Në Vjenë të Austrisë më 20 nëntor disa mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta për të kundërshtuar masat e reja të izolimit kundër pandemisë.
Policia tha se rreth 7,000 persona morën pjesë në protestë e cila ishte organizuar për të kundërshtuar bllokimin mbarëkombëtar që hyn në fuqi më 22 nëntor.
Protestuesit gjithashtu kundërshtuan detyrimin ligjor për vaksinim kundër koronavirusit në bazë të një ligji i cili pritet të hyjë në fuqi në shkurt të vitit 2022.
Partia e Lirisë e krahut të djathtë (FPOe) ka bërë thirrje për demonstrata.
Lideri i partis, Herbert Kickl, i cili aktualisht vuan vetë nga COVID-19, nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në protestë.
Në një paraqitje përmes videos, ai tha se masat kundër COVID-19 janë “totalitare”.
Vende të ndryshme në Evropë janë duke marrë masa për të parandaluar përhapjen ndaj koronavirusit.
Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se është “shumë e shqetësuar” për rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus në Evropë.
Duke folur për BBC-në, më 20 nëntor, drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge paralajmëroi se rreth 500,000 vdekje mund të regjistrohen deri në muajin mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente. /rel