Xhudistja Distria Krasniqi ka arritur që ta rrëmbejë medaljen e artë në Lojërat e Olimpike “Tokyo 2020”.
Ajo u ndesh me japoneze Funa Tonaki në finale, të cilën e mundi dhe arriti t’ia sigurojë Kosovës medaljen e artë në Lojërat Olimpike.
Pasi u stolis me medaljen e artë, kampionja Krasniqi tha se fitoren ia dedikon Kosovës, trajnerit, ekipit dhe familjes së saj.
“Fitoren ia dedikoj vendit tim, trajnerit, ekipit që më ka ndihmuar dhe normal familjes. Në momentin që fitova, nuk kam besuar që do të vijë kjo ditë kaq me rëndësi për mua që e kam pasur ëndërr tërë jetën”, u shpreh ajo.
Distria theksoi se shtyrja e lojërave olimpike për një vit ia kanë mundësuar që të humb peshë dhe të përgatitet më mirë për lojërat.
“Në fillim nuk isha shumë e gëzuar, kisha problem që të hiqja peshë, tani që e mendoj ësht më mirë për mua që u shtye për një vit sepse u përgatita më shumë dhe më fuqishëm”, tha ajo.
Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që të garojë edhe në kategorinë 52 kilogramë në të ardhmen në sportin e xhudos.
“Nuk e di akoma por mendoj se po, kam edhe një vit për të vendosur, do ta shohim nëse do të qëndroj në 48 kilogramë apo në 52”, deklaroi ajo.
Kujtojmë se në Japoni për t’i përcjellë nga afër Lojërat Olimpike dhe paraqitjen e sportistëve kosovarë, po qëndron edhe presidentja Vjosa Osmani.