Makina e drejtuar nga Andi Maloku, brenda së cilës ishin Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, të ulur respektivisht në sedijen e parme dhe mbrapa, po zbriste nga mbikalimi i Shkozetit për të hyrë në autostradën Durrës-Tiranë.
Në këtë moment makina e atentatorëve ka shtuar shpejtësinë dhe i ka dalë paralel. Breshëria e plumbave është drejtuar në pjesën e pasme të makinës, ku ndodhej Muharremi. Ai është prekur nga një plumb në nofull. Ndërsa prokurorin Ndoja e ka kapur një plumb në shpatullën e majtë.
Shoferi, Andi Maloku është ai që është dëmtuar më shumë. Sipas informacioneve, ai ka marrë dy plumba në mushkëri, ku njëri ka prekur shtyllën kurrizore duke e bërë që të humbasë ndjeshmërinë e trupit. Gjendja e tij vazhdon të mbetet e rëndë.
Autorët janë larguar përmes zonës së Ishmit duke shmangur rrugën nacionale Durrës- Vorë- Fushë Krujë ku ka një përqendrim të forcave policore dhe një numër të lartë kamerash sigurie. Automjeti tip “Benz 280” u gjet i braktisur në Shkafane të Ishmit. Brenda tij u gjetën dy kallashnikovë, dy maska dhe një shishe me benzinë e cila dyshohet se do të përdorej nga autorët për të djegur automjetin pas atentatit por mesa duket ata nuk kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë.
Policia për momentin është duke hetuar pistën e atentatit për shkak të detyrës ndaj prokurorit Ndoja por dinamika e ngjarjes dhe goditja e automjetit në pjesën e pasme kanë shtuar dyshimet se objektivi mund të ketë qenë Landi Muharremi i njohur si “i forti i Sukthit”. Ai njihet si person problematik dhe ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale që kanë në qendër të tyre kontrollin mbi pronat në Gjirin e Lalëzit.
Ndërkohë në dëshminë e tij për prokurorin Martinaj, Arian Ndoja ka mohuar që ai të ketë qenë shënjestra e atentatit. /Opinion.al