Rreziku i Dinakërisë
Kujdes nga Njerëzit pa Kufij në Qëllimet e Tyre të Errëta
Manipulimi, mashtrimi, egoizmi, mungesa e empatisë, tradhtia dhe imoraliteti janë cilësi të pandashme të personit dinak. Këto tipare janë të ndërlidhura dhe tërheqin njëra-tjetrën. Nëse dikush e zotëron, ose mendon se e zotëron, njërën prej këtyre cilësive, duhet të kuptojë se të gjitha ecin dorë për dore, pa asnjë dilemë.
Personat dinakë:
• Tradhtojnë besimin që iu është dhënë.
• Nuk ndiejnë ndjeshmëri për të tjerët.
• Përfitojnë në kurriz të të tjerëve.
• Nuk i përfillin nevojat e të tjerëve.
• Shpifin dhe gënjejnë për të tjerët.
• Shfrytëzojnë sekretet, dobësitë dhe emocionet e të tjerëve.
• Aktrojnë si viktima, ndërkohë që janë agresorë, etj.
Kur dinakëria praktikohet shpesh, ajo ndikon fuqimisht në formimin e personalitetit të tyre, duke shkaktuar këto efekte negative:
• Humbjen e autenticitetit: Njerëzit dinakë, duke përdorur maska të ndryshme, me kalimin e kohës harrojnë se kush janë në të vërtetë. Kjo shkëputje nga vetja çon në humbjen e lidhjes me vlerat dhe thelbin e tyre.
• Rënien e besueshmërisë: Të tjerët, duke parë manipulimet dhe pandershmërinë, humbasin besimin tek personat dinakë, gjë që çon në izolim social dhe profesional.
• Shkatërrimin emocional: Dinakëria shpesh kërkon shtypjen e ndjeshmërisë dhe empatisë, gjë që shkakton shkëputje emocionale, me pasoja për shëndetin mendor, fizik dhe social.
• Degradimin moral: Veprimet dinake e zbehin aftësinë për të dalluar të drejtën nga e gabuara. Duke justifikuar sjelljet jo-etike, individi dinak humbet tërësisht busullën morale.
• Rritjen e egocentrizmit: Këta individë shpesh përqendrohen në interesat e tyre personale, duke mos pasur konsideratë për nevojat dhe ndjenjat e të tjerëve.
• Cinizmin dhe pesimizmin: Mendësia për të manipuluar dhe shfrytëzuar të tjerët çon në zhvillimin e cinizmit, i cili më tej e shtyn individin drejt pesimizmit dhe armiqësisë ndaj jetës.
Efektet negative të dinakërisë kanë tendencë vetëm të rriten, dhe rrallëherë zvogëlohen me kalimin e kohës.
Individët me karakter të fortë dhe me logjikë të shëndoshë, të cilët janë të vetëdijshëm për veten, arrijnë ta luftojnë me sukses dinakërinë, nëse ajo përbën pjesë të personalitetit të tyre.
Njerëzit dinakë janë kudo rreth nesh, në familje, në punë, në shkollë, madje edhe në rrethet fetare. Prandaj, kini kujdes nga ta, sepse ata nuk njohin kufij në ndjekjen e qëllimeve të tyre të errëta.
Vehbi Zeqiri
Me përvojë prej më shumë se 30 vite në pozita udhëheqëse