Dymbëdhjetë vende të Bashkimit Evropian i dërguan një letër të përbashkët Komisionit Evropian ku kërkojnë që kufijtë e BE-së të forcohen me “pengesa fizike” kundër emigrantëve dhe që kuadri ligjor në Evropë të përshtatet me “realitete të reja”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Letra e përbashkët e nënshkruar nga ministrat e Brendshëm ose ministrat përgjegjës për emigracionin të vendeve si Greqia, Austria, Hungaria, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Estonia, Lituania, Letonia, Administrata Qipriote Greke (GCA), Sllovakia, Polonisë iu dërgua Zëvendës presidentit të KE-së, Margaritis Schinas dhe Komisioneres për Punët e Brendshme të BE-së, Ylva Johansson.
Bëhet e ditur se letra e publikuar në faqen e internetit “Politico” nuk nënshkrua nga Franca, Gjermania dhe Spanja të cilat janë vendet që kanë marrë më shumë aplikime për azil.
Në letër thuhet se Evropa duhet të “përshtatë kuadrin ligjor aktual kundër realiteteve të reja”.
Ndërkohë në letër nuk flitet për kthimet prapa, çështje kjo e cila ka ardhur edhe njëherë në rend dite me lajmet e disa organeve mediatike evropiane. Sipas lajmit të “Politico”-s lidhur me temën informohet se disa diplomatë “përshtatjen e kuadrit ligjor” e shohin si thirrje për “legjitimimin e kthimeve prapa”.
Ministrat e 12 vendeve anëtare të BE-së theksuan se ligji i Unionit duhet t‘i lejojë vendet anëtare “të veprojnë shpejt dhe në mënyrë proporcionale kundër kërcënimit” në mënyrë që të sigurojnë sigurinë e tyre kombëtare dhe sigurinë e BE-së.
Në letër bëhet e ditur se vëzhgimet kufitare nuk mund të pengojnë në praktikë përpjekjet e emigrantëve për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufijtë e tyre dhe se për këtë arsye mbikëqyrja dhe kontrollet duhet të forcohen me “masa parandaluese më të përparuara”.
Pengesat fizike janë masa efektive në mbrojtjen e një kufiri, thuhet në letrën në të cilën vihet në dukje se “për këto masa legjitime duhet të sigurohet fond nga buxheti i BE-së dhe se kjo duhet të jetë një prioritet”.
Ndërkohë, ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së sot do të mblidhen në Luksemburg. Në axhendën e ministrave përfshihen temat për forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së, si të skanohen emigrantët që vijnë në kufi dhe destinacionet e emigrimit që kanë ndryshuar.