Disa momente nga proceset demokratike në hapësirat shqiptare

Blerim Halili

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, në periudha të ndryshme të historisë, ishte zonë e ndikimeve dhe dominimeve të ndryshme, si në aspektin politik e ideologjik, ashtu edhe në atë fetar e qytetërimor. Këto ndikime diktuan edhe mënyrën e organizimit politik e shoqëror dhe deri në një masë edhe aspektin e normave shoqërore.

Blerim HALILI, Prishtinë

Lindja e demokracisë dhe shpërbërja e Jugosllavisë

Ndonëse lindja apo fillet e demokracisë në Ballkanin Perëndimor shënojnë një proces më kompleks dhe më të hershëm, megjithatë janë disa procese që i japin shtysë të madhe dhe e sjellin atë në agjendën kryesore politike e shoqërore të vendeve të rajonit. Shpërbërja e Jugosllavisë ndodhi paralelisht me procesin i demokratizimit të vendeve që po dilnin nga ajo. Vendet që dolën nga ish federata jugosllave kështu u përballën me një tranzicion të vështirë, jo vetëm në aspektin e institucioneve politike, por edhe në aspektin e mendësisë dhe krijimit të një fryme të re sociale dhe vlerore. Përpjekja dhe lufta e pashmangshme e këtyre vendeve për t’u çliruar nga nacionalizmi dhe hegjemonia serbe, e cila rëndonte mbi popujt e tjerë, solli pasoja fatale me viktima e dëme njerëzore, materiale dhe shpirtërore, ndonëse në horizont po lindnin një sërë shtetesh të reja që thirreshin mbi premisat e lirisë, barazisë dhe demokracisë. Përjetimi dhe adresimi i këtyre pasojave dhe dëmeve, pra, ndodhte paralelisht me ndërtimin e sistemit të ri në shtetet sovrane.

Disa momente nga përvoja shqiptare me demokracinë

Edhe Kosova kishte përvojën e saj specifike gjatë kalimit nga sistemi socialist-komunist në sistemin demokratik në fund të viteve të ’80-ta dhe në fillim të viteve të ’90-ta. Rrethet intelektuale dhe nacionaliste, si dhe fshatarësia shqiptare në Kosovë, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e tutje, teksa përballej me diskriminim, persekutim, padrejtësi dhe dhunë sistematike pothuajse në çdo plan, aplikonte thirrjet për të drejta dhe për liri, për ta realizuar kështu botën e vet të dallueshme etnike, kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore. Demokracia ishte një mënyrë përmes së cilës ata mund ta realizonin botën e vet në një federatë praktikisht shumetnike. Dhe, ajo po ndodhte – sistemi i kaluar po përmbysej dhe tek demokracia projektohej shpëtimi.

Por, në planin e brendshëm kosovar-shqiptar, shikuar nga një perspektivë kritike, demokracia ishte sfidë e cila kërkonte kujdes të madh për ta akomoduar. Në fakt, sfida kryesore, si për inteligjencën, ashtu edhe për shtresat shoqërore ishte fakti se si do të menaxhohej ky kalim dhe a do të kishte pasoja anësore mosmenaxhimi adekuat i kalimit në sistemin e ri. Rreziku ishte tek një frymë që do të quhej demokraci, por që për nga mënyra e përjashtimit dhe linçimit të tjetrit, qoftë edhe “brenda sojit”, do të ishte e njëjtë si ideologjia e komunizmit. Kështu edhe filloi të ndodhte përderisa demokracia filloi të perceptohej si një sistem që duhej instaluar ashtu siç merret i gatshëm nga jashtë dhe të përdorej për të diskredituar masivisht individët, grupet dhe mendimet e ndryshme prej saj. Ky, pra, ishte rreziku i përsëritjes së një ideologjie totalitare nën petkun e ri dhe duke u maskuar pas demokracisë. Politologu Ukshin Hoti, teksa shkruante për lindjen e demokracisë në Kosovë, insistonte në demokracinë autentike, demokracinë e vetëlindur në kontekstin shoqëror e politik kosovar, që kishte marrë hov me ngjarjet e vitit 1981.

Demokracia si alternativë dhe si opozitë shqiptare

Po të hedhim edhe një vështrim tjetër në kontekstin historik, vërejmë se në Kosovë lëvizja nacionaliste, si individët me kontribute të veçanta, ashtu edhe lëvizjet ilegale që kanë hartuar dhe promovuar program nacionalist, krahas idesë së çlirimit ose konsolidimit politik e kulturor të gjeografisë shqiptare, kanë çuar përpara edhe idenë e demokracisë, si oponencë bazike me pushtetin e kohës, i cili identifikohej me totalitarizmin dhe bllokun komunist. Prandaj udhëtimi i mendimit shqiptar drejt demokracisë mbase duhet kërkuar edhe më herët, qysh në kontekstin osman, kur mjediset intelektuale dhe kulturore, ekolet shqiptare në Stamboll, Bukuresht, Selanik e gjetiu, krahas veprimtarisë intelektuale, diplomatike e politike për gjuhën, kulturën dhe të drejtat politike, hodhën edhe idetë e para të demokratizimit dhe të decentralizimit. Në Shqipëri vetë ideja nacionaliste identifikohej me shtetin zyrtar, prandaj një derivat tjetër nacionalist ishte ai antikomunist, versioni i nacionalizmit ballist ose zogist, i ndaluar e i ndëshkuar nga sistemi. Andaj pikërisht në versionet jokomuniste dhe antikomuniste të nacionalizmit, sigurisht në nivel ilegal dhe në mërgatë, shfaqet ideja për nevojën e demokratizimit, si një oponencë ndaj pushtetit të kohës. Prandaj në të dyja kontekstet udhëtimi për demokratizim është pjesë e një programi më të gjerë ose për çlirim ose për përmbysje të pushtetit aktual dhe reforma të gjithmbarshme shoqërore e politike.

Mendim e praktikë totalitare në emër të demokracisë

Ndonëse sistemi totalitar u përmbys dhe demokracia po lindte në horizont, modelet e të menduarit dhe praktikat politike nuk është se u adaptuan shpejt në frymën e re në vendet e Ballkanit ku jetojnë shqiptarët, por jo vetëm. Në këtë linjë, disa probleme me demokracinë jemi duke i përjetuar edhe sot. Kjo vërehet nga mënyra e bërjes politikë, nga organizimi dhe mënyra si funksionojnë institucionet jetike, nga mënyra e organizimit të zgjedhjeve, fushatave zgjedhore dhe sponsorizimi i tyre, nga diskursi publik e medial në debatet politike e sociale dhe nga mënyra se si perceptohen liderët brenda partive politike. Ekzistojnë disa probleme serioze në mënyrën se si e aplikojmë demokracinë dhe si e imponojmë versionin parcial të të kuptuarit të saj, në diskursin publik, në media, politikë dhe, fatkeqësisht, nganjëherë edhe në akademi. Sikur adaptuam një demokraci që legjitimon dominimin e personit, idesë, bllokut që i përket individi i caktuar; demokraci e cila në diskursin publik pra merr trajtë totalitarizmi. Brenga kryesore është se a e duam vërtet demokracinë si sistem të vetëm politik apo e preferojmë vetëm atëherë dhe në atë masë sa të bëhemi ne vetë të pranueshëm dhe, mundësisht dominues, pastaj duke mbrojtur demokracinë, në emër të saj, të asaj demokracie të definuar nga ne, që na jep pra legjitimitetin të jemi prezentë dhe dominues, të shpallim heretikë të mendimit dhe botës së lirë të gjithë ata që nuk janë si personi, mendimi dhe bota jonë dhe kështu të fitojmë pranueshmëri në gjykimin tonë kritik e poshtërues për palën tjetër. Me përshtypjen se jemi heronj së saj, ne kështu kemi shkelur në fondamentet e saj. /revistashenja