejnë një çantë shpine nga 15 euro deri në 25 euro.
Pjesa tjetër e furnizimeve shkollore si fletore, lapsa, plastelina, ngjyra druri, si dhe një qese të vogël për to, mund të blihen nga rreth 10 euro deri në mbi 15 euro, në varësi të cilësisë së tyre.
Ndërsa për veshjet e nevojshme për një fëmijë të klasës së parë, si bluzë, xhaketë dhe xhinse, sipas shitësve në dyqane, nevojiten nga 50 deri në 100 euro e më shumë.
Po ashtu edhe këpucët, sipas çmimeve në qendrat tregtare, mund të vlerësohen nga 15 euro deri në mbi 50 euro, në varësi të cilësisë së tyre.
Siç do vit tjetër shkollor, edhe sivjet viti i ri shkollor për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme fillon të hënën e parë të muajit shtator, që këtë vit i bie 3 shtator.
– Shqipëri, fëmijët e klasave të para deri tek e katërta për herë të parë do të kenë librat falas
Nëpër dyqanet dhe qendrat e ndryshme tregtare në Tiranë, por edhe në qytete e tjera të vendit janë shtuar blerjet për pajisjet shkollore, si dhe për veshjet e fëmijëve.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, këtë vit për herë të parë, fëmijët e klasave të para deri tek e katërta do të kenë librat falas, të cilat do të mund t’i marrin në shkollë nga mësuesit e tyre.
Nga të dhënat e kësaj ministrie mësohet se mbi 125 mijë familje në Shqipëri me këtë do t’u ulen shpenzimet mesatarisht prej rreth 36 euro në vit për çdo fëmijë që ndjek arsimin bazë.
Duke përfshirë shpenzimet për veshjet, çantë dhe pajisje të tjera shkollore ku përfshihen fletore, vizore komplet, lapsa, ngjyra, si dhe pajisje tjera, kosto totale për dërgimin e një fëmijë në klasë të parë në Shqipëri është mesatarisht rreth 91 euro.
Çantat për nxënësit e klasës së parë në dyqanet në Tiranë, sipas tregtarëve, shiten nga 20 euro deri në 35 euro, por edhe me çmime më të larta.
Pajisjet shkollore si fletore, vizore, lapsa, ngjyra, gomë, kushtojnë nga 12 euro deri në 30 euro. Ndërsa sa i përket veshjeve çmimet janë nga 35 euro deri në 50 euro.
Viti i ri shkollor 2018-2019 në Shqipëri për arsimin bazë fillon më 17 shtator, ndërsa regjistrimet e nxënësve do të vazhdojnë deri në mesin e shtatorit.
Duke iu referuar të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), paga mesatare në Shqipëri për një të punësuar është 49.145 lekë apo rreth 393 euro.
– Kosovë, nevojiten rreth 90 euro për të përgatitur një fëmijë të klasës së parë
Nëpër qendra të ndryshme tregtare dhe nëpër librari të qyteteve të Kosovës vërehet një lëvizje e shtuar e qytetarëve, ndërsa në pjesët kryesore të tyre janë vendosur pajisjet shkollore, fletoret shumëngjyrëshe, lapsat, çantat dhe shumë pajisje të tjera që i nevojiten një nxënësi.
Edhe pse çmimet variojnë për nga libraritë apo qendrat tregtare, si dhe nga cilësia e pajisjeve, në Kosovë në qendrat kryesore tregtare çmimi për pajisjet shkollore për një fëmijë të klasës së parë fillon nga rreth 10 euro e mund të shkojë deri në rreth 55 euro, ku nuk përfshihen çmimet e librave të cilat ofrohen falas nga autoritetet kompetente.
Një çantë shkollore kushton nga 5 deri në 30 euro, përmbledhjet e pajisjeve si lapsa, goma e mprehëse nga 1 euro e deri në 5 euro, ngjyra nga 1 deri në 5 euro, blloqe për vizatime nga 50 cent deri në 5 euro, çanta për lapsa apo kasetina nga 1 deri në 10 euro, kurse fletoret nga 10 cent deri në 1 euro.
Ndërkaq si zakonisht, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të nisin ditën e parë të shkollimit me veshje të re. Nëse shikohen çmimet për një veshje të fëmijës për në klasë të parë, si këmisha e bluza, pantallona, si dhe këpucë, një prindri i duhen nga 40 euro e më lartë, në varësi të cilësisë së tyre.
Duke u bazuar në këto të dhëna nga libraritë dhe qendrat tregtare, prindërit kosovarë harxhojnë mesatarisht 90 euro për t’u siguruar fëmijës së tyre nevojat themelore për të filluar klasën e parë. Ndërsa paga mesatare në Kosovë (sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, 2017) është 363 euro.
Ashtu si zakonisht viti i ri shkollor në Kosovë nis në javën e parë të shtatorit, që për këtë vit i bie 3 shtator.