Miti serb për Kosovën shkon deri në Mesjetë, në “mbretërinë tokësore“ që e kishte humbur Car Lazari në përballje me osmanët më 1389 në Betejën e Kosovës, për ta fituar kështu “mbretërinë qiellore“. Roli i kishës ishte qenësor si për frymëzimin dhe ndërtimin, ashtu edhe për bartjen ndër breza e shekuj të mitit për Kosovën.
Blerim HALILI, Prishtinë
Korniza historike
Popujt janë peng i një prapavije historike të zhvillimeve, i një realiteti kompleks historik e social nga i cili është pothuajse e pamundur të dilet. Në disa periudha të zhvillimeve historike shoqëritë e popujt përjetojnë transformime më të mëdha, të cilat e determinojnë gjeografinë, kompaktësinë dhe progresin e gjithmbarshëm të një populli për një periudhë tepër të gjatë kohore. Për ta kuptuar kështu themelin e armiqësive aktuale ndërmjet popujve në Ballkan, duhet t’i kuptojmë mirë këto zhvillime e kontekste historike, që e kanë determinuar trajektoren e zhvillimit edhe sot e kësaj dite.
Shqiptarët, në kujtesën e tyre dhe në historinë e jetësimit politik e social, një nga ballafaqimet më serioze që e kanë hasur është ai me botën e nacionalizmit dhe shovinizmit serb. Nëse i marrim parasysh dy shekujt e fundit, shohim se dobësimi, humbja e fuqisë dhe e territoreve ku sundonte Perandoria Osmane, e veçanërisht ajo që quhej “kriza lindore” e gjysmës së dytë të shekullit 19 krijoi dy realitete, i ktheu shpresat dhe mundësitë për botën serbe, e cila po shihte në horizont një mundësi të artë për ta kthyer pushtetin dhe “namin e dikurshëm” në ato territore. Kështu e krijoi rrezikun e madh për botën shqiptare, që ajo të bëhej subjekt i hakmarrjes dhe katastrofës që do ta përjetonte pas prishjes së rendit perandorak.
Kisha si frymëzim miti dhe kujtesë kolektive
Në frymëzimin e nacionalizmit serb dhe botëkuptimit serb ndaj shqiptarëve, kisha, si qendër fetare dhe etnike njëkohësisht, ka pasur një rol të dorës së parë. Miti serb për Kosovën shkon deri në Mesjetë, në “mbretërinë tokësore“ që kishte humbur Car Lazari në përballje me osmanët më 1389 në Betejën e Kosovës, për ta fituar kështu “mbretërinë qiellore“. Roli i kishës ishte qenësor si për frymëzimin dhe ndërtimin, ashtu edhe për bartjen ndër breza e shekuj të mitit për Kosovën. Kujtesa kolektive serbe është mirëmbajtur me kujdes nga rrëfimi kishtar ortodoks për Kosovën, nëpër liturgjitë kishtare e lutjet që i janë kushtuar asaj ngjarjeje që ndryshoi drastikisht Ballkanin. Prandaj, vijimësinë historike për vendin e shenjtë ata e kanë bërë përmes kishës, por jo vetëm.
Pushtimet si fakt në terren
Rënia e Perandorisë Osmane i linte shqiptarët të vetëm në front me botën serbe, e cila edhe ofronte një alternativë: të vriste ose t’i dëbonte të gjithë shqiptarët e të krijonte kështu sërish botën e vjetër me supremacinë serbe, të bënte një inxhiniering demografik, spastrim etnik. Për ta bërë këtë, për serbët ishte e rëndësisë parësore dalja në Adriatik. Prandaj nuk mjaftonte vetëm Kosova e sotme, por duhej të pushtohej e gjithë Shqipëria, ndonëse në terren mbeti një ëndërr e parealizueshme. Serbia, sa herë që ka gjetur rastin, ka kaluar në sulm, ka shënuar përparim me pushtime në terren. Madje edhe gjatë kohës kur zhvilloheshin konferencat ndërkombëtare për fatin e popujve dhe territoreve të Ballkanit, që dilnin nga shteti osman, ajo bënte luftë me shqiptarët, avanconte në terren dhe pushtimi i territoreve nga ana e saj më pas merrej si fakt i ri në terren që i siguronte asaj fitore. Karakteristikë e luftës së saj mbi popullsinë shqiptare ishin masakrat në civilë, në fëmijë, gra e pleq. Përveç kujtesës së bartur ndër shqiptarët, shumë raporte ndërkombëtare të kohës e dëshmojnë dhunën, terrorin, masakrat dhe ekzekutimet mbi popullsinë civile gjatë përndjekjes së tyre dhe spastrimit etnik në Kosovë dhe në vendbanimet shqiptare përreth, qysh më 1912 e tutje.
Avazi i vjetër
Ndërmjet dy luftërave botërore, Kosova i nënshtrohet procesit të kolonizimit me serbë e malazezë, në shërbim të projektit nacionalist serb për popullimin e zonës me serbë e ortodoksë dhe për të shpërngulur shqiptarët myslimanë në Turqi, për ta realizuar kështu, nëse jo pastërtinë etnike, së paku epërsinë etnike serbe. Komunizmi ose socializmi ishte pika e mashtrimit të radhës, ku besohej se po kapërceheshin antagonizmat dhe armiqësitë e po ndërtohej bota e barabartë socialiste në Jugosllavi. Edhe këtu shqiptarët nuk e morën hisen e premtuar. Përkundrazi, u bënë sërish subjekt i persekutimit sistematik shtetëror, nën frymëzimin e një armiqësie shekullore. Vite të vështira ishin posaçërisht ato që njihen si periudha e Aleksandër Rankoviqit, përkatësisht “aksioni i mbledhjes së armëve“, që ishte fatal për shumë familje shqiptare. Nuk përbënin ndonjë kapërcim të madh për Serbinë 100 vjet. Ajo insistonte të mbetej e njëjta në narrativën për veten dhe për armiqtë e saj – ajo i ndezi luftërat e përgjakshme edhe në vitet e ’90-ta në Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Kosovë. Në kujtësën shqiptare, vitet e ’90-ta ishin vazhdimësi e një persekutimi të përjetuar e dëgjuar ndër breza.
Ndërtimi i realitetit të ri ballkanik dhe hezitimi serb
Bota serbe (ajo botë e frymëzuar nga miti serb për Kosovën dhe e cila përkrah ose miraton në heshtje qasjen e regjimit serb të viteve të ’90-ta dhe atij aktual ndaj shqiptarëve dhe Kosovës) me një gamë politike e parapolitike, të trashëguar nga shovinizmi dhe mafia e shtrirë gjithandej, refuzon të pranojë narrativën europiane pa dilema. Ajo ka zgjedhur të mbajë distancën e vet dhe në vend të besimit në botën e re europiane për Ballkanin, vazhdon ta përdorë (në narrativë, mënyrë të të menduarit dhe referencë legjitimiteti) të kaluarën dhe antaginizmin etnik si alternativë e strehë të sotme psiko-politike. Përmes kësaj qasjeje të papërditësuar, ajo nuk e prish komoditetin e mitit të vet. Përkundrazi, përveç tërë mekanizmave shtetërorë, akademinë dhe kishën i ka vënë po ashtu në shërbim të projektit të vet nacionalist për “t‘u kthyer në Kosovë“. Kjo është edhe një arsye më shumë se pse bota shqiptare, krahas programit të qartë për integrim euroatlanik, të ketë edhe narrativën vetanake, pavarësisht avancimit në agjendat rajonale e kontinentale, ngase nuk mund të zhbëhen disa realitete e përjetime të popujve, aq më pak kur janë përjetime që e kanë determinuar kaq shumë mënyrën e jetesës, psikologjinë dhe botën shpirtërore të një populli dhe aq më pak kur ato përjetime e skenarë janë potencialisht të përsëritshme edhe sot. /revistashenja