Diplomatja e lartë amerikane takohet me zyrtarë të HTS-së në Damask

Barbara Leaf

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se diplomatja e lartë amerikane për Lindjen e Mesme, Barbara Leaf, udhëtoi për në Damask, ku u takua me zyrtarë nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS) për të diskutuar nevojën për një proces politik “gjithëpërfshirës”, transmeton Anadolu.

Ambasada amerikane përmes një postimi në X bëri të ditur se gjatë takimit me zyrtarët e HTS-së, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Barbara Leaf, diskutoi “parimet për të cilat SHBA-ja dhe partnerët në Akaba janë pajtuar: Mbështetje për një proces politik gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Siria që rezulton në një qeveri përfaqësuese, e cila respekton të drejtat e të gjithë sirianëve”.

“Ata diskutuan gjithashtu ngjarjet rajonale, synimin e Sirisë për të qenë një fqinj i mirë dhe rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit”, thuhet më tej në deklaratë.

Leaf u takua gjithashtu me “shumë sirianë, liderë të shoqërisë civile, aktivistë dhe të tjerë, për të dëgjuar drejtpërdrejt prej tyre për vizionin e tyre për të ardhmen e vendit dhe se si Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë në mbështetjen e tyre”.

Takimi erdhi disa ditë pasi Bashar Asadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Kjo erdhi pasi luftëtarët e HTS-së pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.

SHBA mbylli ambasadën e saj në Damask në vitin 2012 dhe tërhoqi të gjithë personelin diplomatik nga vendi, teksa konflikti u përshkallëzua.