Me siguri keni dëgjuar se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Por edhe pse kjo mund të jetë e vërtetë për disa njerëz, të tjerë mund të ndihen më mirë kur nuk hanë mëngjes.
Sidoqoftë, ngrënia e një mëngjesi të pashëndetshëm mund të jetë shumë më keq se sa mosngrënia fare e mëngjesit. Një mëngjes i shëndetshëm përfshin fibrën, proteinën dhe yndyrnat e shëndetshme që ju japin energji dhe ju bëjnë të ndiheni të ngopur.
Në kontrast një mëngjes i pashëndetshëm mund t’ju bëjë të ndiheni të plogësht, t’ju shkaktojë të shtoni në peshë dhe të rrisë riskun për sëmundje kronike.
Ja disa nga ushqimet më pak të mira që mund të hani në mëngjes:
Drithërat e mëngjesit (cerealët)
Shumë njerëz mendojnë se drithërat e mëngjesit janë një zgjedhje shumë ushqyese si për të rriturit dhe për fëmijët. Në fakt, këto drithëra janë shumë të procesuar dhe përmbajnë vetëm një sasi shumë të vogël drithërash të plotë. Gjithashtu, lëndët ushqyese janë të shtuar artificialisht gjatë një procesi të quajtur fortifikim.
Drithërat e mëngjesit përmbajnë kryesisht sheqer, që është zakonisht i pari apo i dyti në listën e përbërësve.
Tost me margarinë
Tosti i lyer me margarinë mund të duket si një zgjidhje e mirë për mëngjesin, pasi nuk përmban yndyrna të ngopura apo sheqer. Por, ky është një mëngjes i pashëndetshëm për dy arsye:
Së pari, mielli në shumicën e bukëve është i rafinuar dhe ju siguron shumë pak lëndë ushqyese dhe fibër. Meqë ka shumë karbohidrate të rafinuara dhe pak fibër, mund t’jua ngrejë shumë shpejt nivelet e sheqerit në gjak. Nivelet e ngritura të sheqerit në gjak ju bënë të ndiheni të uritur dhe të hani më shumë në vaktin tjetër.
Së dyti, shumica e margarinave përmbajnë yndyrna trans, që janë lloji më i pashëndetshëm i yndyrnave që mund të hani.
Kos frutash
Një pjatë kos i zakonshëm mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë për mëngjesin tuaj.
Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe për kosin e frutave. Kosi i frutave ka një përbërje të lartë sheqeri. Gjithashtu këto lloje kosi janë të procesuar dhe u janë hequr yndyrnat e shëndetshme që ato përmbajnë. Këto yndyrna ju bëjnë të ndiheni të ngopur sepse treten më ngadalë se karbohidratet.
Heqja e yndyrnave dhe shtimi i sheqerit e bëjnë këtë ushqim nga një që mund të konsumohet çdo mëngjes në një që duhet të konsumohet vetëm, me raste.