S’ka dyshim se Allahu xh.sh me mëshirën e Tij dhe me drejtësinë e Tij ka përfshirë dhe ka kapluar çdo gjë në këtë kozmos dhe përtej asaj që mendja dhe syri i njeriut ka shkuar.
Allahu xh,sh ka krijuar çdo gjë dhe prej çdo gjëje ka veçuar diçka siç është veçimi i Tij prej vendeve Qabenë, prej netëve natën e Kadrit, prej muajve muajin Ramazan e kështu me radhe. Prej këtyre veçimeve apo përzgjedhjeve që ka bërë Allahu xh.sh është edhe veçimi i Tij xh.sh që ia ka bërë Ditës së Arafatit.
Dita e Arafatit është dita kur haxhilerët qëndrojnë në Arafat, në një kodrinë që shtrihet diku rreth 20km në lindje të Qabesë ndërsa për sa i përket emërtimit të saj me Arafat apo me luginën e Arafatit ka disa mendime të cilat i ka cekur Imam El-Kurtubi në tefsirin e tij. Por, që paraprakisht duhet potencuar se emri i saj vjen prej gjuhës arabe a-r-f e që kuptimisht do të thotë njohuri apo dije.
Mendimet e dijetarëve rreth emërtimit të kësaj dite me ‘’Dita e Arafatit’’ janë:
Është quajtur me këtë emër për shkak se njerëzit njoftohen ndërmjet veti.
Është quajtur me këtë emër për shkak se Xhibrili a.s kur po shëtiste me Ibrahimin a.s dhe po ia tregonte vendet e haxhit e pyeste se: A po e dinë? Ndërsa Ibrahimi a.s i përgjigjej me: Po, po e dijë!
Është quajtur me këtë emër sepse në këtë kodrinë janë takuar Ademi a.s dhe Havaja pas zbritjes së tyre nga xheneti në tokë.
Nga këndvështrimi i agjërimit të kësaj dite njerëzi ndahen në dy grupe:
1- Haxhilerët që janë në haxh, dhe që janë të obliguar me qëndrimin në këtë kodrinë gjatë ditës së nëntë të Dhul Hixhës e që paraprakisht është një ditë para ditës së Kurban Bajramit.
Sa i përket këtij grupi dhe agjërimit të tyre në këtë ditë dijetarët janë unanimë se kjo gjë nuk është e preferuar pasi që haxhiu është i obliguar me obligimet e haxhit dhe se agjërimi i tij mund ta dobësoj fizikisht dhe kjo mandej ndikon negativisht në kryerjen e obligimeve të haxhit në mënyrën më të mirë të mundshme. Si argument për këtë ka disa porosi profetike prej tyre po cekim atë që e transmeton Imam Buhariu nga Aishja r.anh se kur Pejgamberi s.a.v.s po qëndronte në Arafat, njerëzit filluan të dyshonin se mos ishte duke agjëruar ndërsa atij iu ofrua një enë me qumësht nga e cila piu në mes të Ditës së Arafatit. E po ashtu e kemi edhe thënien tjetër që e transmeton Imam Ahmedi nga Ebu Hurejre r.a që tregon se Pejgamberi s.a.v.s kishte ndaluar të agjërojnë Ditën e Arafatit ata që ishin në Arafat.
Këto citate dhe veçanërisht ato që cekin drejtë për së drejti ndalesën e agjërimit në këtë ditë ka bërë që disa dijetarë të anojnë nga ajo se agjërimi në këtë ditë është haram por që shumica janë të mendimit se është e papëlqyer pasi që bie ndesh me traditën e të Dërguarit tonë s.a.v.s.
Ndërsa Abdullah Ibn Omeri r.a tregonte se kishte kryer haxhin së bashku me të Dërguarin s.a.v.s dhe me Ebu Bekrin, Omerin dhe Othmanin dhe se nuk i kishte parë të agjëronin në këtë ditë derisa ata qëndronin në Arafat andaj thoshte ai se ’’Unë nuk agjërojë në këtë ditë kur jam në haxh, as nuk urdhërojë e as nuk ndalojë‘’. Nga ku edhe jep të kuptohet se ndalesa ka ardhur në mënyrën e mos pëlqimit të një gjëje të tillë e jo të ndalimit. Të këtij mendimi janë edhe katër prijësit e shkollave juridike islame.
2- Të gjithë myslimanët që nuk janë në haxh, pra të gjithë myslimanët që nuk janë pjesëmarrës në haxh.
Sa i përket këtij grupi të myslimanëve dhe të preferencës së agjërimit në këtë ditë dijetarët janë të gjithë të pajtimit se agjërimi është i preferuar dhe se është prej praktikës së Pejgamberit s.a.v.s dhe është prej ditëve më të mira në të cilat mund të agjëroje besimtari jashtë muajit të ramazanit. Si argument për këtë marrin thënien e të Dërguarit s.a.v.s, që e transmeton Imam Muslimi, ku thotë se ‘’Ditën e Arafatit e llogarisë tek Allahu xh.sh si falje për vitin paraprak dhe vitin e kaluar”.
Rreth rëndësisë së agjërimit të kësaj dite mund të argumentojmë me të gjitha citatet Kuranore dhe thëniet profetike të cilat nxisin besimtarin në kryerjen e punëve fakultative sepse kështu ai shfaq devotshmërinë e tij ndaj Krijuesit, e zbutë zemrën e tij, triumfon ndaj egos dhe epsheve të tij dhe pa dyshim se mbi të gjitha e tregon edhe dashurinë dhe respektin që e ka ndaj Allahut xh.sh.
Vlen këtu të cekim thënien e Profetit s.a.v.s, në të cilin thotë se ’’Nuk ka ndonjë prej besimtarëve që agjëron për hir të Allahut xh.sh vetëm se do t’i largohet dhe do t’i mbrohet fytyra e tij prej xhehenemit për 70 vite’’.
Dijetarët po ashtu rreth agjërimit të kësaj dite dhe në përgjithësi të agjërimeve fakultative apo vullnetare për ata të cilët nuk i kanë të kryera ditët e ramazanit për ndonjë arsye që ia lejon në bazë të jurisprudencës islame që të mos agjërojë kanë këto mendime:
Imam Ebu Hanife e lejon agjërimin fakultativ edhe nëse nuk janë plotësuar ditët e mbetura nga ramazani dhe këtë lejim e ka të plotë. Do të thotë se Ebu Hanife as si të papëlqyer nuk e sheh këtë veprim. E mendimin e tij e mbështet kryesisht në atë që sipas tyre obligimi i adhurimit bie në fund të kohës dhe jo në fillimin e saj.
Imam Maliku dhe Imam Shafiu ndajnë të njëjtin mendim se lejohet por që është e papëlqyer e që kjo pa pajtueshmëri vjen si rezultat i asaj që e cekëm më lart. Pra, vjen varësisht nga fakti se kur bie obligimi mbi adhurim e që tek këta të dy është në fillim për dallim nga Imam Ebu Hanife që thotë se është në fund.
Imam Ahmedi thotë se kjo gjë është e ndaluar rreptësisht dhe se nëse njeriu agjëron diç nga agjërimet fakultative apo vullnetare ndërsa ende nuk i ka plotësuar ditët e mbetura nga ramazani atëherë agjërimi i tij vullnetarë nuk do të pranohet. Ndërsa mendimin e tij e mbështet në një thënie profetike, që e transmeton nga Ebu Hurejre, në të cilin Pejgamberi s.a.v.s thotë se ’’Kush agjëron vullnetarë ndërsa ka ende ditë të pa plotësuara nga ramazani, ai agjërim nuk do të pranohet‘’.
Vlen të përmendët se kjo pyetje i është parashtruar Këshillit të Përhershëm për Fetva dhe ata e kanë lejuar një gjë të tillë edhe pse sipas tyre preferohet që së pari të kryhen obligimet ndaj Allahut xh.sh e mandej të kalohet në vullnetare pasi që siç ka thënë Profeti a.s ’’Borxhi i Allahut xh.sh është më meritorë në të kryer‘’.
E ndërsa nëse kjo ditë bie në Ditën e Xhuma atëherë lejohet që të agjërohet edhe si e vetme por që preferohet që t’i paraprijë me një ditë përpara pasi që nuk ka mundësi të shoqërohet me një ditë pas sepse është i ndaluar agjërimi në ditën e Bajramit me përjashtim të haxhive që e kanë bërë nijet që ta kryen haxhin si Mutemeti’j apo Kiranë e që nuk kanë pasur mundësi të therin kurban.
Pra thamë që prej mëshirës së Allahut është të veçuarit e disa gjërave apo kohëve ndaj disave dhe dihet fare mirë se mëshira e Tij ka kapluar çdo gjë andaj edhe për ditën e Arafatit kjo gjë vërehet shumë qartë sepse Allahu xh.sh këtë ditë e bëri ditë të faljes së madhe për haxhilerët, ditë në të cilën ata që hyjnë në Arafat me devotshmëri të plotë nuk dalin vetëm se të pastruar nga mëkatet si ditën që u lindën. Por, Allahu xh.sh nuk e veçoi këtë ditë vetëm për haxhilerët por këtë veçim e përgjithësoi për mbarë besimtarët duke ia dhënë mundësinë që me anë të agjërimit dhe të përkujtimit të Allahut xh.sh në këtë ditë të arrijnë faljen e mëkateve për dy vite.
Por sa i përket asaj se çka realisht fal prej mëkateve agjërimi i Arafatit atëherë vlen të përmendim se këtu kemi të bëjmë me faljen e mëkateve të vogla pasi që mëkatet e mëdha dhe falja prej tyre i kanë rregullat dhe dispozitat përkatëse.
Kjo ditë e madhe, dita e Arafatit veçohet prej të tjerave për disa arsye:
1- Është dita e plotësimit të Fesë, transmeton Imam Buhariu se jehudët i kishin thënë Omerit r.a se juve myslimanëve ju ka zbritur një citat që po të na zbriste neve do ta merrnim atë ditë për festë. Ata e kishin për qëllim citatin Kuranor rreth plotësimit të fesë e që Omeri r.a dëshmonte që ky citat kishte ardhur kur ata qëndronin në Arafat.
2- Është ditë e festës, transmetohet nga Ebu Umame se Profeti s.a.v.s ka thënë se ’’Dita e Arafatit, Dita e Therjes, dhe Ditët e Teshrikut ( dita e dyte, e tretë, dhe e katërt e Bajramit) janë ditë feste për ne myslimanët. Ato janë ditë të ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut xh.sh’’.
3- Është dita e faljes së madhe dhe lirimit nga zjarri, transmeton Aishja r.anh se i Dërguari s.a.v.s ka thënë se ’’S’ka ndonjë ditë në të cilën Allahu xh.sh fal dhe liron nga zjarri më shumë se Ditën e Arafatit’’.
Allahu xh.sh na e mundësoftë që ta arrijmë këtë ditë të madhe qoftë si haxhilerë apo si jo-haxhilerë dhe na e mundësoftë që të jemi pjesë e mëshirës së Tij në këtë ditë të faljes së madhe, në këtë ditë të lirimit nga xhehenemi dhe lirimit nga mëkatet./MESAZHI/
Autor: Artan Musliu